Ajo ishte gruaja e parë me origjinë nga Afrika e Veriut dhe prejardhje myslimane që mori një post të lartë qeveritar në Francë. Sot, Rachida Dati kërkon postin e kryetares së Bashkisë së Parisit, duke sfiduar të majtën që ka drejtuar kryeqytetin francez për 25 vite rresht.
“Dua të rikthej autoritetin,” deklaroi Dati për Le Figaro, duke premtuar një qasje të fortë ndaj rendit dhe sigurisë, përfshirë armatosjen e policisë bashkiake. Kundërshtarët e saj e cilësojnë si një të djathtë të rrezikshme, që do ta kthente Parisin në një “laborator trumpist”.
Zgjedhjet bashkiake të marsit janë shndërruar në një betejë të ashpër politike për një nga qytetet më të dendura të Europës, që përballet me krizë strehimi, temperatura ekstreme në verë dhe sfida të forta klimatike.
Duke kandiduar për partinë e djathtë Les Républicains, Dati, 60 vjeç, premton më shumë polici, kamera sigurie, ndryshim të kritereve për banesat sociale në favor të punëtorëve vendas, ulje të borxhit dhe privatizimin e mbledhjes së mbeturinave. Ajo ka thënë se nuk do ta zhbëjë projektin e shndërrimit të brigjeve të Senës në zona pa makina, por se do t’i rinovojë ato.
Mbështetësit e saj thonë se ajo përfaqëson një histori suksesi personal. “Ajo tregon se mund t’ia dalësh edhe pa lindur me lugë argjendi,” tha Sophie, 55 vjeçe, teksa shpërndante fletushka të fushatës në qendër të Parisit.
Kryetarja aktuale e Bashkisë, Anne Hidalgo, nuk kandidon për një mandat të tretë. Frika nga fitorja e Dati ka bashkuar socialistët, të gjelbrit dhe komunistët që nga raundi i parë. Kandidati i tyre i përbashkët është Emmanuel Gregoire, i cili premton më shumë banesa sociale dhe mbrojtjen e trashëgimisë mjedisore të së majtës.
Por edhe Dati ka një barrë të rëndë: në shtator ajo pritet të dalë në gjyq në Paris, e akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre lidhur me lobim për grupin Renault-Nissan gjatë kohës që ishte eurodeputete. Ajo i ka mohuar të gjitha akuzat.
Analistët thonë se gara është shumë e ngushtë. “Forca e Dati është se e njeh të gjithë Parisi, por dobësia e saj është se ajo polarizon më shumë se rivali kryesor,” thotë Sylvain Maillard, deputet centrist i përfshirë në fushatën e saj.
Dati e lidh profilin e saj politik me historinë personale. Ajo është rritur si fëmija i dytë në një familje me 11 fëmijë, në banesa sociale në Burgonjë, me prindër analfabetë. Që në moshë të re ka punuar, ka shitur produkte derë më derë dhe thotë se ka shpëtuar nga një martesë e rregulluar.
Ajo u bë ministre e Drejtësisë në vitin 2007, nën drejtimin e Nicolas Sarkozy, duke thyer, siç tha vetë, “jo një tavan xhami, por një prej hekuri”.
Në garë janë edhe kandidatë të tjerë që mund t’i marrin vota, përfshirë figura nga e djathta ekstreme dhe qendra, duke e bërë rezultatin edhe më të paparashikueshëm.
Megjithatë, një ndryshim i fundit në sistemin e votimit, që lejon një votë më të drejtpërdrejtë për kryebashkiakun, mund ta ndihmojë Dati të rikthehet fuqishëm në garë.
“Jam lodhur duke jetuar në një Disneyland për turistët,” tha 59 vjeçarja Frederique, një nga votueset që mbështet Datin, duke përmendur qiratë e larta dhe largimin e familjeve nga qyteti.
Zgjedhjet në Paris pritet të pasqyrojnë edhe tensionet e politikës kombëtare franceze, ndërsa beteja për kryeqytetin mbetet e hapur dhe pa favorit të qartë.
Komente







