Mali i shenjtë i Tomorit gërryhet dhe zhvatet nga bizneset e mermerit duke u lënë në gjendje skandaloze.
 
Kamera e REPORT TV sjell pamje që tregojnë sesi ekskavatorë të fuqishëm e gërryejnë çdo ditë malin, për të nxjerrë pllakat e gurit dhe mermerit, që më pas dërgohen jashtë Shqipërisë.
 
Shfrytëzimi pa kriter, që e ka kthyer malin në një gurore të stërmadhe, ka shkatërruar sipërfaqe të tëra, duke shkaktuar një katastrofë të madhe ekologjike. 

[gallery]23612[/gallery] 
12 firma të licencuara shkatërrojnë malin
Report Tv ka mësuar se rreth 12 firma kanë marrë licencën nga Ministria e Mjedisit për shfrytëzimin dhe nxjerrjen e pllakave të gurit. Por siç duket nga pamjet asnjë kompani nuk e kanë zbatuar urdhrin që mali duhet të rehabilitohet.
 
Edhe pse është Mali i Tomorit është shpallur zonë e mbrojtur, ky biznes që po zhvillohet në mënyrë të pakontrolluar ka krijuar dëme të pariparueshme për zonën.
 
Nuk dihet nëse Ministria e Mjedisit ka parë nga afër sesi kryhet procesi ‘zhveshjes’ së Malit të Tomorit, ku sa më parë duhen marrë masa për parandalimin e shkatërrimit.