Biseda/ Angela Merkel dhe Mario Draghi, çfarë i bën të mëdhenj këta dy europianë?

Biseda/ Angela Merkel dhe Mario Draghi, çfarë i bën të mëdhenj këta dy europianë?

Angela Merkel dhe Mario Draghi

“Nëse vendi im nuk është në gjendje të presë imigrantët me buzëqeshje në buzë, atëherë nuk është më vendi im”. “Nuk duhet të bëjmë premtime që pastaj nuk i mbajmë, siç ndodhi me integrimin e Ballkanit Perëndimor”, “Nuk ka solidaritet të mjaftueshëm për emigrantët në Europë! Duhet më shumë zemërgjerësi” “Trump? Kur e kam njohur ishte si një agjent imobiliar: ose fitoj unë, ose fiton ti. Nuk e konceptonte idenë se të dy mund të fitojmë. SHBA nuk mund të zgjidhë problemet e vetme. Europa duhet të vendosë interesat e saj në vend të parë dhe mund ta bëjë këtë vetëm e bashkuar”. “Kam punuar gjatë me Helmut Kohl, isha dhe ministre në kabinetin e tij. Për të ishte shumë e rëndësishme të dinte edhe sa kushtonte 1 litër qumesht. Interesohej se si jetonin njerëzit e thjeshtë”. “Prindërit e mi më kanë mbrojtur shumë gjatë kohës kur jetonim në Gjermaninë Lindore. Unë mendoja se isha e lirë, edhe falë tyre. Më vonë kuptova liritë që më mungonin”. “Nuk dua që asnjë prej jush të provojë të jetojë në një diktaturë, por edhe jeta në një diktaturë ka dinjitet ashtu si edhe në një diktaturë mund të kuptohet liria”.

Për të dëgjuar Angela Merkelin në Pallatin Clerici në Milano, në selinë e Institutit italian për Studime të Politikës Ndërkombëtare (ISPI) ishin mbledhur mbi 800 vetë. Shumica qytetarë të thjeshtë për të cilët organizatorët vunë në dispozicion sallën më të bukur të pallatit antik, sallën Tiepolo, e zbukuruar me afreske marramendëse. Media ishte e pozicionuar në një sallë më të vogël dhe më modeste, ashtu si dhe salla kryesore ku Angela Merkel u intervistua nga Valter Veltroni për librin e saj “Liria” (Liberta’, publikim i Rizzoli në Itali).

Ish-kancelarja gjermane për 16 vite me radhë, një nga gratë më të rëndësishme në politikën europiane dhe botërore, përshëndeti me sinqeritet qytetarët që kishin ardhur për ta dëgjuar. Të gjithë që morën pjesë në eveniment, përveç disa personaliteteve me ftesa, e bënë përmes një regjistrimi të thjeshtë online në faqen e ISPI-t ose të shtëpisë botuese Rizzoli.  Një organizim sa miqësor, aq i thjeshtë, i cili nuk krijonte diznivele mes autoriteteve, qytetarëve dhe medias dhe pakënaqësi për askënd.

Salla Tiepolo, Pallati Clerici, Milano

Libri i saj prej 703 faqesh flet për jetën e saj në familje dhe në politikë. Për Ballkanin Perëndimor janë dedikuar vetëm 3 faqe dhe kjo duhet të na bëjë që të ridimensionojmë ndjenjën e ekzagjeruar që shpesh kemi kur e shohim veten në qendër të botës për çdo gjë.

Intervista e Veltronit me Merkelin rrjedh mes thjeshtësisë, batutave dhe informacioneve të vlefshme për eksperiencën e saj në të shkuarën dhe sfidat për të ardhmen. Në asnjë moment arrogancë, në asnjë moment mendjemadhësi, në asnjë moment superioritet. Eshtë e kujdesshme për të tashmen, por optimizmi dhe sidomos dëshira e madhe për një Europë të fortë e të bashkuar, është ajo që e bën t’i shndrisin më shumë sytë. “E ndjeva veten të braktisur, kur Britania e Madhe doli nga BE. Si ka mundësi, Britania e Madhe është europiane”.

Në libër tregohen përpjekjet e saj, shpesh të keqkuptuara për kohën kur ndodhën, për shpëtimin e Greqisë, Portugalisë, Spanjës dhe Italisë nga kriza në Eurozonë. Nuk e fsheh lumturinë për përfshirjen e Hungarisë dhe Polonisë në BE. Vende të ndryshme, por me shpirt europian“.

“Ekziston një Europë me dy shpejtësi, por duhet të marrim më të mirën nga njëri-tjetri. Për shembull vendet e Lindjes janë më mirë se në në perëndim sa i takon dixhitalizimit. Duhet të mësojmë nga njëri-tjetri”, tha Merkel.

Afreske te salles Tiepolo

Dy ditë më parë, në të njëjtin pallat. Clerici, ISPI ftoi për t’i dhënë çmimin prestigjoz Mario Draghi-t, çmim që i dedikohet italianëve të shquar në botë. Kush mund ta mendonte që një nga teknikët më të përgatitur për mbarëvajtjen e financave, të ishte dhe aq empatik dhe i komunikueshëm me të ftuarit në sallë? Të rëndësisë primare për Draghin vlerat europeiste. “Nuk duhet të lemë që populizmi të marrë krahë - tha, - dhe janë 5 gjëra të cilat nuk kushtojnë fare, të cilat janë të rëndësishme të bëhen:

  1. Tregu unik, është thelbësor
  2. Ndërveprimi treg-kapital dhe financë inovacion
  3. Rregullimi i sektorit digjital
  4. Rregullat e konkurrencës
  5. Fragmentimi i rregullave pasi financimet nuk kanë shumë intensitet, sidomos për Inteligjencën Artificiale

Foli se pse sot janë në modë lider të fortë politikë dhe Draghi e dha një shpjegim për këtë: “Një lider politik duhet të ketë vizion dhe kompetenca. Duhet të tërheqë pas vendin e tij”

Por mbi të gjitha, atë që Draghi e përmend kudo, është vlera e jashtëzakonshme e të qenit optimist. “Nëse jeni pesimistë, qëndroni në shtëpi. Një pesimist nuk prodhon, vetëm flet, - thotë, - Kjo nuk shkon, ajo nuk shkon. Mund të shërbejë ndonjëherë vetëm për të parë diçka që ju nuk e kishit vënë re, por vetëm për kaq. Nëse dëshiron të bësh diçka, duhet të jesh optimist”.

 Pas Premierës së priemerave në teatrin e famshëm në La Scala, me 7 dhjetor, e projektuar në gati 60 pozicione me ekrane në qytet, Draghi, Merkel në Pallatin Clerici, mbeten një grimcë e aktiviteteve të panumërta që një metropol europian si Milano ofron përditë e në çdo orë për qytetarët e saj. Aktivitete falas, ku secili mund të gjejë diçka që i shërben. Për mendjen dhe shpirtin.


 

Salla dedikuar medias

G.K/a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës