Bislimi akuzon Serbinë se po tenton të ndalë ndihmën e Kosovës për bujqit shqiptarë në Luginën e Preshevës

Bislimi akuzon Serbinë se po tenton të ndalë ndihmën e Kosovës për bujqit shqiptarë në Luginën e Preshevës

Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, akuzon Serbinë se po përpiqet ta ndalë mbështetjen financiare të Qeverisë së Kosovës për bujqit shqiptarë në Luginën e Preshevës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër përpjekjet e autoriteteve serbe për të ndaluar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, tha Bislimi në një postim në rrjetin social Facebook.

Më herët sot (10 Dhjetor), përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës thanë se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve e Serbisë ka bërë thirrje për anulimin e një konkursi për subvencionimin e kulturave bujqësore nga një fond i Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës i ndau 1 milion euro për subvencione në sektorin e bujqësisë për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë për vitin 2024, tha në tetor kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.

Bislimi tha se donacioni i Qeverisë kosovare synonte ta përmirësonte jetën e komunitetit shqiptar dhe të mbështeste zhvillimin ekonomik në Luginën e Preshevës, duke ditur se “edhe më tej komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës janë ndër komunat më të pazhvilluara në Serbi, ndër më të varfrat me papunësi të lartë e veçanërisht tek të rinjtë”.

Këshilli Kombëtar Shqiptar kishte shpallur thirrjen publike për bujqit më 26 tetor 2024 dhe prej atëherë i ka pranuar mbi 1.178 aplikime, sipas Bislimit.

“Pikërisht më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i është mbivendosur privimi nga mundësia e ndihmës nga Republika e Kosovës”, u shpreh ai.

Ai tha se Serbia nuk ka asnjë të drejtë ta pengojë mbështetjen e Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe i bëri thirrja bashkësisë ndërkombëtare të reagojë dhe “të veprojnë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

Të martën në mëngjes, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, tha se Ministria serbe i ka kërkuar KKSH-së ta anulojë konkursin.

Shqiptarët në Luginë të Preshevës për vite të tëra ankohen po ashtu për pasivizim të adresave të banimit dhe gjatë këtij viti kanë protestuar disa herë duke kërkuar më shumë të drejta.

Postimi i Besnik Bislimit në Facebook

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja