Blinken në Tiranë dhe ‘valixhja’ diplomatike për Shqipërinë e rajonin

Blinken në Tiranë dhe ‘valixhja’ diplomatike për Shqipërinë e rajonin

Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken

Vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken në Tiranë nuk është thjeshtë një vizitë rutinë e kryediplomatit të shtetit më të fuqishëm dhe më demokratik të botës në kryeqendrën e një shteti të vogël në cep të Ballkanit.

Mbërritja e sekretarit Blinken dhe mbi të gjitha mesazhet që pritet të përcjellë, janë me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë por dhe për gjithë rajonin e Ballkanit. Prandaj pritet me shumë interes hapja e ‘valixhes’ diplomatike të Blinken në Tiranë.

Interesi i lartë për këtë vizitë vjen dhe për faktin se në këtë rajon të trazuar, nën trysninë e ndikimit rus dhe aktorëve të tjerë që e shohin Ballkanin ende si një ‘fuqi baruti’ gati që të shpërthejë, si dhe nën dikimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, çdo gjë mund të ndodhë.

Vizitën e Blinken shumica e shqiptarëve, e pret me shumë interes pasi është një mbështetje për Tiranën zyrtare por dhe për tërë botën shqiptare të shtrirë në rajon, që nga Mali i Zi, Presheva, Kosova e deri në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët e shohin SHBA si një vend mik dhe si aleatin më të ngushtë të tyre, që ka dhënë dhe jep mbështetje në të gjitha herët, sa herë që kemi qënë në udhëkryq dhe kemi pasur nevojë për ndihmë. Që në fillim të shekullit të kaluar e deri më tani.

Por ka dhe shqiptarë e grupe shqiptarësh, ka dhe politikanë dhe grupe politikanësh, ka dhe liderë politikë në Shqipëri apo në rajon, të cilët e presin me shumë siklet vizitën e Blinken në Tiranë, takimet e tij me Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, takimet ndoshta dhe me kreun e SPAK.

Por mbi të gjitha presin me siklet mesazhet që Blinken do përcjellë për Shqipërinë e shqiptarët, si dhe për të gjithë rajonin, pasi ka zgjedhur pikërisht Tiranën për të deklaruar qëndrimin e SHBA për shumë e shumë çështje që e shqetësojnë Shqipërinë dhe Ballkanin.

Jo vetëm në Shqipëri, por dhe në kryeqendrat e rajonit, nuk ia ‘falin’ Tiranës zyrtare që krijoi mundësinë që të jetë mikëpritësi i vetëm i Sekretarit Amerikan të Shtetit, dhe mbi të gjitha faktin që është dhe për SHBA, qendra e rajonit është Tirana, nga ku qeveria amerikane përcjell mesazhet e saj për liderët dhe qytetarët e tërë Ballkanit. Por i dërgon mesazhet dhe më larg.

Nuk ka asnjë ‘faj’ Shqipëria, që përmes lidershipit të saj qeverisës është partneri më i besueshëm në rajon e më gjërë, aq sa ka krijuar sigurinë absolute se Tirana zyrtare është aleati më besnik i Uashingtonit në tërë Ballkanin.

Qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka treguar dhe po tregon se është një partner i çmuar për SHBA, që ndikon fort në stabilitetin e rajonit, që është një bashkëpunuese energjike dhe në sfidat globale, e treguar më së miri në periudhën e bashkëkryesimit të Këshillit të Sigurimit të OKB, teksa drejtoi me kompetencë dhe debatin më të rëndësishëm të pas luftës së dytë botërore, agresionin rus në Ukraninë. Madje duke patur nëpër këmbë dhe konfliktin e pakërkuar mes Serbisë e Kosovës, nga liderët mistrecë e neto ballkanikë, Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti.

Vizita e Blinken në Tiranë, ka krijuar në Shqipëri, në njërën anë gëzim deri në eufori dhe me të drejtë se shihet si një mbështetje e fortë për Shqipërinë, por dhe si një ‘bonus’ për mazhorancën e liderin e saj kryeministrin Edi Rama, që shihen si partnerët më të besueshëm në Shqipëri dhe rajon, të cilëve mund t’u besohet e do mbështeten për të përcjellë më tej stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Pasi Shqipëria është i vetmi vend stabël në Ballkan, dhe ku ka më mirë që mesazhet e aleatit tonë më të madh dhe strategjik, SHBA, të përcillen dhe më tej në rajon pikërisht nga një vend që është shembull stabiliteti dhe zhvillimi.

Por vizita e Blinken në Tiranë ka shkaktuar jo vetëm xhelozi, do ishte më e pakta, por sakëlldi tek një pjesë të klasës politike shqiptare, dhe sidomos tek opozita radikale në vend. E shprehur në fillim me hedhjen në media të lajmeve se informacioni për vizitën e Blinken në Tiranë nuk është i vërtetë, por dhe me tërë sjelljen e mëvonshme të përfaqësuesve të kësaj opozite.

E themi se ka sjellë sakëlldi kjo vizitë e Blinken, pasi është pikërisht Sekretari Amerikan i Shtetit që firmosi me dorën e tij shpalljen ‘non grata’ të liderit të Foltores Sali Berisha e familjes së tij për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhin të drejtësisë.

Berisha ishte njeriu që e akuzoi direkt Blinken si produkt dhe i ndikuar nga Soros. Madje ka bërë dhe një padi në drejtim të tij si reagim ndaj shpalljes ‘non grata’ në SHBA, fati i të cilës ende nuk dihet, pasi padia është bërë në Paris dhe deri më tani shihet nga shqiptarët si një lëvizje thjeshtë për të fituar kohë dhe për të goditur Bashën, i cili e përjashtoi nga grupi parlamentar dhe më pas nga PD. Goditje të cilën Berisha mund ta kishte bërë dhe pa sajuar këtë ‘barcaletën’ e padisë së Blinken në gjykatën franceze, ku as vetë Berisha nuk e di se për çfarë ankohet.

Grupimi më i madh i opozitës, Foltorja, që ka dhe Gazment Bardhin e të tijtë tashmë brenda, është në një hall të madh nga vizita e Blinken në Tiranë. Pasi në krye të herës ende nuk di si të sillet, do ta përshëndesë vizitën e kreut të diplomacisë amerikane në Shqipëri, siç ka bërë opozita në të gjitha herët që nga viti 1990 për vizitën e çdo zyrtari të lartë amerikan në Shqipëri, apo do të heshtë. Ose larg qoftë ta vijojë sulmet siç ka bërë deri më tani.

Halli se çfarë qëndrimi do të mbahet për vizitën e Blinken në Tiranë doli dhe në mbledhjen e grupit parlamentar të Foltores, teksa një nga deputetet e këtij grupimi pyeti për këtë qëllim, duke kërkuar nga Bardhi dhe Flamur Noka që ta prezantojnë sa më parë, pasi vizita është në prag.

Duke qënë se Bardhi e Noka nuk flasin dot pa pyetur liderin e Foltores Sali Berisha, i cili është në izolim, nën arrest shtëpiak në pallatin e tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, atëherë pritet vendimi po i Berishës për ta përcjellë përmes dy ‘kasnecëve’ të tij Bardhi e Noka tek grupi parlamentar e lidershipi i këtij grupimi politik, dhe më pas në publik.

Duke qënë se vizita e Blinken përkon dhe me seancat në Kuvend, por mund të jetë takimi në kryeministri me Ramën dhe në ‘orarin’ e tubimeve të atyre 30-40 vetave poshtë dritares së Berishës në rrugicën e “Salës’ jo larg godinës kryeministrore, nuk besojmë që deputetët e Foltores do të përsërisin skenat e dhunshme të mbi dy muajve me thyerje karrigesh, shkulje mikrofonash, hedhje tymuesesh e deri tek hyrja nga dritarja për të bllokuar punimet e Kuvendit. Apo larg qoftë të bëjnë ndonjë protestë kundër Blinken, si firmatari i shpalljes ‘non grata’ të Berishës për korrupsion madhor, akuzë të cilën ka ngritur dhe SPAK dhe po e heton intensivisht.

Në rastin e kryerjes së këtyre veprimeve, Blinken dhe sikur të ketë menduar të jepte mesazhin për opozitën, thjeshtë përmes injorimit deklarativ, duke përmendur vetëm orientimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve drejt të ardhmes, duke lënë pas të shkuarën, në rastin e sjelljes siç dinë të sillen mbështetësit e Berishës, mund të lëshonte dhe deklarata të forta ndaj radikalëve shqiptarë, si cënues të sigurisë kombëtare në këtë situatë të trazuar dhe për pasojë dhe vetë strukturës së NATO- që SHBA udhëheq, në këtë situatë pëplasjeje me Rusinë, për shkak të agresionit të Putin ndaj Ukrainës. Me argumentin se kufijtë e NATO-s duhet të jetë të sigurtë.

Ndaj themi që Foltorja është në hall, për qëndrimin që do të mbajë ndaj vizitës së Blinken në Tiranë, qëndrim që besojmë fort se do ta shpërshfaqë Berisha në mitingun e tij në majë të ballkonit, teksa do deklarojë miqësi të përjetshme me SHBA-në. Kuptohet pa Blinken brenda.

Por hapja e ‘valixhes’ diplomatike të Blinken në Tiranë, pritet jo pa sakëlldi dhe nga liderët e rajonit. I pari presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili po lëviz si ‘lavjerrës’ mes Perëndimit dhe Rusisë, me aplitudë më të fortë në drejtim të kësaj të fundit. Si dhe duke shkaktuar konflikte e trazira në Kosovë, në përpjekje për të ngritur një vatër të dytë konflikti në rajon, për t’i dhënë dhe një ‘dorë’ mikut të tij Putin, i zënë ngushtë nga qëndresa e fortë ukrainase.

Mesazhi për Beogradin pritet të jetë i qartë,për zgjidhje të mosmarrëveshjeve dhe konflikteve me Kosovën, përmes nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, nën mbikqyerjen e BE dhe me mbështetjen amerikane, për t’i dhënë fund konfliktit të stisur, por që përmban brenda kjo marrëveshje dhe njohjen e shtetit më të ri në Evropë, Kosovës. Eshtë detyrim për Serbinë kjo.

Nga ana tjetër mesazhet e Blinken nga Tirana, mund të krijojnë sakëlldi dhe te Prishtina zyrtare. Prej së cilës deri më tani nuk ka ardhur asnjë deklaratë që e vlerëson këtë vizitë, përpos tek tuk ndonjë vlerësim nga ndonjë lider i opozitës kosovare.

Mesazhi i parë që me zyrtarizimin e vizitës së Blinken është dhënë për Albin Kurtin kreun e qeverisë së Kosovës, është përzgjedhja e Tiranës prej tij dhe takimi me kreun e qeverisë shqiptare. Pra “baba” vazhdon të jetë Edi Rama, dhe përpjekjet e Kurtit për të qënë ai lider i gjithë shqiptarëve në tërë rajonin, duke futur hundët sa në Tiranë, në Malin e Zi e më shumë në Maqedoninë e Veriut, kanë dështuar me sukses. Dhe Albini e di fort mirë atë shprehjen e vjetër shqiptare përshëndetëse kur i jepej dora e takohej vetëm aktori kryesor në ‘mexhlis’: ‘Tungjatjeta bajraktar, tungjatjeta dhe ju të tjerët”.

Por mesazhi më i fortë nga Blinken për qeverinë e Kosovës dhe veçanërisht për Albin Kurtin pritet të jepet në lidhje me situatën e krijuar me Serbinë për shkak të vendimit për heqjen nga qarkullimi direkt të dinarit serb. Anipse qeveria e Kosovës ka gjithë të drejtën e Zotit të respektojë Kushtetutën e vet. Por ama jo menjëherë, dhe pa pyetur aleatët e mëdhenj, SHBA, BE dhe Britaninë. Duke i kthyer aleatët kundër dhe qëndrimin e vet aleatët ia kanë thënë jo vetëm përmes ambasadorëve në Prishtinë, por dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB.

Një mesazh të tillë Kurtit me sa duket do ia përsërisë qeveria amerikane dhe përmes Sekretarit Blinken nga Tirana, përmes paralajmërimeve të tjera që mund ta shoqërojnë këtë mesazh. I cili nga qeveria e Kosovës nuk mund të kalojë as duke akuzuar Serbinë për genocid, ku SHBA e di më mirë se të gjithë këtë punë, pasi hodhi tonelata bombash mbi Beograd në vitin 1999 derisa e zbythi Serbinë nga Kosova. Dhe ka mbështetur Kosovën e pas-luftës nga ‘A’ tek “Zh”-ja.

Një mesazh i tillë nga SHBA nuk mund të kalohet as duke përdorur si ‘tabelë’ Vuçiçin për mbështetjen e akteve terroriste në Kosovë, pasi ia kanë bërë të qartë vetë SHBA dhe aleatët e tjerë të mëdhenj këtë gjë presidentit serb dhe nuk kanë pse e marrin vesh nga Albin Kurti. Por nuk mund të zhbëhen mesazhe të tilla as nga lajmet e dhëna nga televizioni shtetëror i Kosovës, RTK për publikun, referuar burimeve po shtetërore të shërbimit sekret kosovar, se ka pasur një përpjekje për t’i bërë atentat Albin Kurtit në Shkup. Ndërkohë që qeveria maqedonase e mohoi një gjë të tillë, ndërsa shërbimet partnere kanë heshur duke mos dhënë asnjë deklaratë, ndonëse janë pyetur. Nuk përjashtohet mundësia që të jetë i vërtetë ky informacion.

Ndonëse nuk bëjmë hamendësime, por na duket si ‘film’ i parë më herët ky. Siç jepte dikur lajme ekskluzive televizioni shtetëror shqiptar për organizim atentatesh ndaj udhëheqjes së lartë. As sot nuk pret askush një lajm ekskluziv nga RTSH për pasojë as nga RTK, lajme që kanë të bëjnë me konspiracione themi.

Gjithsesi nuk hamendësojmë, ndonëse mund të themi se shërbimi me apo pa dashje që Kurti po i bën Vuçiç është i paçmuar për të, dhe më i interesuari që kryeministri i Kosovës të qëndrojë në atë post shëndosh e mirë është Beogradi. Pasi ka marrë gjithnjë atë që ka dashur, pra atë që ka humbur me luftë, por e ka marrë thjeshtë e vetëm duke futur në ‘kurth’ dhe tërhequr në lojën politike, Kurtin. Që bën çdo gjë për të qëndruar në pushtet, pavarësisht kostos së lartë që i shkakton Kosovës. Deri dhe në izolim ndërkombëtar.

Blinken mund të ketë një mesazh të fortë dhe për Maqedoninë e Veriut, e cila hyn për pak javë në zgjedhje, për herë të parë me një kryeministër shqiptar. Ku SHBA kërkon sërish vazhdimin e orientimin pro-perëndimor të Shkupit, përballë një opozitë pro-ruse. Pjesë e së cilës për inat të Ali Ahmetit dhe Edi Ramës është bërë dhe Albin Kurti, duke garuar me Vetëvendosjen e tij dhe atje. Dhe duke i përçarë partitë shqiptare në prag të zgjedhjeve.

Mesazh pritet të ketë dhe për Shqipërinë, si një partner i besueshëm e një qeverisje të besueshme, me orientim thellësisht perëndimor, besnike ndaj SHBA. Çka e ka bërë Shqipërinë një lojtare të fortë pro-perëndimore në rajon. Këtë do ta bëjë gjatë takimit me Ramën me të cilin mund të ketë dhe një konferencë për mediat. Blinken me shumë mundësi do shprehë dhe falenderimin për këtë këtë rol që ka luajtur dhe luan Shqipëria, si dhe për qasjen pozitive sa herë që është kërkuar kontributi i saj për stabilitetin në rajon, apo në rastin e refugjatëve afganë. Mund të japë mesazh dhe për konsolidimin e sundimin e ligjit, duke kërkuar të thellohet lufta kundër korrupsionit për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë. S’përjashtohet dhe ndonjë takim me kreun e SPAK Altin Dumani. Gjasat janë, asgjë s’është lajmëruar deri më tani.

Dhe në fund të herës, vizita e Blinken në Tiranë, është një tregues i qartë i mbështetjes së SHBA për Shqipërinë, një vlerësim i fortë për Shqipërinë si një partner serioz dhe besnik në tërë rajonin. Jo pa qëllim vizita e Blinken në Tiranë, është pak ditë para samitit të Ballkanit të 28-29 shkurtit në Tiranë, për paqen, sigurinë dhe integrimin në BE. Ku pritet të marrë pjesë dhe presidenti i Ukrainës, Zelensy. E ka lajmëruar Rama që nga Shkupi këtë vizitë të parë të presidentit ukrainas në Shqipëri. Nuk përjashtohet mundësia të diskutohet dhe zhvillimi i këtij Samiti me Blinken. Ka rëndësi, pasi diskutohet dhe për sigurinë e Ukrainën, dhe Shqipëria shihet si lidere e rajonit.

Pra, sidomos në këtë situatë, vizita e Blinken ka një rëndësi historike për Shqipërinë dhe rajonin. Pa diskutim që këtu përfshihet dhe mazhoranca socialiste dhe Edi Rama, si partnerët e vetëm të SHBA në Shqipëri. Përballë grupimit më të madh opozitar, që është pozicionuar tashmë kundër SHBA, BE e Britanisë. Por dhe përballë liderëve konfliktualë dhe mistrecë në rajon, që për përfitime politike janë gati të ngjallin konflikte të vjetra dhe të shkaktojnë konflikte të reja. Të presim, disa ditë mbeten deri në mbërritjen e Blinken në Tiranë. Java

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?