Gjithë kjo situatë precipitoi në favor të opozitës së atëhershme me pranimin e ftesës së Ramës nga ana e Ilir Metës për të dalë nga koalicioni qeverisës me Berishën e për të hyrë në aleancën e madhe të majtë, pikërisht më 1 prill të këtij viti. Që solli dhe riformatimin e qeverisjes së vjetër dhe konturimin e koalicionit të madh të majtë. Marrëveshja u nënshkrua disa ditë më vonë në Shkodër, nën monitorimin e të majtëve evropianë, që punuan shumë për të bërë bashkë Ramën me Metën. Me këtë garanci të fortë në dorë, madje dhe pasi kishte tërhequr më vonë anëtarët e KQZ përfaqësues të opozitës duke e lënë KQZ me 4 anëtarë pa fuqinë ligjore të marrjes së vendimeve të rëndësishme, koalicioni i majtë hyri në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, duke shënuar një fitore të jashtëzakonshme, plot 83 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.
Pavarësisht të gjitha përplasjeve gjatë fushatës, mungesës së anëtarëve në KQZ, por dhe me një Kolegj Zgjedhor tërësisht në shërbim të Berishës, e majta e bashkuar ia doli për të fituar zgjedhjet në mënyrë plebishitare për të kaluar Berishën dhe aleatët e saj, pas tetë vitesh në opozitë. Nga ana tjetër u deshën vetëm pak ditë për të formatuar kabinetin e ri qeveritar, ku më 31 korrik kryeministri i mandatuar Edi Rama bëri publik 19 emrat e ministrave të rinj, me të cilëve 5 ministra të LSI, dhe 14 të PS. Si asnjëherë tjetër në përbërjen e kabinetit qeveritar kanë qënë gjashtë femra, mes të cilave dhe Ministrja e Mbrojtjes, për herë të parë kjo në historinë e shtetit shqiptar kur në krye të këtij dikasteri “lufte” emërohet një femër. Ndërsa në krye të Kuvendit vendoset kreu i LSI Ilir Meta.
Ndërkohë që qeveria dhe kryeministri i emëruar kanë qëndruar për afër një muaj e gjysmë pa marrë në dorë frenat e qeverisjes së vendit, ku qeverisja në detyrë e Berishës u shoqërua me akuzat e Ramës se po shpërdoron buxhetin e shtetit dhe se po bënte emërime të militantëve pa kriter. Vetëm më 15 shtator qeveria e re mori votën e Kuvendit dhe u betua para presidentit Nishani, duke filluar zyrtarisht punën. Vendimet e para të ditës së parë të qeverisë kanë qënë anulimet e disa koncensioneve e privatizimeve të qeverisë Berisha ndërsa ka vijuar me diplomacinë parlamentare, shembjen e ndërtimeve pa leje në Vlorë dhe qytete të tjera, si dhe përgatitjen dhe miratimin e buxhetit shtesë 2013 dhe të ri për vitin 2014.
Armët kimike
Shqipëria në nëntor refuzoi angazhimin për asgjësimin e armëve kimike siriane në Shqipëri, sipas kërkesës së SHBA. Protestat para kryeministrisë dhe mungesa e kapacitetit të shtetit shqiptar për një mision të tillë, bënë që Rama të refuzojë.
1 prill 2013
Rama dhe Meta arrijnë akordin për koalicion parazgjedhor, ku LSI ka vendosur të pranojë ftesën e Partisë Socialiste për koalicion me të. Kreu i LS Ilir Meta, ka zyrtarizuar largimin nga Qeveria “Berisha” e ka pranuar publikisht ftesën e liderit të PS.
23 qershor 2013
Opozita e drejtuar nga Edi Rama fiton thellësisht zgjedhjet parlamentar përballë të djathtës së drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Me plot 83 mandate të partive të në koalicion, e majta vjen në pushtet pas tetë vitesh në opozitë.
15 shtator 2013
Pas një muaji e gjysmë nga formatimi i qeverisë së dhe qëndrimi në mbikqyrje të qeverisë në detyrë të drejtuar nga berisha, më në fund qeveria e re e drejtuar nga Rama dekretohet, votohet në Kuvendin e Shqipërisë dhe betohet para presidentit të Republikës.
Shkrimi u publikua sot (29.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)