TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga Partia Demokratike dhe lajmet e publikuara në disa media për procedurën e blerjes së tre avionëve zjarrfikës. Në një deklaratë për mediat, Ministria e Mbrojtjes sqaron se tenderi është zhvilluar në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe se kompania fituese, Aviation Trade Europe S.L. , plotëson të gjitha kriteret ligjore. Sipas saj nuk ka pasur tender sekret, por në garë kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë dhe fitues u shpall ai me oferën më të ulët. Ndërsa operatori tjetër u skualifikua nga gara pasi nuk plotësonte kriteret ligjore të kualifikimit, kapacitetit ekonomik dhe teknik.
“Procedura është zhvilluar si procedurë konkurruese për qëllime ushtarake, në përputhje me legjislacionin shqiptar për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Në garë morën pjesë dy operatorë ekonomikë. Operatori fitues paraqiti ofertën me çmimin më të ulët, ndërsa operatori tjetër u skualifikua pasi nuk plotësonte kriteret ligjore të kualifikimit, kapacitetit ekonomik dhe teknik”, thuhet në deklaratë.
Ministria hedh poshtë po ashtu edhe akuzat e PD se kompania nuk mund të merrte pjesë në procedura tenderuese pasi është e dënuar në Spanjë për manipulime tenderësh.
“Ministria e Mbrojtjes ka shpallur fituese kompaninë Air Tractor Europe S.L., e cila është përfshirë në vendime gjyqësore në Spanjë që lidhen me manipulimin e tenderëve, dhe korrupsionin në sektorin e avionëve të shuarjes së zjarreve.
Vendimet e autoriteteve gjyqësore spanjolle, përveç dëmit korruptiv të paktën 150 milion euro, së bashku me vendimin e gjykatës supreme në Greqi në 2024, pengojnë kompaninë të marrë pjesë në procedura të prokurimit publik në vendet e Bashkimit Europian. Në fakt edhe legjislacioni shqiptar përmban të njëjtat klauzola penalitetesh”, tha Genta Vangjeli, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD.
Ministria thekson se kompania ka paraqitur certifikatën e regjistrit penal, e cila vërteton mungesën e çdo rekordi penal. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, çështja gjyqësore në Spanjë nuk ka marrë ende formë të prerë dhe ndodhet në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Për këtë arsye, ajo nuk prodhon efekte juridike dhe nuk përbën shkak për përjashtimin e kompanisë nga procedurat e prokurimit.
"AVIATION TRADE EUROPE S.L. ka paraqitur certifikatën e regjistrit penal që vërteton mungesën e çdo rekordi penal. Pretendimet e referuara në media lidhen me një çështje tjetër gjyqësore në Spanjë, ku vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë dhe është në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Për rrjedhojë, ai nuk prodhon efekte juridike”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se kompania ka vijuar të kontraktojë normalisht me administrata publike të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, duke përmendur kontratat me Ministrinë e Mbrojtjes së Qipros dhe Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi.
PD kërkoi anulimin e procedurës dhe i bëri thirrje SPAK për nisjen e hetimeve. Shqipëria do të marrë në total 3 avionë, një prej të cilëve ka operuar edhe për shuarjen e flakëve në Mallakastër.
Deklarata e plotë e Ministrisë së Mbrojtjes
Në lidhje me deklaratën e bërë së fundmi nga Partia Demokratike si dhe qarkullimin në disa portale mbi procedurën e prokurimit për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, Ministria e Mbrojtjes sqaron opinionin publik se çdo procedurë prokurimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar në fuqi, mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë.
Ministria e Mbrojtjes hedh poshtë pretendimet se bëhet fjalë për një "tender të mbyllur" apo për një procedurë të zhvilluar në kundërshtim me ligjin. Procedura është zhvilluar si procedurë konkurruese për qëllime ushtarake, në përputhje me legjislacionin shqiptar për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Në garë morën pjesë dy operatorë ekonomikë. Operatori fitues paraqiti ofertën me çmimin më të ulët, ndërsa operatori tjetër u skualifikua pasi nuk plotësonte kriteret ligjore të kualifikimit, kapacitetit ekonomik dhe teknik.
Po aq i pavërtetë është edhe pretendimi se kompania fituese ndodhet nën ndalim për të kontraktuar me administratat publike. AVIATION TRADE EUROPE, S.L. ka paraqitur certifikatën e regjistrit penal që vërteton mungesën e çdo rekordi penal dhe ruan të drejtën e plotë për të marrë pjesë në procedura publike prokurimi.
Pretendimet e referuara në media lidhen me një çështje tjetër gjyqësore në Spanjë, ku vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë dhe është në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Për rrjedhojë, ai nuk prodhon efekte juridike dhe nuk përbën bazë ligjore për përjashtimin e asnjë operatori ekonomik nga procedurat e prokurimit.
Kompania ka vijuar të kontraktojë normalisht me administrata publike të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë vitet e fundit Ministrinë e Mbrojtjes së Qipros dhe Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi.
Investimi për sigurimin e kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve është një projekt me rëndësi strategjike për rritjen e sigurisë civile, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, të pasurisë dhe të mjedisit. Për këtë arsye, Ministria e Mbrojtjes mbetet e angazhuar që çdo procedurë të zhvillohet me përgjegjësi të plotë, në respekt të ligjit dhe të interesit publik.
Ministri Ermal Nufi ka reaguar lidhur me akuzat e ngritura nga PD për procedurën e blerjes së 3 avionëve zjarrfikës. Ministri i Mbrojtjes shprehet se PD po bën tymnajë pasi investimi është bërë konform ligjit duke u fituar nga oferta më e ulët. Ai nënvizon se çështjet e sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes nuk duhet të kthehen në politike.
“Në këtë situatë zjarresh dhe pune të jashtëzakonshme të të gjithë efektivëve zjarrfikës, të Emergjencave Civile në Forcat e Armatosura, të pilotëve heronj të Forcës Ajrore, reagimi dhe akuzat e Partisë Demokratike janë krejt të pakuptimta duke zgjedhur të bëjë tymnajë me dy prej hapave më të rëndësishëm të ndërmarra së fundmi nga Shqipëria për sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen civile.
PD nisi një sulm e deri padi në gjykatë, për marrëveshjen e Huasë FMF prej 302 milion dollarësh me SHBA; dhe tani në vend që të solidarizohet me efektivët e emergjencave civile në gjithë Shqipërinë (që mund të jenë të majtë apo të djathtë), të cilët po i shërbejnë atdheut për të përballuar situatën e zjarreve, sulmojnë edhe investimin për pajisjen e Shqipërisë me 3 avionë të dedikuar për shuarjen e zjarreve.
Investimi në tre avionët e rinj zjarrfikës, i cili fillon që me trajnimin në kushte dhe kohë reale të pilotëve tanë për përdorimin e tyre, ka si qëllim të forcojë kapacitetet tona në kuadër të mbrojtjes civile.
Ky është një investim i bërë plotësisht konform legjislacionit shqiptar në fuqi, mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë, i cili sipas ligjit është fituar nga oferta më e ulët. Mbi të gjitha, ky investim ka rëndësi strategjike për rritjen e sigurisë civile, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, të pasurisë dhe të mjedisit.
E kam thënë dhe do e përsëris sa herë të jetë e nevojshme: çështjet që prekin sigurinë kombëtare, mbrojtjen civile dhe/apo partneritetet strategjike nuk duhet të jenë fushë për konsum politik. Dhe nëse ndodh: rasti më i mirë është padije; ndër rasti më i keq është dashakeqësi kundër interesit qytetar dhe atij kombëtar. Kjo, në mes të një situate emergjencash civile që po menaxhohen me profesionalizëm nga heronjtë në vijën e parë të zjarrit dhe nga të gjitha strukturat bashkiake, agjencitë shtetërore dhe nga efektivët e Forcave të Armatosura, për të cilët gjej rastin t'i shpreh mirënjohjen më të thellë dhe falënderimin për punën dhe shërbimin ndaj Shqipërisë”, shprehet Nufi.








Komente
Komento