Kristjan Asllani duket se po bëhet një barrë për Interin. Mesfushori i kombëtares shqiptare u huazua këtë fillim sezoni te Torino, ndërsa në pesë muaj nuk e gjeti veten, për të kaluar më pas po në huazim te Besiktasi.

Turqi 24-vjeçari ka luajtur vetëm dhjetë takime dhe ka asistuar në një rast, ndërsa sipas 'Milliyet' Besiktasi nuk është i gatshëm të ofrojë 11 milionë euro për ta blerë përfundimisht kartonin e tij nga Interi.

Besiktasi nuk e ka në plan të shpenzojë një shifër të tillë për shqiptarin, i cili s’po i bind ashtu siç pritej, për më tepër që forma në rritje e Yılmaz po e bën më të lehtë që ekipi turk të tërhiqet sesa të insistojë për mesfushorin kuqezi.

Klubi turk është i hapur për të blerë futbollistin e kombëtares sonë për një shifër 5-6 milionë euro, asgjë më shumë se kaq. Kjo situatë sjell goditjen e radhës për Asllanin, i cili tek Interi nuk ka më shpresë dhe i duhet të shohë për një tjetër zgjidhje.