Sakrifica dhe lutjet përgjatë një muaji të tërë kanë kulmuar sot me festën e Bajramit për besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në të gjithë botën. 30 ditët e Ramazanit që konsistojnë në agjërim, dedikim, solidaritet dhe pastrim shpirtëror kanë përfunduar duke arritur në festën më të rëndësishme të kalendarit të islamit.

Sheshi 'Skënderbej' i ka mirëpritur mijëra prej besimtarëve për të kryer faljen e madhe.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ndau edhe urimin e tij në përfundim të muajit të shenjtë. Ai e ka fokusuar urimin e tij te luftërat duke u shprehur se lutjet janë për të gjithë ata që vuajnë, fëmijët që rriten mes frikës dhe popujt që duan paqe e drejtësi.

Spahia tha se feja islame predikon paqen e mëshirën për të gjithë besimtarët. Ai shtoi se është përgjegjësi e shoqërisë të kultivojnë këto vlera në çdo kohë e vend.

"Konfliktet, luftërat dhe padrejtësitë vazhdojnë të marrin jetë njerëzish të pafajshëm ka familje së sot nuk e ndjejnë gëzimin e kësaj lutjeje, e kësaj dite por dhimbjen e humbjes dhe pasigurinë e së nesërmes. Ne këtë ditë të bekuar lutjet tona shkojnë për të gjithë ata që vuajnë, për fëmijët që rriten mes frikës dhe zhurmës së luftës, për nënat që presin me ankth një lajm për bijtë e tyre dhe për popujt që kërkojnë paqe dhe drejtësi.

Mesazhi i fesë islame është i qartë: islami është fe e paqes e mëshirës dhe e drejtësisë dhe solidaritetit. Allahu në kuran e përshkruan të dërguarin e tij mëshirë për botën për tërë botën dhe nuk ka diçka tjetër ndryshe përveç kësaj. Kjo do të thotë se besimtari është thirrur të jetë burim paqeje mëshire dhe drejtësie kudo. Sot, aty ku ndodhet bota  kanë nevojë për më shumë drejtësi për më shumë mirëkuptim dhe për më shumë paqe dhe vëllazëri njerëzore dhe kjo paqe fillon nga zemra e njeriut nga familja nga komuniteti ku ne jetojmë ajo ndërtohet me respekt dhe me kujdes për njëri-tjetrin. Ne si shoqëri kemi përgjegjësinë të kultivojnë këto vlera shumë të rëndësishme të patjetërsueshme në të gjitha kohërat dhe vendet", tha ai.

Falja është zhvilluar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë si Durrës, Fier, Lushnje, Pukë, Gjirokastër, Kukës, Vlorë etj.

Pas faljes, besimtarët takojnë të dashurit e tyre, dhurojnë sadakanë ose kontributin për nevojtarët dhe më pas mblidhen për drekën me familjarët.

Fitër Bajrami shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, por njëkohësisht sjell edhe mesazhin se sakrifica, durimi dhe besimi mbeten vlera që duhet të shoqërojnë jetën e përditshme të çdo besimtari.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:01
‘Prindërit s’janë barrë, por bekim’, thirrja e zv/myftiut të Shkodrës në Fitër Bajram: Po shohim përpjekje për të ndryshuar familjen

Në mesazhin e tij në festën e Fitër Bajramit, zv/myftiu i Shkodrës, Arben Halluni, e vuri theksin tek dashuria ndaj prindërve. Ai tha se sot po ndodh një fenomen i dhimbshëm, ku prindërit po dërgohen në azile.

“Sot duhet të jemi pranë tyre. Le të mos i shohim prindërit si barrë, por si bekim. Sa janë gjallë mbajini pranë zemrës dhe shtëpisë tuaj”, u shpreh Halluni.

Më tej, Halluni theksoi se sot po shohim përpjekje për të ndryshuar natyrën e familjes, ku fjalët nënë dhe babë të zëvendësohen me shprehje si prindi 1 dhe prindi 2. Halluni shtoi se familja nuk është formulë administrative.

Falja e namazit të Fitër Bajramit u organizua në sheshin pranë xhamisë “Ebu Bekër” në qytetin e Shkodrës.

Ora 09:52
Fitër Bajrami në Berat, besimtarët organizojnë panair ëmbëlsirash për bamirësi

Pas një muaji sakrifice, nëpërmjet agjërimit, besimtarët myslimanë beratas janë mbledhur mëngjesin e sotëm në pedonalen "Republika" të qytetit, ku kanë kryer ritet e faljes së Fitër Bajramit. Ata u falën për mirësi, shëndet, paqe e dashuri në familjet e tyre.

Falja dhe ritet e festës janë kryer nga Myftiu i Beratit, Bilbil Tallai, i cili ka theksuar se sakrifica e çdo besimtari në 30 ditët e agjërimit është një sakrificë sublime që do të shpërblehet nga Zoti me më shumë begati e shëndet. Ai bëri thirrje për më shumë dashuri, solidaritet dhe mirëkuptim mes njerëzve, ndërsa mesazhet erdhën edhe nga besimtarët.

Pas përfundimit të ceremonisë, ata iu drejtuan panairit të ëmbëlsirave, të përgatitura prej tyre, ku të ardhurat do të shkojnë për qëllime bamirësie.

Festa vijon pas faljes në çdo familje beratase me drekat familjare, si shpërblim për sakrificën e besimtarëve nëpërmjet agjërimit gjatë 30 ditëve të Ramazanit, ndërkohë që deri në mesditë vijojnë vizitat e urimit në ambientet e Myftinisë së Beratit.

Ora 09:42
Falja e namazit të Fitër Bajramit në Elbasan, në fokus solidariteti e ndihma për nevojtarët

Edhe në qytetin e Elbasanit besimtarët myslimanë falën namazin e Fitër Bajramit, ceremoni e cila u mbajt në sheshin “Gensher”. Qytetarë të grupmoshave të ndryshme, mes tyre dhe fëmijë morën pjesë në falje e cila drejtohej nga myftiu Agim Duka. Fitër Bajrami kremtohet pas një muaji agjërimi dhe sakrifice.

Në fjalën e tij, myftiu i Elbasanit Agim Duka, uroi besimtarët, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës për ata në nevojë. Duka shprehu lutje për paqe në zonat e konflikteve.

Ndërkohë edhe qytetarët përcollën urimet e tyre mes njëri-tjetrit. Festimet vijojnë në tryezën familjare ku amvisat janë kujdesur të gatuajnë ushqime dhe ëmbësira të shumëllojshme. Në një ditë si kjo bëhet sadaka për më të varfrit.

Ora 09:36
Mbyllja e muajit të Ramazanit, dhjetëra besimtarë në Lezhë kremtojnë Fitër Bajramin

Pas 30 ditësh agjërim të muajit të Ramazanit, besimtarët në Lezhë kremtuan festën e Fitër Bajramit. Falja e namazit u bë në xhaminë e qytetit ku ritualit fetar iu bashkuan dhjetëra besimtarë. Teksa foli për rëndësinë e Fitër Bajramit, Myftiu i Lezhës, Sadetin Kotrri, tha se kjo është një ditë gëzimi për të gjithë besimtarët.

Pas faljes së namazit të Fitër Bajramit, besimtarët myslimanë të Lezhës iu drejtuan shtëpive të tyre për kremtimin e kësaj feste që vijon me drekën në familje dhe me vizita tek njëri-tjetri.

Ora 09:32
Lufta në Lindjen e Mesme në lutjet e besimtarëve të Gjirokastrës, shpërndahen ëmbëlsira për festimet e Fitër Bajramit

Besimtarët myslimanë në Gjirokastër kanë kremtuar ditën e Fitër Bajramit. Mëngjesin e sotëm në mjediset e Pallatit të Sportit u zhvillua falja e kësaj dite të shenjtë. Faljen e namazit e ka drejtuar myftiu i Gjirokastrës, Ermin Gjana.

Besimtarët janë lutur për më shumë paqe dhe harmoni. Pjesë e lutjes së Fitër Bajramit ishte edhe situata aktuale në botë dhe veçanërisht në Lindjen e Mesme.

Më pas për besimtarët janë shpërndarë ëmbëlsirat e festës. Pjesë e festimeve të ditës së Fitër Bajramit në Gjirokastër është edhe pritja e organizuar nga myftinia si dhe vizitat e besimtarëve në familjet e njeri-tjetrit.

Ora 09:27
Besimtarët e Dibrës falin namazin e Fitër Bajramit

Në Dibër, besimtarët myslimanë kanë kremtuar sot festën e Fitër Bajramit, që shënon përfundimin e muajit të bekuar të Ramazanit.

Që në orët e para të mëngjesit, qytetarët janë mbledhur për të kryer faljen e namazit, e cila këtë vit është zhvilluar në ambientet e Pallatit të Sportit Bashkim Lala, në orën 06:30.

Atmosfera festive ka përfshirë pothuajse të gjithë qytetin, ku pas faljes së namazit, besimtarët kanë shkëmbyer edhe urime për paqe, harmoni dhe begati. Kjo festë simbolizon solidaritetin, mëshirën dhe ndihmën ndaj njëri-tjetrit, vlera që marrin një rëndësi të veçantë në jetën e përditshme të komunitetit.

Autoritetet lokale kanë marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të faljes.

Fitër Bajrami mbetet një nga festat më të rëndësishme për besimtarët myslimanë, duke bashkuar familjet dhe komunitetin në një ditë gëzimi dhe reflektimi.

Ora 09:15
Me dhurata të vogla dhe një festë nga fëmijët, atmosfera festive në Pogradec për Fitër Bajram

Në Pogradec, besimtarët myslimanë u mblodhën në Xhamia Ebu Bekër për të falur namazin e festës së Fitër Bajramit, në një atmosferë të veçantë dhe plot gjallëri.

Përveç besimtarëve të rritur, të pranishëm ishin edhe shumë fëmijë, të cilët i dhanë edhe më shumë ngrohtësi kësaj dite festive. Ata u gëzuan veçanërisht nga shpërndarja e disa dhuratave simbolike, duke sjellë buzëqeshje dhe emocion në ambientet e xhamisë.

Pas faljes, u zhvillua edhe një aktivitet i vogël me recitime, ku fëmijët interpretuan me përkushtim, duke krijuar një atmosferë edhe më të gjallë dhe festive.

Ora 09:10
Korça feston Fitër Bajramin me fishekzjarre

Pas muajit të shenjtë të Ramazanit besimtarët myslimanë në Korçë mëngjesin e kësaj të premte u mblodhën për të falur namazin e festës së shenjtë të Fitër Bajramit. Ceremonia ka nisur rreth orës 06:30 në sheshin e xhamisë Iljaz Bej Mirahori.

Riti i faljes së Fitër Bajramit u drejtua nga myftiu, Ledian Cikalleshi, i cili në këtë ditë të shenjtë uroi të gjithë besimtarët. Gjithashtu edhe këta të fundit uruan njëri-tjetrin për sa më shumë mbarësi, begati në familjet e tyre.

Njëkohësisht, nuk munguan as fishekzjarret për të kremtuar këtë ditë të rëndësishme.

Ora 08:57
Xhamitë e Kukësit presin besimtarët për faljen e namazit të Fitër Bajramit, myftiu mesazh për reflektim, falje e afrim

Pas një muaji agjërimi, përkushtimi dhe sakrificash, besimtarët myslimanë kremtojnë këtë të premte festën e shenjtë të Fitër Bajramit.

Një nga festat më të rëndësishme të besimit islam, Fitër Bajrami vjen si simbol i mirënjohjes, pastërtisë shpirtërore dhe shpërblimit pas muajit të shenjtë të Ramazanit.

Që në orët e para të mëngjesit, besimtarët u mblodhën në të gjitha xhamitë e Kukësit, ku morën pjesë në faljen e madhe të Fitër Bajramit, në një atmosferë të mbushur me devotshmëri, paqe dhe gëzim.

Në këtë ditë të shënuar, besimtarët përcollën urimet e tyre për më shumë shëndet, harmoni dhe begati në familjet shqiptare.

Ndërkohë, myftiu i Kukësit, Emirjon Vataj, në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, theksoi rëndësinë e kësaj feste si një moment reflektimi, faljeje dhe afrimi mes njerëzve.

Ora 08:42
Pamjet spektakolare me dron/ Nën të njëjtin qiell, mijëra zemra bashkohen njëzëri në lutje për Fitër Bajramin

Nga cepi në cep të sheshit “Skënderbej” në Tiranë apo në rrugët që të çojnë drejt tij, besimtarët myslimanë u mblodhën mëngjesin e herët të së premtes për të falur namazin.

Pamjet me dron të Report Tv tregojnë këtë moment solemn që përmbyll agjërimin e muajit të Ramazanit me lutje të cilat u bashkuan njëzëri duke kërkuar paqen ndërsa bota është përfshirë nga luftërat.

Ora 07:54
Fitër Bajrami në Durrës, qindra besimtarë bashkohen në shesh për faljen e namazit

Pas një muaji përkushtimi, sakrifice dhe adhurimi ndaj Zotit përmes agjërimit gjatë Ramazanit, besimtarët myslimanë në mbarë botën kremtojnë sot, 20 mars, festën e shenjtë të Fitër Bajramit ose siç njihet ndryshe, Bajramin e Madh.

Për herë të parë, këtë vit, besimtarët myslimanë në Durrës, për shkak të numrit të lartë gjithnjë e në rritje vit pas viti, e kryen ritualin e faljes edhe në sheshin “Liria”. Falja e Fitër Bajramit është më masive sesa falja e Kurban Bajramit, sepse njerëzit janë më të përfshirë në agjërim dhe më të përfshirë për të marrë pjesë në atmosferën e faljes së Bajramit. E për këtë arsye, u vu në dispozicion edhe sheshi përpara bashkisë.

Kjo ditë e veçantë simbolizon mëshirën, faljen dhe solidaritetin njerëzor, ku besimtarët ndajnë lëmoshë dhe kujdesen për ata në nevojë, në mënyrë që gëzimi i festës të jetë për të gjithë.

Pas faljes, besimtarët kthehen në familjet e tyre për të vijuar me ritualet e festës, që përfshijnë urimet, vizitat tek të afërmit dhe shtrimin e drekës së Bajramit, ku nuk mungojnë gatimet tradicionale dhe ëmbëlsirat festive.

Ora 07:52
Të huajt në Vlorë urojnë paqe dhe begati në Fitër Bajram

Krahas qindra besimtarëve vendas, në faljen e namazit të Fitër Bajramit në Vlorë kanë marrë pjesë edhe shumë qytetarë të huaj, të cilët jetojnë dhe punojnë në këtë qytet.

Të ardhur nga vende si Egjipti, Bangladeshi dhe shtete të tjera, ata kanë përcjellë mesazhe të forta paqeje, harmonie dhe begatie për të gjithë botën në këtë ditë të shenjtë. Në prononcimet e tyre, ata theksuan rëndësinë e bashkëjetesës, respektit dhe solidaritetit mes njerëzve, pavarësisht kombësisë apo besimit.

Të huajt u shprehën të lumtur që festojnë këtë ditë në Vlorë, duke vlerësuar mikpritjen dhe atmosferën e ngrohtë që gjejnë në qytet.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm morën pjesë edhe përfaqësues dhe personalitete të Myftinisë së Vlorës, të cilët përcollën urimet e tyre për besimtarët dhe apeluan për më shumë mirëkuptim, ndihmë ndaj atyre në nevojë dhe ruajtje të vlerave njerëzore.

Fitër Bajrami bashkoi kështu besimtarë vendas dhe të huaj në një mesazh të përbashkët: më shumë paqe, dashuri dhe shpresë për një të ardhme më të mirë.

Ora 07:45
Qindra besimtarë falin namazin e Fitër Bajramit në Vlorë

Qindra besimtarë vlonjatë, por edhe të huaj, janë mbledhur mëngjesin e sotëm pranë Pallatit të Sportit në Vlorë për të falur namazin e Fitër Bajramit. Pas një muaji sakrifice, agjërimi dhe lutjesh gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët kanë festuar këtë ditë të rëndësishme.

Në këtë ceremoni është vënë re edhe pjesëmarrja e lartë e grave dhe të rinjve, të cilët i janë bashkuar faljes në një atmosferë përkushtimi dhe solidariteti.

Ceremonia ka nisur me leximin e Kuranit nga hoxha turk Ismail Çakexhe, për t’u vijuar më pas me faljen e namazit.

Në fjalën e tij, myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhallari, ka uruar të gjithë besimtarët për këtë festë të madhe, duke theksuar rëndësinë e paqes, begatisë dhe solidaritetit në këto kohë të vështira. Ai u bëri thirrje besimtarëve të tregojnë më shumë sinqeritet, të ndihmojnë ata në nevojë dhe të mos harrojnë vlerat e sakrificës dhe humanizmit.

Ora 07:26
Besimtarët e Pukës falin namazin e Fitër Bajramit, luten për fundin e luftërave

Edhe besimtarët myslimanë të Pukës pas përfundimit të periudhës së agjërimit iu drejtuan  xhamive të zonës.

Ceremonia kryesore e faljes së Fitër Bajramit u bë në xhaminë e Kodër Hanit. Falja u drejtua nga myftiu, Gëzim Kopani i cili u ndal tek rëndësia e veprave të mira që duhet vazhduar nga besimtarët ashtu sikurse dhe gjatë muajit të Ramazanit.

Edhe në Pukë besimtarët u lutën për ndalimin e luftërave, për paqe dhe mirësi.

Ora 07:15
Mesazhe bashkimi e vëllazërimi, besimtarët e Lushnjes falin namazin e Fitër Bajramit

Sheshi kryesor i qytetit të Lushnjes shërbeu këtë mëngjes për faljen e namazit të Fitër Bajramit për besimtarët myslimanë.

Mbyllja e muajit të madhërishëm të Ramazanit ka sjellë në shesh për faljen e namazit të Fitër Bajramit qindra besimtarë.

Faljen e namazit e mbajti Alban Puka, hoxhë i xhamisë Lushnje.

Në fjalën e tij përshëndetëse, myftiu i Lushnjes Gramoz Blliku u përcolli mesazhe bashkimi e vëllazërimi besimtarëve në shesh.

Ora 07:08
Ceremonia e Fitër Bajramit në Fier, myftiu fton besimtarët të kontribuojnë për një shoqëri më të paqtë

Që në orët e para të mëngjesit edhe besimtarët në Fier kanë falur namazin në sheshin qendror të qytetit ndërsa krerët myslimanë të myftinisë kanë përcjellë urimet për paqe e harmoni mes njerëzve. Ceremonia e faljes së Fitër Bajramit filloi në orën 06:30 ku dhjetëra besimtarë të grupmoshave të ndryshme kryen ritet e faljes së madhe, ndërsa kanë shkëmbyer mesazhe paqeje mes njëri-tjetrit.

Në ligjëratën e tij, myftiu Mikel Hazizolli ka uruar e përshëndetur gjithë besimtarët myslimanë duke i ftuar të kontribuojnë shumë më tepër për të ndërtuar një shoqëri sa më dinjitoze, sa më të paqtë, sa më solidare.

Falja e Fitër Bajramit vijon më pas në çdo familje fierake besimtarësh me drekat familjare, si shpërblim për sakrificën nëpërmjet agjërimit gjatë 30 ditëve të Ramazanit.

P.J/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • five company: 20/03/2026 16:46

    Uroj gjithe besimtaret muslimane, " Gezuar Fiter Bajramin"! Nuk do shkruaj referat ose hartim, nuk deshiroj t'ju lodh! Uroj per familjen time dhe personalisht qe ky te jete viti i fundit pas 15 viteve " sakrifice dhe devotshmeri" per te kundertin e pasqyrimit reflektiv historik....Uroj per familjen time, dhe per veten time personalisht qe pasiguria dhe ankthi i se nesermes te mbaroj. Ju sakrifikuat 1 muaj, Uroj qe " Allahu tu fali gjynahet!!!"

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 20 Mars, 13:11

    Qeveria rikthen Bordin për naftën, a besoni se do mbahen çmimet nën kontroll?