TIRANË - Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë do të përballet në gjykatë me dy akuza për shpërdorim detyre. E para për skandalin e vjedhjes së BSH dhe e dyta për blerjen nga banka të hotel Dajtit. Prokuroria e Tiranës njoftoi zyrtarisht mbylljen e hetimeve dhe dërgoi dosjen ndaj Ardian Fullanit në Gjykatën e Tiranës. Për akuzat që ka renditur organi hetimor në të dy rastet ish-guvernatori rrezikon dënimin deri në 7 vjet burg. 

“Për Prokurorinë e Tiranës, në bazë të hetimeve, ka rezultuar se i pandehuri, ish- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani, nuk ka marrë masa për zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve të miratuara nga Këshilli i Mbikëqyrës, dhe moszbatimi i tyre ka ndikuar drejtpërsëdrejti në vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë, vjedhje për të cilën janë gjykuar persona të tjerë”, thuhet në njoftimin e organit të akuzës.

Në dosje është përfshirë i plotë edhe hetimi për blerjen e hotel Dajtit ku për Fullanin është njoftuar edhe në këtë rast akuza për shpërdorim detyre. 

“Po ashtu, Prokuroria e Tiranës e konsideron përgjegjës ish-guvernatorin Ardian Fullani në procedurat për blerjen e ish-hotel “Dajti” në vlerën 30 milion euro. Ish-guvernatori Adrian Fullani rezulton nga hetimet të ketë qenë personi që i ka bërë me dije anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë se do të blihej kjo pasuri e paluajtshme. Organi procedues çmon se procedura e ndjekur me prokurim të drejtpërdrejtë dhe veprimet e ndërmarra nga anëtarët e komisionit të prokurimit kanë qenë thjesht formale, për sa kohë që të gjitha këto procedura të nisura me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë datë 16.06.2010, janë kryer rreth një muaj më vonë nga momenti që Këshilli i Ministrave të vendoste për shitjen e ish-Hotel Dajtit pikërisht Bankës së Shqipërisë, si edhe duke caktuar dhe vlerën për shitjen e kësaj pasurie të paluajtshme”, thotë Prokuroria e Tiranës.

Me këto argumente Prokuroria e Tiranës vlerëson se ish-Guvernatori Fullani ka përgjegjësi ligjore, pasi nuk ka urdhëruar dhe ndërmarrë veprimet e nevojshme për vlerësimin real të kësaj pasurie të paluajtshme dhe se vlera me të cilën është blerë godina e ish-hotel “Dajti” është përllogaritur si pasuri “hotel”, në një kohë që ndërtesa nuk do të përdorej nga blerësi pra Banka e Shqipërisë, si biznes fitimprurës hotel, por si ambiente zyrtare pune. Kjo akuzë në bazë të kodit penal nëse vërtetohet nga gjykata mund të sjellë dënimin deri në 7 vjet burg të ish-guvernatorit Ardian Fullani.


kodi penal shperdorim detyre

Njoftimi zyrtar i Prokurorise se Tiranes

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimin dhe dërgon për gjykim kërkesën ndaj shtetasit Ardian Fullani, ish-guvernator i Bankës së Shqipërisë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. 

Për Prokurorinë e Tiranës, në bazë të hetimeve, ka rezultuar se i pandehuri, ish- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani, nuk ka marrë masa për zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve të miratuara nga Këshilli i Mbikqyrës, dhe moszbatimi i tyre ka ndikuar drejtpërsëdrejti në vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë, vjedhje për të cilën janë gjykuar persona të tjerë.

Po ashtu, Prokuroria e Tiranës e konsideron përgjegjës ish-guvernatorin Ardian Fullani në procedurat për blerjen e ish-hotel “Dajti” në vlerën 30 milion euro.
Ish-guvernatori Adrian Fullani rezulton nga hetimet të ketë qenë personi që i ka bërë me dije anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë se do të blihej kjo pasuri e paluajtshme. Organi procedues çmon se procedura e ndjekur me prokurim të drejtëpërdrejtë dhe veprimet e ndërmarra nga anëtarët e komisionit të prokurimit kanë qenë thjesht formale, për sa kohë që të gjitha këto procedura të nisura me vendimin e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë datë 16.06.2010, janë kryer rreth një muaj më vonë nga momenti që Këshilli i Ministrave të vendoste për shitjen e ish-Hotel Dajtit pikërisht Bankës së Shqipërisë, si edhe duke caktuar dhe vlerën për shitjen e kësaj pasurie të paluajtshme.

Prokuroria e Tiranës vlerëson se ish-Guvernatori Fullani ka  përgjegjësi ligjore , pasi nuk ka urdhëruar dhe ndërmarrë veprimet e nevojshme për vlerësimin real të kësaj pasurie të paluajtshme dhe se vlera me të cilën është blerë godina e ish-hotel “Dajti” është përllogaritur si pasuri “hotel”, në një kohë që ndërtesa nuk do të përdorej nga blerësi (Banka e Shqipërisë) si biznes fitimprurës hotel, por si ambjente zyrtare pune. 

 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)