Çmimi i Bitcoin ka pësuar një ulje mëngjesin e sotëm, me çmimin që ra me mijëra dollarë brenda pak minutave. Kriptomonedha ra nën 59,000 dollarë. Rënia e fundit e çmimit vjen më pak se një javë pasi Bitcoin arriti një nivel të ri historik prej afër 67,000 dollarësh.
Të dhënat e Blockchain sugjerojnë se rënia e çmimeve të sotme është nxitur pjesërisht nga investitorët afatgjatë që marrin disa fitime, gjë që zakonisht ndodh pasi Bitcoin arrin një nivel të ri. Çdo rënie e papritur e çmimit prej më shumë se disa për qind mund të shkaktojë shitje paniku nga investitorët e kriptomonedhave, megjithëse uljet e rënda zakonisht tërheqin gjithashtu blerës të rinj.
Rënia e parë e çmimit, që u shënua në fillim të këtij viti u pasua nga një rikthim rekord, ndërsa disa analistë të kriptomonedhave parashikojnë rritjen e çmimit të kriptomonedhës para fundit të vitit 2021. Edhe disa kriptovaluta të tjera kryesore si: Ethereum (ether), Binance Coin, Cardano (ada), Solana (SOL) dhe Ripple (XRP), pësuan rënie me 5-15%.
Tregu i përgjithshëm i kriptomonedhave ra nën 2.5 trilion dollarë, duke shënuar humbje më shumë se 200 miliardë dollarë nga fillimi i kësaj jave.