Teksa bota po mësohet muajt e fundit t’i kremtojë armëpushimet, sado të mos iu zërë besë plotësisht, Shqipëria duket se po përjeton variantin e vet të një 'armëpushimi' të përkohshëm. Armët natyrisht ndryshojnë, por pushimi dhe ndjesia e çlirimit, sado modeste, i ngjajnë deri diku asaj që një pjesë tjetër e njerëzimit përjeton kur sheh se, të paktën për disa ditë, nuk do t’i fluturojnë dronë dhe raketa mbi kokë.

Dy javë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, u pezullua për 20 ditë nga seancat parlamentare, pasi kërcënoi Kreun e Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, para se ta godiste me një shishe uji. E gjitha ndodhi 'live' gjatë seancës plenare.

Vendimi ishte i drejtë. Dhuna në ambientet e parlamentit nuk është se lë ndonjë hapësirë për interpretim. Por, ajo që bie në sy dy javë më pas është se sa normal duket parlamenti shqiptar gjatë këtij  “armëpushimi” dyjavor.

Kemi dëgjuar debate për bujqësinë, çmimet e energjisë, shëndetësinë, politikat ekonomike, që edhe pse nuk janë temat më elektrizuese në historinë e diskursit demokratik, të paktën janë debate: përballje konkrete përmes fjalës, në një sallë që vetëm dy javë më parë dukej se qe kthyer - në mos në epokën e gurit - të paktën në atë rrahjes me shishe plastike dhe kur në një shkretëtirë të tillë gjen qoftë edhe një pikë ujë – si debatet e këtyre dy javëve – nuk mund të ankohesh se është ujë pa gaz.

Është edhe Sali Berisha, kryetari i PD, i cili është munduar të veshë këpucët e Nokës, por që duhet pranuar, se i kanë ardhur pak të mëdha. Përpjekjet e tij për ta uzurpuar foltoren e Kuvendit edhe përtej kohës së lejuar, në fakt kanë patur efektin e kundërt, duke shfaqur edhe më qartë, pikërisht atë që partia e tij përpiqet ta fshehë me çdo kusht: se Berisha duket i lodhur, jo vetëm politikisht, por edhe fizikisht. Është dramatike të shohësh se si një lider, i cili e ka ndërtuar karrierën e tij politike mbi konfrontime të forta dhe sfida ndaj kundërshtarëve, po kupton nga dita në ditë se konfrontimi kërkon energji, të cilat nuk i ka. Ndaj, këto dy javë e kemi parë të ngjitet në foltoren e Kuvendit disa herë radhazi brenda së njëjtës seance plenare, të flasë dhe të kuptojë se fjalët e tij nuk trondisin më askënd. E shumta, i detyron njerëzit të ndërrojnë kanalin e televizorit, por vetëm kaq. Si një bubullimë që të frikëson për pak çaste, derisa kupton se nuk ka stuhi.

Do të ishte gabim që kjo të lexohej si lavdërim për qeverinë, apo si provë se salla e Kuvendit, papritur është transformuar dhe po përjeton një epokë të artë. Përkundrazi. Shumica parlamentare procedon ashtu siç bëjnë përgjithësisht shumicat parlamentare, me vetëbesimin e atij që e di se i ka numrat. Opozita, nga ana tjetër, mbetet opozitë. “Armëpushimi” 20-ditor nuk i zhbën dot problemet strukturore nga të cilat vuan kultura parlamentare në Shqipëri.

Megjithatë, armëpushimet janë të rëndësishme sepse na kujtojnë, qoftë edhe përkohësisht, se si duket paqja. Këto dy javë kanë shërbyer si një pauzë e tillë, ku të gjithë kemi parë se çfarë mund të tjetër mund të ofrojë ajo sallë, veç vulgaritetit, ofendimeve dhe dhunës fizike. Na kanë treguar gjithashtu se një pjesë e mirë e asaj që me trishtim e quajmë “realitet politik shqiptar,” është në fakt produkt i zgjedhjeve të ndërgjegjshme nga individë të caktuar dhe se normaliteti – sado i mërzitshëm dhe i papërsosur – ka qenë gjithnjë i mundur për t’u arritur. Thjesht ia kanë mbyllur derën.

Por Z. Noka do të kthehet së shpejti në sallën e Kuvendit. Siç ndodh me armëpushimet, edhe kjo paqe e ka një datë skadence. Ta shijojmë qetësinë sa kohë do të zgjasë.