Situata në Minneapolis është tensionuar ndjeshëm pas operacioneve të zgjeruara të agjentëve të Zyrës Ligjzbatuese të Emigracionit dhe Doganave (ICE(, në qytet. Në një kohë kur policia lokale ka rreth 600 efektivë, në qytet ndodhen 3,000 agjentë federalë,prania e të cilëve ka sjellë përplasje të forta me qytetarët. 

Të enjten në mbrëmje, u shënua një tjetër episod dhune kur një agjent i ICE qëlloi në këmbë një emigrant venezuelian, Julio Cesar Sosa-Celis, i cili ndodhej ilegalisht në Shtetet e Bashkuara dhe, sipas autoriteteve federale, kishte kundërshtuar arrestimin. Dy persona të tjerë ndërhynë për ta ndihmuar dhe sulmuan agjentin me një badile dhe një manikë shkalle.

Ngjarja tërhoqi rreth 200 persona, që u përplasën me agjentët federalë. U përdor gaz lotsjellës dhe u raportuan akte vandalizmi ndaj automjeteve federale.

Pas këtij episodi, presidenti Donald Trump deklaroi se është gati të thërrasë në fuqi Insurrection Act, ligji i vitit 1807 që i lejon presidentit të dislokojë ushtrinë brenda vendit për të shtypur kryengritje ose trazira. Ai paralajmëroi se do ta bëjë këtë nëse autoritetet e Minnesotës, sipas tij, nuk ndalin protestat dhe nuk mbështesin veprimet e ICE.

Tensioni në Minneapolis nisi të përshkallëzohej pas vrasjes së Renee Good. Qeveria federale reagoi menjëherë duke e cilësuar agjentin e përfshirë si “hero”, ndërsa gruan e vrarë si “terroriste të brendshme”.

Pas kësaj ngjarjeje, prania e agjentëve federalë në qytet u shtua ndjeshëm. Autoritetet lokale e përshkruajnë situatën si një “pushtim të mirëfilltë”, duke theksuar se ndalimet po kryhen në mënyrë të gjerë dhe të pakontrolluar, duke shënjestruar edhe qytetarë të ligjshëm amerikanë, në hapësira publike si supermarkete, stacione autobusi dhe pranë shkollave.

Kryetari i bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey, ka deklaruar se qyteti ndodhet përballë një situate të papërballueshme, ku qeveria federale dhe ajo lokale veprojnë kundër njëra-tjetrës. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin përplasjet dhe të mos reagojnë me dhunë.

Edhe guvernatori i Minnesotës, Tim Ëalz, u ka kërkuar protestuesve të qëndrojnë të qetë, duke thënë se përshkallëzimi i dhunës i shërben vetëm përplasjes politike.

Nga ana tjetër, sekretarja e Sigurisë së Brendshme, Kristi Noem, ka deklaruar se operacionet e ICE janë ligjore dhe të fokusuara, edhe pse ka pranuar se polemikat lidhen me mënyrën si po zbatohen në terren.