Besimtarët e krishterë në të gjithë botën kremtojnë Krishtlindjen. Qindra katolikë u mblodhën mbrëmjen e djeshme në Katedralen e 'Shën Palit' në Tiranë, ku morën pjesë në meshën që përkujton lindjen e Krishtit. Mesha u mbajt nga Arqipeshkvi Imzot George Frendo ku në fjalën e tij u përqëndruar te solidariteti që treguan shqiptarët për të prekurit pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit ndërsa nuk munguan as kritikat për të gjithë ata që po përfitojnë nga ky moment tragjedie.
Arqipeshkvi iu drejtua të gjithë atyre që po abuzojnë duke rritur çmimet e qirave për banesat nisur nga rritja e kërkesave dhe atyre që kanë ngritur çmimet për materialet e ndërtimit duke e cilësuar këtë si një mëkat të madh, që duan të përfitojnë dhe pasurohen nga kjo tragjedi. Kisha Katolike, në mesazhin e shpërndarë mbrëmë, u bënte thirrje besimtarëve që t’i përdorin këto festa për t’u gjendur më pranë njëri-tjetrit.
Edhe në Kishën Orthodokse, 'Ngjallja e Krishtit', në orët e para të kësaj të mërkure, u kremtua lindja e Krishtit. Kjo meshë, u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos. Në meshën e mbajtur, besimtarët ortodoksë janë lutur në emër të Krishtit për më shumë paqe në familjet e tyre dhe në botë.
VIDEO-Mesha në Kishën Orthodokse, 'Ngjallja e Krishtit'
Edhe këtë vit Korçës nuk i ka munguar shkëlqimi në këto festa. Qyteti i serenatave nën magjinë festive me traditën dhe kulinarinë e shumëllojshme ka qenë destinacioni i preferuar për shumë turistë. Qytetarë të shumë i janë drejtuar Korçës për të kaluar Krishtlindjen. 90 hotele dhe bujtina që operojnë në qytet nuk kanë asnjë dhomë të lirë.
“Vijmë nga Tirana, sot kemi ardhur për të festuar Krishtlindjen me një grup miqsh dhe me fëmijët tanë. Fëmijët e pëlqejnë shumë Korçën. Kemi qenë dhe vjet për Vitin e Ri. Ishte një ide për të festuar sepse këtu është shumë bukur”, tha një qytetare nga Tirana. “Këtë vit thamë të vijmë në Korçë për ndryshe, është hera e parë që vij në Korçë dhe është shumë bukur, më pëlqen atmosfera”, tha një tjetër vizitore.
“Mendoj që gjithmonë vetëm tradita korçare nuk ka ndryshuar, është i vetmi qytet që ngelet. 'Parisi i vogël'”, tha një qytetare nga Korça. Festimet nuk kanë munguar edhe në qarqe të tjera të vendit si Gjirokastër, Vlore, Fier dhe Berat. Besimtarë të shumë katolikë e ortodoksë janë lutur dhe kanë shkëmbyer mesazhe paqeje dhe dashurie me njëri-tjetrin.
Ashtu si në të gjithë Shqipërinë edhe në qytetin e Beratit, besimtarët ortodoks e katolikë, kanë festuar Krishtlindjet. Qindra besimtarë ortodoks i janë drejtuar mëngjesin e sotëm Katedrales "Shën Dhimitri" në qendër të qytetit,për të marrë pjesë në meshën e shenjtë. Liturgjia hyjnore me rastin e Krishtlindjeve filloi që në orët e para të mëngjesit dhe u drejtua nga Mitropoliti i Beratit,Vlorës e Kaninës, Imzot Ignanti.
Ceremonia e lutjes dhe lajmërimit të lindjes së Jezu Krishtit u ndoq nga qindra besimtarë ortodoks beratas,mes tyre shumë emigrantë të ardhur pranë familjeve për festat e fundvitit. Imzot Ignanti uroi gjatë meshës jo vetëm besimtarët ortodoks por të gjithë shqiptarët për njē vit me më shumë begati,dashuri e harmoni në çdo familje. Besimtarët beratas kanë uruar "Gëzuar Krishtlindjet" dhe kanë përcjellë për të gjitha familjet beratase mesazhin "për një vit sa më të begatë,me më shumë dashuri e respekt për njëri-tjetrin".
Pas përfundimit të meshës së shenjtë të Krishtlindjeve,besimtarët ndezën qirinj në flakët e pishtarit që simbolizon "lindjen e Krishtit". Sipas traditës së festës,besimtarët i marrin qirinjtë e ndezur në shtëpi,si një dritë shprese për një vit më të mbarë.
Arkimandrit Kozma Prifti në një reagim për Report Tv ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë në ktë ditë të shënuar për ta.
Ai ka thënë se me anë të besimit në Zot mund të përballojmë vështirësitë që na sjell jeta. Kështu ai ka kujtuar dëmet e tërmetit të 26 nëntorit ku ka thënë se shqiptarët treguan edhe një herë se janë një popull i bashkuar.
"Kjo është një festë madhështore për të gjithë besimtarët e krishterë. Është festë shprese e inkurajimi. Vendi ynë kaloi një sprovë të rëndë me tërmetin. Por Zoti na jep shpresën që të besojmë tek ai që të përballojmë të gjitha sfidat që kemi në jetën e përditshme. Të kenë shpresën e tyre. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë të afruar me Zotin dhe me njëri tjetrin në këto momente shohim më së miri bashkimin në kushtet më të vështira." tha Kozma Prifti.
"Tavolina e krishtlindje është sot, ku mblidhemi të gjithë. Mbushim tavolinën me mish qengji ëmbëlsira etj. " tha një besimtare.
Arqipeshkvi i dioqezës së Shkodrës, imzot Angelo Massafra, ka bërë thirrje që të gjithë duhet të angazhohen që të rimëkëmbin një Shqipëri më të mirë. Sipas Massafrës në Shqipëri shumë e kanë humbur shpresën por duhet të luftojmë këtë fenomen dhe të punojmë që të rinjtë të mos largohen më. Ai është ndalur edhe tek të prekurit nga tërmeti që këto festa do t'i kalojnë në hotele apo në çadra duke thënë se duhet të solidarizohemi të gjithë me ta.
"Të kemi parasysh ata që kanë pësuar tërmetin. Zoti i pastë në Parajsë viktimat. Duhet të jemi solidar me ata që kanë probleme e që vuajnë" tha Imzot Angelo Massafra
"Kemi nevojë për një dritë të na ndriçojë rrugën e ecjes tonë që na jep shpresë. Veçanërisht në këtë kohë ku pjesa më e madhe e shqiptarëve kanë humbur shpresën. shumë nga të rinjtë po braktisin Shqipërinë. Me inatin ndaj atdheut, kjo nuk është e drejtë. duhet të angazhohemi të gjithë për të rimëkëmbur Shqipërinë, kjo është e mundur. Zoti kërkon prej secilit. Duhet të dëshmojmë Krishtin, ta tejçojmë në familje. Në sa familje ka dhunë.. si është e mundur që burrat rrahin ende gratë? Kjo nuk është e drejtë. Duhet të angazhohemi që dritën ta çojmë në shtëpinë tonë. Të tejkalojmë egoizmin. Cdo mirësi, një buzëqeshje, një dorë. Duhet të ndalojmë vetën tonë nga hakmarrja inati e nga shpifja...kjo është rruga për një ecje të të mirë. Është e mundur që të kemi një Shqipëri më të mirë më të bukur. " tha më pas Imzot Massafra.
Festa e Krishtlindjeve është kremtuar edhe në qytetin e Fierit. Besimtarë ortodoksë, katolikë si dhe figura të politikës, mes tyre drejtues të pushtetit lokal dhe kreu i PD, Fier Luan Baçi janë bërë bashkë në Kishën e Shën Gjergjit në Fier me festë të metropolitit të Apolonisë dhe Fierit, Imzot Nikolla.
Edhe në qytetin e Gjirokastrës mëngjesin e sotëm, qindra besimtarë të krishterë kanë marrë pjesë në meshën e Krishtlindjeve. Mesha është organizuar në Katedralen Ortodokse në Gjirokastër. Besimtarë të shumtë kanë bërë lutjet fetare për më shumë paqe në familjet e tyre dhe në botë.
Brenda 24 orëve, në Kapshticë kanë hyrë 8260 dhe kanë dalë 2674 shtetas të huaj dhe shqiptarë. Gazetarja e Report Tv, Gladiola Hoxha bën me dije se për të shmangur fluksin, aktualisht në hyrje, po punohet me 4 sportele. Ky fluks udhëtarësh ka ardhur për shkak të kthimit të emigrantëve për festat e fundvitit.
Krishtlindja është kremtuar edhe në qytetin e Lezhës ku qindra besimtare të krishtere ju drejtuan mbrëmjen e kaluar katedrales së "Shen Nikollit" për të pritur lindjen e Krishtit. Mesha e shenjte u udhëhoq nga ipeshkvi i Lezhës Otavio Vitale i cili gjatë fjalës së tij përpara besimtareve tha se tërmeti i 26 nëntorit zbuloi Shqipërinë e vërtete të varfërisë dhe korrupsionit. Sipas tij abuzimi me ndërtimet solli kaq viktima, pasi në këtë vend mbizotëron korrupsioni dhe paligjshmëria.
"Është detyra e njeriut veçanërisht e atyre që kanë përgjegjësi publike të kujdesen për të në të gjithë përmasën e tij. Këto fjalë marrin peshe të veçantë veçanërisht pas asaj që ndodhi për shkak të tërmetit që solli vdekje dhe shkatërrim. Një tërmet që ka zbuluar Shqipërinë e vërtete të varfërisë dhe korrupsionit sepse kaq shumë vdekje dhe shkatërrim nuk do të kishte nëse ndërtesat e shembura do të ishin ndërtuar, duke ndjekur parametrat e sigurisë. Këtu mbizotëron interesi personal, korrupsioni dhe sjellja e paligjshme që rrezikon jetën e njerëzve. Shpresoj që kjo Krishtlindje të zgjoje ndërgjegjjen e popullit shqiptar dhe mbi të gjitha të kërkojnë falje ato që shkaktojnë këto fatkeqësi sepse janë të korruptuar dhe nuk interesohen për të mirën e njerëzve" tha Vitale.
Mesha e Krishtlindjes u mbyll rreth rreth mesnatës, ndërsa besimtarët u shpërndanë duke uruar njëri-tjetrit për më shumë paqe e dashuri. I gjithë rituali fetar u monitorua nga forcat e policisë, të cilët u vendosen në rrugën pranë katedrales.
Mëngjesin e sotëm në kishën ortodokse, 'Ngjallja e Krishtit' në Tiranë, po mbahet mesha e Krishtlindjes. Besimtarët po luten për më shumë drejtësi e paqe në botë. Mesha po drejtohet nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos.
Kush do kish xhami e baba mondë te shkoj tu puth doren mjekres.
PërgjigjuNuk na duhet asgje nga keto te paktën në media. Mediat nuk kanë pune te permendin festat fetare ! Vendi eshte laik dhe jo fetar. Feja eshte personale Pra në kontekstin personal une nuk dua qe kur të shfletoj gazeten te shikoj artikuj fetarë! Rrespektoni lirinë e tjetrit!
PërgjigjuKur do vij dita si shqipnija do kete priftat shqiptar. Njeni grek e tjetri italjan
Përgjigju