/ATSH/.- Statistikat zyrtare nga Klinika e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) flasin për ulje të konsiderueshme të vdekshmërisë foshnjore.
Sipas KosovaPress, zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës bëri të ditur se edhe pse shpeshherë është raportuar për rritje të vdekshmërisë së foshnjave të porsalindura, statistikat flasin për të kundërtën.

Përmes një njoftimi për media, kjo zyrë thotë se në vitin 2000 vdekshmëria e foshnjave në Njësinë e Neonatologjisë ka qenë 31 foshnje për çdo 1000 të porsalindur.
Ndërsa, përgjatë këtyre viteve ka përsëri rënie graduale të kësaj vdekshmërie.

"Këtë vit për herë të parë në historinë e Klinikës së Neonatologjisë, vdekshmëria neonatale shënon shifrën prej 9 foshnje për 1000 të porsalindur, që afërsisht është në të njëjtin nivel me shtetet e rajonit. Krahasuar me vitin vitin 2014, kanë qenë 65 vdekje më pak për të njëjtin numër të fëmijëve që kanë lindur të gjallë", thuhet në njoftimin për shtyp.
Në njoftim thuhet po ashtu se në uljen e vdekshmërisë foshnjore ka ndikuar përkushtimi i stafit për përmirësimin e cilësisë së kujdesit të ofruar, edukimi i vazhdueshëm profesional, përpilimi i protokolleve të punës në nivel të Klinikës, furnizimi më i mirë i Klinikës me pajisje mjekësore dhe material shpenzues, donacioni i Surfaktantit për vite me radhë, i cili ka ndikuar në rritjen e mbijetesës së foshnjave të lindura para kohe si dhe donacionet e tjera.