Niveli i lumit Seman ka shënuar rënie gjatë mëngjesit të sotëm në zonën e Mbrostarit, në Fier, duke sjellë një përmirësim të situatës pas përmbytjeve të një dite më parë.

Burime për Report TV bëjnë me dije se megjithatë, gjurmët e daljes së ujit nga shtrati janë ende të dukshme, si në tokat bujqësore ashtu edhe në zonat pranë banesave.

Fermerët e prekur nga kjo përmbytje kanë nisur pastrimin e stallave të bagëtive të tyre, duke u përballur me pasojat që la pas vërshimi i lumit. Baltë, mbetje dhe dëmtime në kultura bujqësore mbeten problematika kryesore të evidentuara në terren.

Autoritetet vendore vijojnë monitorimin e situatës dhe pritet të realizohet vlerësimi i plotë i dëmeve, në mënyrë që të përcaktohen masat e nevojshme për mbështetjen e fermerëve të prekur. Situata paraqitet më e qetë krahasuar me ditën e djeshme, por mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm.


Lajmi kryesor:

Çahet argjinatura e Semanit, 3500 hektarë tokë e mbi 20 banesa nën ujë! Pamjet me dron nga përmbytjet në Fier! Përmirësohet situata në Durrës, vijon verifikimi i dëmeve