Tremujori i dytë i vitit ka regjistruar një rritje të fortë të investimeve të huaja direkte. Afro 741 milionë euro është fluksi i investimeve direkte në muajt prill, maj dhe qershor thotë Banka e Shqipërisë me një rritje prej 86%, ose 398 milionë euro më shumë se një të njëjtin tremujor vjet.

Gjithë këtë rritje Banka e Shqipërisë ja atribuon një ‘projekti madhor’ në pasuri të patundshme por pa zbuluar se për cilin bëhet fjalë.

“Kjo rritje u ndikua ndjeshëm nga flukse të lidhura me një projekt të rëndësishëm zhvillimi në sektorin e pasurive të paluajtshme”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Por kjo periudhë kohore koicidon me pagesat për projektin e Zvërnecit. Një transfertë prej 195 milionë dollarësh u bë në fund të majit 2026 për llogari të pronarëve shqiptarë të tokës, ku parashikohet të ndërtohet resorti luksoz turistik.

Ndërsa si periudhë 6-mujore investimet e huaja direkte kanë kaluar shifrën e 1.1 miliardë euro, nga 759 milionë euro vjet në të njëjtën periudhë. Në vitet e fundit fokusi i investitorëve është i përqendruar kryesisht në pasuritë e patundshme, të cilat kanë marrë 30% deri në 40% të investimeve të huaja.

Për ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme, Shqipëria është ende një treg me leverdi për të huajt, pasi çmimet e pronave për ata janë të përballueshme. Por tregu real-estate është edhe më i lakuari për pastrimin e parave.

INVESTIMET E HUAJA DIREKTE
Janar-Qershor 2025         759 mln euro
Janar-Qershor 2026      1.144 mln euro
Diferenca                      + 385 mln euro