Brenda 30 majit të gjitha subjektet që operojnë në sektorin e transportit dhe ato të strukturave akomoduese duhet të instalojnë në biznesin e tyre edhe pajisjet për të lejuar pagesat me kartë. Pak orë para se të skadojë afati operatorët e transportit kërkojnë shtyrje pasi është i pamundur implementimi aktual për shkak edhe të kostove, ndërsa bujtinat thonë se koston për këtë shërbim do ua faturojnë klientëve.

***

Të hënën (1 qershor) kur qytetarët të marrin urbanin për të shkuar në destincaionin e tyre, duhet që të kenë mundësi që brenda në autobus të paguajnë me kartë për biletën. Po kështu, një pushuesi që ka rezervuar në një bujtinë apo hotel, nga 1 qershori duhet t’i jepet mundësia të paguaj me kartë.

30 maji është afati i fundit thotë administrata tatimore që bizneset në sektorin e transportit përfshirë atë urban, ndër-urban, taksitë dhe të tjera, apo strukturat akomoduese nga bujtinat te resotret, të instalojnë terminalet POS që mundësojnë pagesa me kartë bankare.

Teksa na ndajnë edhe pak orë për zbatimin e këtij detyrimi, jo të gjithë janë gati. Kompanitë e transportit publik thonë se ky proces nuk mund të nisë zbatimin nga e hëna, për një sërë arsyesh.

“Ne aktualisht nuk kemi një sistem të fiskalizuar të transportit. Është e paqartë, kujt i takojnë kostot. Edhe një biletë 40 lekëshe ka një komision deri 2.7%, kush do ta paguaj këtë kosto të shtuar. Ku do vihet POS në autobus, dhe si do funksionojë? A do ketë kosto mirëmbajtje”, thotë Dashnor Memaj kryetar i Shoqatës së Transportit Publik.

Kostoja në fakt për pagesat me kartë i mbahet tregtarit (biznesit), por nëse kjo ndodh, Shoqata thotë se me çmimin që ka bileta, është pamundur të mbulohen kostot.

"Përderisa shteti nuk më lejon mua të ndryshoj çmimin, automatikisht kostot të subvencionohen",- thotë Memaj.

Zgjidhja sipas tij është tek ngritja e një agjencie ku të blihen biletat për transportin, ku të mund të bëhet pagesa me kartë, pa përfshirë në këtë proces urbanët.

"Ne s’kemi agjenci për transportit, që turistët të paguajnë në agjenci dhe jo në urban. Ne nuk kemi themelet dhe duam çati, nuk bëhet në këtë moment, është kosto për transportin",- thotë Memaj.

Për shkak të këtyre mungesave në infrastrukturë dhe paqartësive në kosto, transporti kërkon shtyrje të afatit të këtij detyrimi, por Tatimet sqarojnë për Report Tv se nuk do të ketë shtyrje por, thekson se do të ketë tolerancë për subjektet dhe nuk do nisin menjëherë ndëshkimet me gjoba.

Ndërsa strukturat akomoduese duket se janë më të hapura drejt kësaj alternative pagese.

"Nëse do shkojmë në BE ka edhe kushtet, ne do të përgatitemi që pajisja për pagesë me kartë të jetë në biznes. Vështirësia që hasim ne është sepse akoma stafet nuk janë të përgatitur për ti përdorur këto sisteme",- thotë Kujtim Dervishi, kreu i shoqatës së Bujtinave.

Koston e kësaj risie, Dervishi thotë se nuk do e mbaj biznesi.

“Normale që do të ketë rritje çmimesh, klienti do ta paguaj koston”,- thotë Dervishi.

Detyrimi për të pasur alternativën e pagesës me kartë, u caktua në ligjin e ri të procedurave tatimore që u miratua në dhjetor të 2025-ës, dhe veç sektorëve të transportit, turizmit dhe institucioneve brenda vitit synohet të shtrihet në çdo biznes.

Aktualisht gati 1 në 4 biznese ka të instaluar sistemin POS. Shifrat tregojnë se janë143 mijë biznese në vend, ndërsa numri i terminaleve për pagesat me kartë të shpërndarë në të gjithë vendin është 32 mijë.

Brenda një dekade pagesat me kartë përmes pajisjeve POS janë rritur me më shumë se 8 herë, nga 128 milionë euro pagesa në 2015 në më shumë se 11.1 miliardë euro në fund të vitit 2025.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:29
Turistët kërkojnë pagesë me kartë, Dervishi: Kjo mënyrë pagese u heq bakshishet kamarierëve

 

Përdorimi i pagesave me kartë në strukturat akomoduese por më tej në gjithë shërbimin e hoteleve dhe restoranteve, është pozitive pasi u jep mundësinë sidomos pushuesve për lehtësi në pagesë.

“Na vijnë shumë të huaj që duan të paguajnë me kartë dhe kjo na vë përpara një detyrimi që të tregojmë cilësi në turizëm”, thotë Kujtim Dervishi.

Por nga ana tjetër rrezikon t’ju heqë bakshishet kamerierëve, pasi kur klientët kryejnë pagesa me kartë, bakshishi nuk përfshihet në pagesë.

“Kur paguhet me kartë, aty nuk përfshihet bakshishi i tyre. Një përqindje e faturës duhet të ndahet për bakshish për kamarierin”, u shpreh ai.

Dervishi theksoi gjithashtu se kërkesa për pagesa elektronike vjen shpesh nga turistët e huaj, çka sipas tij e bën të domosdoshme rritjen e standardeve të shërbimit në sektorin e turizmit.

Ora 21:28
A do rritet çmimi i biletës së urbanit? Memaj: Shteti të subvencionoje komisionet e pagesës me kartë! Sefa: BSH të ulë tarifat

 

Çmimin i biletës nuk mund të rritet pa vendim nga institucionet thotë Memaj por kërkon subvencion të komisioneve bankare nga shteti.

“Përderisa shteti nuk më lejon mua të ndryshoj çmimin, automatikisht kostot të subvencionohet, nuk mund të themi që çmimi do të rritet me 10-20% por kosto ka”, thotw Memaj.

Sipas tij kanë kaluar 10 vite më të njëtin çmim edhe pse kostot janë shtuar.

"Çmimi i biletës në vend është i 2016-ës, nëse komisioni i pagesave me kartë i mbetet operatori duhet të ndryshojë. Në Shqipëri është transporti më i lirë në Evropë për këtë shërbim, turistët i habit kjo gjë", thotë Dashnor Memaj.

Kurse eksperti i ekonomisë thotë se Banka e Shqipërisë duhet të ndërhyjë për të ulur komisionet që mbajnë bankat për pagesat me kartë.

“Komisionet shkojnë nga 2-3%, por këtu ka vend për ndërhyrje nga institucionet për të ulur komisionet brenda vendit sicc ka ndodhur me komisionet e SEPA”, thotë Sefa.

Eksperti i Sefa thotë se kalimi nga pagesa me lekë në dorë tek ato me kartë bëhen për të formalizuar ekonominë.

“Janë disa procese që duhen kryer edhe në kuadër të integrimit, dhe digjitalizimi në tërësi është një kërkesë e BE-së. Një nga arsyet e forta është edhe informaliteti i lartë që ta formalizojë këtë sektor, rreth 30-40% e sektorit është në informalitet”, thotë Sefa.

Ora 21:27
Bileta e urbanit do paguhet edhe me kartë, jo vetëm cash, kompanitë kërkojnë shtyrje afati

 

Kryetari i Shoqatës së Transportit Publik Dashnor Memaj thotë se përsa kohë në urbanë nuk ka bileta elektronike, të fiskalizuara është e pamundur që ky proces të funksionojë.

“Është kërkuar nga institucionet të bëhet një periudhë tranzitore, të fillohet një herë me taksitë, më pas me atë ndërqytetës, se janë më pak të ngarkuar, dhe më pas tek transporti urban kur të jetë bërë edhe bileta e fiskalizuar elektronike” thotë ai,

Memaj thotë se është kërkuar nga institucionet që të diskutojnë për të zbatuar këtë detyrim, por s’kanë pasur ndonjë takim.

“Nuk e kundërshtoj vendosjen e POS se kjo është edhe një mundësi për qytetarët për të paguar një shërbim, dhe bëhet sidomos për turistët që të mos abuzojmë me çmimin e biletën. Por ne duhet të jemi gati me infrastrukturën. Ne duhet të kemi agjenci për biletat ditore, javore apo mujore, nuk kam pse marrë një abone mujore kur unë do lëviz në Tiranë 1 javë”, thotë Memaj.

Ndaj kërkojnë që të shtyhet afati që kanë 30 maji për të vendosur terminalet POS.

“Duhet të shtyhet deri në fund të vitit që të jemi gati, ta nisim fillimisht me taksitë, pastaj me transportin ndërqytetës”, thotë Memaj.

K.M/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ladi: 29/05/2026 21:50

    Kompanite e transportit urban duhet te rrisin cilesine e sherbimit! Nje here te hipesh tek autobuset e Tiranes se Re djersitesh sikur ke punuar 1 ore me kazem! Lere pastaj higjienen vjen ere e qelbur qe ne mengjes se nuk I lajne kurre! Kontrolli nga Bashkia e Tiranes mungon totalisht dhe keshtu qytetari ngelet jetim perpara ketyre pseudo kompanive te transportit te clet kur dalin neper emisione televizive flasin sikur kane cilesi sherbimi si ne France!!!! Duhet kontroll nga Bashkia dhe gjoba te renda per mungesen e cilesise se sherbimit!!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 27 Maj, 09:19

    Shqipëria nis mbylljen e kapitujve për anëtarësim, a do realizohet objektivi BE 2030?