Puna për ndërtimin e pallateve, resorteve dhe çdo lloj aktiviteti në fushën e ndërtimit do të bllokohet përgjatë 4 muajve, nga qershori deri në shtator, në gjithë zonën turistike të Shëngjinit.

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, gjatë një takimi që zhvilloi me bizneset u shpreh se nuk do të lejohet asnjë betoniere që të hyjë në Shëngjin nis nga data 1 qershor.

“Ndërtuesit tani t'i japin zjarr se më 1 qershor s'do hyjë asnjë betoniere në Shëngjin”, tha Ndreu.

Kreu i Dhomës së Tregtisë për Lezhën, Pashk Palokaj kundërshtoi Ndreun, duke deklaruar se nuk mund të bllokohet puna në sektorin e ndërtimit, i cili është kontributori më i madh i të ardhurave.

"S'mund të bllokohet puna! Qershori duhet të jetë me orar të kufizuar në mëngjes dhe darkë, por jo bllokim total se ndërtimi është kontribuesi më i madh sa i përket të ardhurave, më shumë se turizmi e të gjithë sektorët. Ata që kanë hoteleri kanë dhe ndërtime, e kanë biznesin e gërshetuar", u shpreh Palokaj.

 Ndreu foli dhe për ndërtimet pa leje dhe ndotjen nga inertet, duke paralajmëruar gjoba dhe burg për ata që vendosin qoftë një tullë pa leje.

“Do të ushtrojmë kontroll tek të gjitha kompanitë e ndërtimit. Duhet ta kenë ndërtimin të rrethuar me llamarinë dhe s'dua inerte gjatë sezonit të plazhit. Tani do të prokurojmë tenderin për kamerat e sigurisë dhe gjithë territorin do ta monitorojmë me kamera. Ka vatra që mezi i vëmë para, mos gabojë kush të vendosë një tullë të paligjshme, boll më. Nuk jam i varur prej askujt dhe s'dua t'ia di, do ju çoj policinë aty dhe mos më thoni që s'ju kam thënë”, vijoi kryebashkiaku.

Masat shtrënguese ndaj bizneseve të ndërtimit vijnë në kuadër të përgatitjeve për sezonin turistik. Çdo vit Lezha pret qindra mijëra turistë në plazhe dhe monumentet e trashëgimisë kulturore.