Bilanci, 78 punonjës të administratës bien në rrjetën e dekriminalizimit

Bilanci, 78 punonjës të administratës bien në rrjetën e dekriminalizimit

Foto ilustruese

Nga 24 mijë persona të verifikuar për të kaluarën e tyre kriminale, në rrjetën e ligjit të dekriminalizimit kanë rënë 78 punonjës të administratës. Ky është bilanci i zbatimit të deritanishëm i ligjit të dekriminalizimit.

“Me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 138/2015, i ndryshuar, janë administruar rreth 24.000 formularë vetëdeklarimi të nëpunësve/punonjësve vetëdeklarues pranë DAP dhe në përfundim të rezultateve të verifikimit të përcjellë nga Prokuroria e Përgjithshme, rezultuan në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik, 78 subjekte vetëdeklaruese.

Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme ka vijuar me përcjelljen e vendimeve “Për miratimin e rezultateve të verifikimit, në zbatim të ligjit nr. 138/2015” dhe, si rezultat, konstatohet se janë në kushtet e ndalimit edhe 34 subjekte të tjera, të cilët kanë qenë në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji”,
thuhet në raportin e Departamentit të Administratës Publike. Ndërkaq, gjatë vitit 2017, ligji i dekriminalizimit ka prekur vetëm 12 punonjës të administratës publike.

“Nga 12 subjekte vetëdeklaruese, që rezultojnë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik, 2 prej tyre janë konstatuar nga organi përgjegjës DAP në zbatim të procedurave të parashikuara në Kreun V, të vendimit nr. 17/2016, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ndërsa 10 subjekte vetëdeklaruese janë konstatuar me vendimin “Për miratimin e rezultateve të verifikimit, në zbatim të ligjit nr. 138/2015”, nga Prokuroria e Përgjithshme, në vijim të kërkesës për verifikim të plotë, të përcjellë nga Departamenti i Administratës Publike.

Vendimet gjyqësore
Gjatë vitit 2017 është shtuar numri i vendimeve të zbatuara të gjykatës në raport me vitin 2016. “Edhe gjatë vitit 2017, është punuar për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Gjithashtu, institucionet janë asistuar nga Departamenti i Administratës Publike për një kuptueshmëri më të qartë të urdhrit nr. 5151/2015, e si rrjedhim të zbatimit rigoroz të rregullave dhe modaliteteve që duhen ndjekur nga institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtyre vendimeve.

Si rezultat i punës së bërë rezulton se gjatë vitit 2017 janë zbatuar gjithsej 46 vendime gjyqësore të formës së prerë, ose 43.8% më shumë se sa në vitin 2016. Ndërkohë, nëse krahasojmë indikatorin e zbatimit të të gjitha vendimeve gjyqësore të mbartura që nga fundi i vitit 2013 e në vijim, rezulton se në fund të vitit 2017, ky indikator është 48.2%, në krahasim me 36.7% që ishte në fund të vitit 2016, pra një rritje prej 31.3%”,
thuhet në raport.

Reforma e pagave
Sipas raportit të DAP, gjatë vitit 2017, rritja e pagave për punonjësit e administratës publike ishte 10%. “Ndër politikat e qeverisë shqiptare për vitin 2017, një reformë e rëndësishme ishte edhe ajo e rritjes së pagave për nëpunësit dhe punonjësit e administratës publike. Rritja e niveleve të pagave u realizua sipas sektorëve dhe sistemeve të pagave nëpërmjet të cilave trajtohen punonjësit, bazuar në prioritetet e qeverisë shqiptare.

Rritja e niveleve të pagave për punonjësit e institucioneve buxhetore u bazua fillimisht në rritjen e pagës minimale për punonjësit buxhetorë me një rritje prej 36%, (nga 22.000 lekë në muaj u rrit në 30.000 lekë në muaj) dhe më pas në rritjen me përqindje të caktuara sipas niveleve të hierarkisë së pozicioneve. Mesatarisht rritja e pagave për punonjësit e administratës publike ishte 10%”,
thekson raporti.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:32
Raporti, disa konkluzione për administratën publike

-Strategjia e Reformës në Administratën Publike paraqitet në ecuri të mire. Viti 2017 ka shënuar rritje për sa i përket realizimit të planit të aktiviteteve. Gjithashtu, ka filluar puna për vlerësimin afatmesëm të strategjisë dhe hartimin e planit të ri të aktiviteteve për periudhën 2018 – 2020, duke vlerësuar edhe nevojat financiare për zbatimin e strategjisë për trevjeçarin e ardhshëm.

-Kuadri ligjor për nëpunësit civilë është i plotë dhe i qartë.

-Administrata shtetërore në tërësi paraqitet e qëndrueshme, duke synuar më tepër performancë tek nëpunësit civilë dhe duke u orientuar drejt meritokracisë.

-Institucionet e administratës shtetërore janë të qarta tashmë në rolin që ato kanë në menaxhimin e burimeve njerëzore, si dhe rolin e DAP si njësi përgjegjëse për menaxhimin dhe koordinimin e të gjitha procedurave që lidhen me burimet njerëzore. Gjithsesi, akoma është e nevojshme rritja e kapaciteteve të njësive të burimeve njerëzore në institucionet e administratës, lidhur me zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil, me fokus të veçantë sidomos në drejtim të planifikimit të vendeve vakante, si dhe grupimit të pozicioneve të ngjashme sipas tipologjisë së tyre.

-Procesi i transferimit të nëpunësve civilë në kuadër të mbylljes apo ristrukturimit të institucioneve (ristrukturimi), ka pësuar përmirësim të ndjeshëm. Nga ana e institucioneve dhe Departamentit të Administratës Publike janë zbatuar më me rigorozitet dhe cilësi procedurat e përcaktuara në legjislacionin e nëpunësit civil në këtë drejtim. Një përmirësim i ndjeshëm në këtë drejtim ishte përcaktimi i një metodologjie të qartë (vlerësimi me pikë) për transferimin e nëpunësve civilë në kuadër të ristrukturimit të institucioneve.

-Vihet re një rritje e numrit të kandidatëve që konkurrojnë për një vend pune (mesatarisht 18 kandidatë/1vend pune), por ka ende nevojë për të përmirësuar procesin e vlerësimit tërësor të njohurive profesionale dhe aftësive individuale të tyre. Edhe gjatë vitit 2017, DAP ndërmori një sërë fushatash informuese në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë, si dhe rrjetet sociale, për të komunikuar procedurat që duhet të ndiqen nga të interesuarit për një vend pune në administratën shtetërore.

-Vihet re se ka vazhduar trendi në rritje i njohjes së legjislacionit të shërbimit civil, në drejtim të të drejtave dhe detyrimeve të nëpunësve civilë, si dhe të procedurës disiplinore, sidomos të anës formale të saj, si rezultat i punës së vazhdueshme të përfaqësuesve të DAP në këto komisione, për ndërgjegjësimin e anëtarëve të komisioneve disiplinore për respektimin e të gjithë elementëve të procedurës formale të këtij procesi. Konkretisht, gjatë vitit 2017 kemi një ulje në masën 40.4% të masave disiplinore në tërësi dhe një ulje me 40% të masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil”.

-Sa i takon zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë për vitin 2017, janë zbatuar 46 vendime, duke shënuar një rritje prej 43.75%, krahasuar me vitin 2016, si dhe një rritje prej 31.3% i indikatorit të zbatimit të të gjitha vendimeve gjyqësore të mbartura që nga fundi i vitit 2013 e në vijim.

-Sa i takon vlerësimit të njohurive shtesë të nëpunësve civilë në pozicione me funksione inspektimi, procesi tregoi se kapacitetet në këtë fushë ishin mesatare dhe nxori si nevojë rritjen e këtyre kapaciteteve nëpërmjet trajnimeve të dedikuara në këtë fushë.

-Për sa i përket reformës funksional strukturore, gjatë vitit 2017, u realizua reforma e organizimit të brendshëm të aparatit të Kryeministrisë dhe ministrive të linjës, duke i vendosur ministritë në rolin e tyre udhëheqës në sektorin përkatës, duke bërë lehtësimin e aparatit të ministrive nga funksionet menaxheriale, operacionale, lëvrim shërbimesh, prokurime, dhënie liçencash, zbatim projektesh, etj, duke i zbritur këto nëpër agjenci. Gjithashtu, filloi puna për reformimin e institucioneve të varësisë. Gjithsesi, sfida për vitin në vazhdim mbetet rishikimi funksional strukturor i institucioneve të varësisë dhe përcaktimi i rregullave dhe standardeve të qarta në fushën e ndërtimit të institucioneve dhe të matjes së performancës së tyre.

-Në kuadër të përmirësimit të cilësisë së përshkrimeve të punës dhe standartizimit të tyre, u miratuan përshkrime standard dhe kërkesat minimale për efekt rekrutimi për 8 grupe pozicionesh (Specialistë të financës, Specialistë të buxhetit, Specialistë të prokurimeve, Specialistë të burimeve njerëzore, Specialistë arkiv/protokolli, Specialistë të marrëdhënieve me publikun, Specialistë jurist, Specialist të teknologjisë së informacionit). Këto përshkrime pune të unifikuara shërbejnë edhe për përmirësimin e mëtejshëm të procedurave dhe cilësisë së rekrutimit në këto pozicione.

-Zhvillime të rëndësishme janë shënuar në shtrirjen e Sistemit Informatik të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore HRMIS/SIMBNJ, duke e populluar sistemin me të dhëna dhe duke trajnuar personat përgjegjës në secilin institucion, lidhur me përdorimin e tij. Ndërkohë që, gjenerimi i pagës për institucionet e shërbimit civil përmes Sistemit Informatik të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore HRMIS/SIMBNJ mbetet sfida më e madhe e vitit 2018.

-Gjatë vitit 2017 ASPA ka vazhduar të përballojë një volum të madh pune, si në procesin e organizimit të aktiviteteve trajnuese, ashtu edhe në drejtim të rritjes institucionale dhe profesionale të saj. Cilësia e shërbimeve ndaj klientit është vlerësuar shumë pozitivisht, gjë që nënkupton rritje të cilësisë së trajnimit, materialeve trajnuese dhe komunikimit me klientët. Sfidë mbetet rritja e cilësisë së trajnimeve që Shkolla Shqiptare e Administratës Publike ofron.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve