Në kopshtin e dashurisë...lindi urrejtja!
Kryeministri ynë dukej aq i butë dhe romantik, si kukull.
Romantikës së tij i kishte dhënë vulë, kopshti me lule dhe pa lule ku kishte zgjedhur të pajtohej me Edi Ramën.
Që e kishte lëmuar fytyrën, e kishte lëmuar, mos më trego ti mua, e di shumë mirë - se lëmohem vet, e njoh mirë fushën e lëmimit.
Albin Kurti buzëqeshte lehtë, si nuset shqiptare të viteve të 80-ta që kur kanë buzëqeshur hanëmet, e kanë mbuluar gojën me dorë - se lumturia duhet të jetë elegante, të ndjehet thellë, ama të shprehet aq pak, se s'është kulturë të jesh i lumtur në këtë botë mizore.
Ky ishte një takim që nga njohësit e fushës së pajtimit, quhet 'takim pajtimi'.
Edi Rama u vonua në takim, sepse kush vonohet - është fituesi.
Mjafton 1 sekond të vonohesh në takim, dhe kjo të siguron epërsi dhe të bën edhe më të parezistueshëm.
Është taktikë e njohur kjo e Don Zhuanëve!
Albini e priste në Kopshtin e Hotelit të quajtur 'Kopsht', në ethe si Julia Robertsin te 'Run away bride'.
Një grua e protokollit i jepte gajret Albin Kurtit (dhe gruaja me flokë të bardha ishte e veshur komplet me bardha, që gajreti i saj të shihej nga aeroplani).
Një lule sabahu e uli kokën...u venit.
Në Veriun e Kosovës, armiku serb e kërceu vallen:
Ring e Ring e Drama
došo čika Rama
pa pojeo jaja
jedno jaje muć,
a mi deca čuč.
Ata nuk e dinin se lulet nuk futen në xhep.
Dashuria jonë shqiptaro-shqiptare është Kujtim.
Prandaj nuk vdes kurrë, sepse është kujtim.
Dhe ne gjithmonë e përkujtojmë përvjetorin e kësaj ish dashurie të madhe.
Askush nuk e di datën se kur dhe qysh u shndërrua dashuria jonë në Kujtim.
Ndoshta atë ditë kur jemi ndarë.
Pak kemi vuajtur, pastaj vuajtjen e kemi bërë këngë dhe modë.
Pse të vuash me zemër kur mund të këndosh;
Pse të mbash zi për dashurinë e humbur kur mjafton të vishesh kuq e zi dhe krejt e marrin vesh që po vuan për atdhe.
Një mashkull shqiptar i Kosovës (aktualisht plak), i rritur në Serbi, babai i të cilit (bashkë me policinë serbe) i shkoqte dajak shqiptarët që visheshin kuq e zi, është shoku më i ngushtë i Edi Ramës.
Ai e mëson Edi Ramën (tinëz bodrumeve, si miu), kush vyen e kush s'vyen në Kosovë.
E një tjetër, babai i të cilit me librin 'Bregu i pikëllimit' nën sqetull e spiunonte disidentin Teki Dërvishin në stacionin policor serb, sot (jo edhe aq plak), ia cakton Edi Ramës se kush di të shkruaj e kush nuk di të shkruaj në Kosovë.
Ai e di kush nuk di të shkruajë bukur, sepse nuk di vet.
Dhe kjo ndodh, në kohën kur shkrimi i mirë nuk përndiqet me polici, dhe nuk mund të fshihet nga dielli e as të mbulohet me lule.
Qe 23 vite shqiptarët nuk mund ta bëjnë bashkë Abetaren.
Dhe, nuk mund ta bëjnë bashkë Abetaren, sepse Abetarja është bashkë.
Prandaj, kanë zgjedhur të flasin për një temë të mbyllur.
Se, përndryshe nuk flsasin pleqtë për Abetaren, pa e hetuar se një shkronjë në Abetare ka tendenca të dalë nga rendi i Alfabetit dhe t'ia zë vendin shkronjës paraprake.
Pak para se kryeministrat të hipnin në tepihun e kuq të hotelit, lehu një qen.
Qeni leh zakonisht kur i sheh qentë e tjerë;
Edhe kur i fton bashkë-qentë e tij; kur i duket se ia ke zënë territorin, kur është i uritur dhe e heton se ti po ia ha ushqimin, kur frikësohet nga rojet e nderit, kur lakmon dhe kur e dëgjon Betovenin.
Por kush është burrë nuk frikësohet nga qeni, por vdes, por vdes si dëshmor...
Sepse qeni mund të dashurojë më besnikërisht se njeriu, si Hachiko, që i plasi zemra nga vuajtja për dashuri.
Cili njeri vdiq te varri i të dashurit të tij deri sot!
Kosovën nuk e ka vjedhur qeni, po këshilltari i Liburn Aliut.
Dhe, pikërisht kjo prirje e Liburn Aliut për t'u sakrifikuar për besnikëri ndaj këshilltarit të tij, u pa se i ka lënë shumë përshtypje Edi Ramës.
E veçoi nga të gjjthë, edhe sepse Liburni fliste me zë të ulët radiofonik, si Marlo Brando te Kumbari.
Seksi i duket shumëkujt ajo e folur.
Dhe, Edi Rama ia 'fali' tri gra.
Ka edhe më shumë gra që duan të jenë me ty, i tha Liburnit, por Haremi mund të fillojë punën me tri 'copa'.
- Po kush është kah lyp gra, o djalë!
Edi Rama e veçoi edhe Hekuran Muratin.
Ia rrudhi setrën.
Veç Hekuranit ia preku krahun.
Çka flet kjo prekje e lehtë, dhe pse e preku bash Hekuranin.
Mund t'ia prekte krahun Xhelalit - gjë behane s'ka!
...čika Rama, i futi duart në magje.
E kaloi natën veç me magjetore dhe me baçica...
Vetëm ata që kishin pare e tërheqnin.
Se që thotë këngëtari Genci
'Meshkujt e vërejnë, kur sharmi dështon lektë nuk zhgënjejnë'.
Përpara, në vakt zaman, Mimozën e çonte 'hopa' e nganjëherë e fuste në xhep, se dikush (siç e ceka më lart) edhe lulet i fut në xhep.
E kësaj radhe, Albinin e çoi 'hopa'.
Edi Rama e çeli temën e xixave të dashurisë, si një xixëllimtar profesionit, që sa herë do prodhon xixa.
Pasi i shprehu xixat që ndjen ndaj Albinit dhe pasi që në emër të Albinit, ia shprehu vetes xixat që Albini i ndjen ndaj tij, ia zvogëloi kokën Albinit, por ia rriti morrin.
Morri më s'kishte vend në kokën e Albinit.
Në një moment Albin Kurti u duk si nuse me duvak, që pak para se të thotë PO, i këputen vargjet e xhevahirëve dhe i bijnë në kopsht.
Secili xhevahir bie në zemrën e një luleje...kështu ndodh gjithmonë,...vuajtje pa fund kjo jetë.
Tavolinën e qeverive e ndanin lulet.
Lulja s'lëshonte frymë nga lulja, s'kish fleta kah e rrotullonte krahun prej fletës...
Kishin vënë 'kufij me lule', derisa flisnin për heqjen e kufijve për tre muaj verë.
Ne, në vend se të duhemi vjeshtave e dimrave, duhemi kur është nxehtë, se më kollaj.
Ne mund të studiojmë në Tiranë dhe ata mund të studiojnë në Prishtinë.
Kjo është arritje historike, anipse atje e këtu kanë studiuar shqiptarët edhe gjatë diktaturës atje e pushtimit këtu.
Shqiptarët kanë studiuar e studiojnë në Beograd e nuk është lajm...
Nga Beogradi blejnë mall, kurse njëri-tjetrit i shesin pallavra.
Edhe pallavrat bëjnë punë, nëse thuren bukur.
Edi Rama e quajti Bini.
Po dihet pse.
Ama, Albin Kurti nuk është qesharak, është monoton.
Se sikur të ishte komik, s'kish pasur të paguar.
Edhe nëse je duke qeshur, kur e sheh Albin Kurtin ta ndal gazin.
Ky çdo gjë e sheh si tragjedi, si thikë pas shpine, si tradhti, si lojë e rrezikshme kundër tij.
Kush fitoi nga mbledhja e dy qeverive?
Hoteli fitoi.
Fituan tregtarët.
Fitoi shitësi i akulloreve dhe i tepihëve.
Fitoi deti.
Fituan milionerët.
Fitoi krimbi në thesin e miellit.
E ju, fukarenjë, çka fituat ju?
Ju e fituar Abetaren dhe kujtimin për dashurinë e humbur.
Çka po doni më shumë!
P.S. Mua Edi Rama nuk më ka ftuar në darkën e gazetarëve anti-Kurti.
Ndoshta pse jam femër e gjysmë, çka di unë, më xhelozojnë
- s'ka këtu tjetër arsye...
A kisha shkuar?
-,Ëë.
Më pëlqen të jem si gur me mbishkrime të palexueshme, mistike, të punoj vetëm ose me 'ata' që nuk 'shihen'!