Kreu i PD Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend iu drejtua Ministres së re të Shëndetësisë, se Evis Sala me dorëheqjen e saj mbrojti integritetin e vet. Sipas Berishës Spahiu duhet të japë dorëheqjen për të mos i shërbyer aferave korruptive të qeverisë Rama.
“Kësaj zonje që ikën kështu dhe që u betua dhe u stërbetua këtu, duhet t’i them dy fjalë. Pararendësja juaj, ajo ka qenë një studiuese e rrallë, ua them unë, me punime që po t’u marrësh ju të gjithë së bashku, nuk bëni as një të dhjetën e saj. Në një moment të caktuar, kur thoni ia mori ai mendjen dhe pranoi detyrën e ministres. E vërteta, me dorëheqjen e saj, ajo mbrojti integritetin e vet, duhet ta them, pavarësisht nga akuzat e lëshuara mbi të, por ajo kur erdhi puna që iu propozua skema e vjedhjes më të madhe të të sëmurëve, ajo tha mirupafshim.
Pasardhësja u betua, u stërbetua këtu, ka vetëm një këshillë, shko dhe pi një kafe jo me Lindën e Surrelit, por me Lindën tjetër. Jo me patronazhisten, por me atë drejtoreshën dhe të të rrëfejë ajo dramën e saj në mënyrë që uroj të mbledhësh mendjen dhe të japësh dorëheqjen një minutë e më parë nga ajo detyrë se fillim më të mbrapshtë nuk mund të kishte se të fusje aty patronazhisten e Surrelit, Lindën e Surrelit, kunati i të cilës është faktikisht strumbullari i të gjithë vjedhjeve të qindra milionë eurove në AKSHI. Dhe nuk i del emri vetëm se është kunati i Lindës", tha Berisha.
Ndërkohë Spahiu pavarësisht akuzave të Berishës tha detyra e saj e vetme është që t'u shërbej qytetarëve.
"Është diferencë e madhe kur njeriu ndryshon në rrugëtimin e tij. Jam përpjekur që politika të mos më ndryshojë. Keni qenë profesori im dhe nuk dua të pranoj që të përgojohen gratë në atë foltore. Unë nuk kam takuar asnjë Lindë dhe nuk do të takoj asnjë Lindë. Do t’ju sugjeroja në mënyrë të veçantë: mos e përdorni më këtë strategji për gratë e vendit tonë. Të jeni i sigurt se unë jam në këtë detyrë për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe për t’u garantuar se çdo qindarkë e taksave të tyre do të jetë në shërbim të shëndetit", tha Spahiu
Lajmi kryesor:
Interpelanca/ Spahia: Përse iku Sala? Opozita i ndërpret fjalën, ministrja Spahiu: Në 2027-ën sjell PET Scan-in ose jap dorëheqjen


