TIRANË, 27 Nëntor/ATSH/- Demir Gjergji i njohur më shumë si poet vjen para lexuesve me romanin e ri "Biri i Botës", një libër me 386 faqe që sjell një stil dhe mënyrë bashkohore.
Në këtë roman, mjeriu pas fatit, si lumi, i cili nuk e di se ku i ka burimet dhe rrjedh drejt detit herë i dhunuar keqas nga shtrati i ngushtë, herë i fryrë e i rrëmbyer nga zemërimet e qiellit, herë i kthjellët e i qetë në ëndrrën e vet. Fatlumi e ka të vështirë të rrojë i lirë. Në palcë të natës e ndjek një ëndërr e frikshme, në shuplakë të dritës e djeg syri i keq i mbrapshtisë familjare e shoqërore.
Arkitektura e këtij romani me elemente të prozës tradicionale, merr forma, harqe dhe hapësira moderne përmes një gjuhe sa jetësore, me shprehje dhe ngjyrime të një mjedisi plot peizazhe magjike dhe karaktere të sjella përmes një stili interesant, ku proza gjallon shëndetshëm në limfën poetike. Nga tragjikja primitive, dramatikja njerëzore, deri te lirika e plotë dhe erotika e paarsyeshme kalohet mjeshtërisht duke e bërë leximin e romanit një akt sa të këndshëm aq edhe të ankthshëm. Dhuna dhe liria, frika dhe guximi përplasen e tërhiqen në amplitudën e ngjarjeve që mbushin jetët e karaktereve të skalitura plot thyerje e kontraste. Në stil romani nis si belbëzim fëmije, kalon në një regjistër normal, për t'u ngjitur në simbolikën e natyrshme.
Kur ka lindur Fatlumi? I kujt është? Nga vjen? Ku shkon? Me dy fjalë: nga kopili i keqtrajtuar i katundit, te biri i barabartë i botës.
/y.pa/












