Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi është e ftuara e sotme në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në Report Tv. Bojkoti i opozitës, rreziku i djegies së mandateve, protesta e banorëve të "Unazës së Re" si dhe sfidat e ardhshme të PD e LSI përpara zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, ishin në fokus të intervistës së kryetares së LSI,  

Fillimisht Kryemadhi ka komentuar deklaratat e bëra nga vetë ajo në një studio televizive javën e kaluar kur vlerësoi punën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliajt. Kryetarja e LSI tha se nuk ndryshon qëndrim duke shtuar se nuk mund të mohojë punën e Veliajt në ndërtimin e shkollave, çerdheve apo dhe rrugëve. Megjithatë, sipas saj, Rama nuk do ta kandidojë për një mandat të dytë për shkak se i druhet popullaritetit të Veliajt. 7 muaj përpara zgjedhjeve vendore, Kryemadhi zbulon edhe emrat e diskutuar nga opozita si Dash Shehi dhe Ylli Manjani, por zyrtarizimi i kandidatit për Tiranën, sipas saj, do bëhet gjatë muajit janar.

Sa i takon djegies së mandateve, një tezë kjo e cila qarkullon vazhdimisht në qarqet e opozitës, por këtë herë e nxitur edhe nga bojkoti i stërzgjatur i Kuvendit, Kryemadhi u shpreh kundër, duke deklaruar se mandatin ajo e ka fituar me gjak dhe se Edi Rama nuk mund t'ia heqë atë... 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:32
Kryemadhi: Opozita do marrë pjesë në zgjedhje, Ramën do e rrëzojnë emigrantët

Nuk është qëndrimi për Erion Veliaj, por edhe teza e pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme vendore e ndan LSI-në nga PD-ja. Te emisioni “5 pyetjet nga Babaramo” Report Tv, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u shpreh se opozita do marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit. Ajo theksoi se forca politike që drejton është shumicë, ndërsa shtoi se Ramën do ta rrëzojnë nga pushteti emigrantët. “Sigurisht. Pse jo? Unë jam shumicë. Sot të shkojmë në zgjedhje dhe kam sigurinë që do ta këpusim. do të kthehen emigrantët dhe do ta rrëzojnë. Nuk do të pyes unë më për ndërkombëtarët që rrinë dhe vëzhgojnë zgjedhjet. Si e bëj e di unë”, tha kryetarja e LSI.
 

Ora 22:31
A do t’u rikthehet opozita protestave? Kryemadhi: Nëse shkojmë te Kryeministria nuk ka kthim pas...

Opozita do t’u rikthehet protestave në shesh, por ende nuk dihet se kur. Monika Kryemadhi e la të hapur si mundësi përshkallëzimin e aksionit nga opozita nëse Edi Rama, siç tha ajo, nuk reflekton për premtimet që ka bërë. Megjithatë, kryetarja e LSI paralajmëroi kryeministrin se nëse protestuesit shkojnë te Kryeministria atëherë nuk do të ketë kthim pas. "Po, jemi drejt asaj rruge nëse ai nuk reflekton për premtimet që ka bërë. Ndoshta dalin njerëzit më shpejt se ne. Protestat tek “Astiri” janë nisur nga vetë banorët dhe thjesht i mbështesim. Nëse shkojmë tek kryeministria nuk ka më kthim pas. Kur të mblidhen minatorët që sot nuk bën lajm njeri, unë do t’i paguaj autobusin, do t’i strehoj në shtëpitë e anëtarëve të partisë time. Do të thonë ndërkombëtarët, ata që e sollën në pushtet, aman hiqeni këtë njeri...", u shpreh Kryemadhi.

Ora 21:51
Kryemadhi paralajmëron skandalin: Opozita ka përgjime të ministrave me segmente të krimit

Monika Kryemadhi deklaroi te "5 pyetjet nga Babaramo" se opozita disponon përgjime të ministrave të cilët komunikojnë me botën e krimit. Sipas saj, publikimi i tyre do ishte një nga skandalet më të mëdha që ka kaluar ndonjëherë politika shqiptare. Megjithatë ajo theksoi se opozita nuk do t'i bëjë publike përgjimet pasi një gjë e tillë është detyrë e prokurorisë. "Nuk i bëjmë publike sepse nuk është detyra jonë por e Prokurorisë. Është provë për Prokuroren e Përgjithshme. Opozita tashmë është në unison me qytetarët. Nuk kemi më kohë për të humbur. Nuk është më çështje përgjimesh. Po të ishte për përgjimet duhet të kishte ikur që para tre vitesh. Kjo qeveri nuk duhet të ishte njohur. BE dhe SHBA mbyllën sytë dhe veshët kur u blenë votat nga paratë e drpogës. Nuk publikojmë asgjë pasi është në provë Prokuroria. Përgjimet që ka opozita për qevritarët do t'i kenë edhe ndërkombëtarët këto dokumente. Jam e bindur që do të jetë një nga skandalet më të mëdhaja që ka kaluar ndonjëherë politika shqiptare. Nuk jam unë organizatorja por jam në dijeni".

Ora 21:48
‘Kush e quan Thaçin tradhtar është gomar’, Kryemadhi për deklaratën e Ramës: Është antishqiptar

Lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së dy qeverivë në Pejë se kush e quan Hashim Thaçin tradhëtar është gomar, Monika Kryemadhi i është përgjigjur se kreu i ministrave është antishqiptar.

“Edi Rama është më antishqiptari. Nuk e do bashkë Shqipërinë dhe Kosovën. Ai gjithmonë kur shkon në Kosovë provokon hapur. Ai ka qënë kundër Hashim Thaçit. Ia ka futur Rama në idenë e ndryshimit të kufijve. Ka qënë ideja e Ramës me djalin e Sorosit,”-tha në fund Kryemadhi.

Ora 21:41
Kryemadhi kundër djegies së mandateve: E kam fituar me gjak, Rama s'ma heq dot se e djeg unë me 'kuç e maç'

"Unë mandatin e kam fituar me gjak, Rama s'ma heq dot se e djeg unë me kuç e maç". Kështu shprehet kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ftuar te "5 pyetjet nga Babaramo", duke komentuar bojkotin e stërzgjatur të opozitës dhe tezën e djegies së mandatit. Ajo paralajmëroi kryeministrin se ai nuk mund t'ia heqë mandatin. "Unë mandatin e kam marrë me gjak. Nuk e lë Edi Ramën që të bëjë ç'të dojë. Nuk është problemi tek mandati im. Por hyj prapë unë, i fus një të votuar dhe dal prapë. Po ashtu nuk quhet bojkot. Ne jemi me shqiptarët. Mandati është i imi dhe jo i Edi Ramës, nuk ma heq dot mandatin ai mua. E djeg unë atë me kuç e me maç, me gjithë kriminelët. Me gjithë orgjitë politike që ai bën. Tani nuk e toleron më njeri LSI dhe PD, shumë shpejt as në PS. Ka future edhe kushërinj të deputetëve të PS të futur në burg". Kryemadhi mohon që opozita të jetë në bojkot të Kuvendit, ndërsa shton se deputetët janë në kontakt me banorët dhe se politika nuk bëhet vetëm nga foltorja e Kuvendit. "Kush tha që jemi në bojkot ne. E ka bojkotuar Rama, se unë jam atje me banorët. Të rrofshin fjalimet në parlament. Ai e ka bojkotuar parlamentin"

Ora 21:28
Gara për Tiranën, Kryemadhi zbulon dy nga emrat që po diskuton opozita: Vendosim brenda janarit

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zbulon dy nga emrat e diskutuar në radhët e opozitës për kryetar të Bashkisë së Tiranës. E ftuar në "5 pyetjet nga Babaramo", Kryemadhi tha se ndër emrat e diskutuar janë deputeti dhe kryetari i LZHK, Dash Shehi dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Sipas saj, propozimet konkrete do bëhen gjatë muajit janar kur edhe opozita të dalë me një emër të vetëm. "Zgjedhjet për Tiranën? Brenda janarit do të kemi emra. Kemi diskutuar Dash Shehin, Ylli Manjanin, e shumë e shumë të tjerë. Edhe fëmija im të jetë kandidat i Edi Ramës do të bëj fushatën më të egër kundër", u shpreh Kryemadhi.

Ora 21:08
Kryemadhi nuk ndryshon qëndrim për Veliajn: S'e mohoj dot punën e tij, ka ndërtuar shkolla, çerdhe e rrugë

Monika Kryemadhi ka mbajtur një qëndrim të diferencuar ndaj kryetari të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në raport me pjesën tjetër të opozitës. Te "5 pyetjet nga Babaramo", kryetarja e LSI-së u shpreh do t’i qëndronte fjalëve të saj pasi nuk mund ta mohonte punën e tij. "I qëndroj fjalëve të mia. Nuk e mohoj dot që s’ka shkolla dhe çerdhe. Nuk e mohoj dot që rrugët po pastrohen. Mandatin e tij i dytë do ta rrezikonte shumë kryetarllikun e Edi Ramës në krye të PS-së. Edi Rama nuk duron dot njerëz që e kalojnë popullaritetin që ka ai. Edhe Fatmir Xhafajn për këtë arsye e shkarkoi. E pamë të nesërmen në krah të Lali Erit. Për mua thonë ose pjesë e makinerisë së Lali Erit, ose pjesë e makinerisë së Edi Ramës për të tkurrur Erion Veliajn. Këta njerëz pse nuk shkruan për blerjën e anëtarve të LSI-së në Bashkinë e Tiranës, apo edhe kalimin e kompetencave për çështjen e Teatrit. Pse nuk shkruan kurrë? Rama e bën ushtarin e vet dhe e bën të shkelë ligjin sepse nuk e duron dot zhurmën. Të huajt kanë ndikuar që ai të kandidonte. Soros ka ndërhyrë që Veliaj të vihej në kandidim në Tiranë", u shpreh Kryemadhi.

Ora 21:01
'5 pyetjet nga Babaramo', Kryemadhi: Opozita s'është e përfshirë te protesta e 'Unazës së Re', por mbështesim banorët

E ftuar në emisionin "5 pyetjet nga Babaramo" në Report Tv, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka komentuar protestën e banorëve të "Unazës së Re". Kryemadhi ka folur mbi rolin e opozitës duke mos lënë pa përmendur edhe plagosjen e efektives së policisë, Ina Nuhut. Kryemadhi ka sqaruar se opozita nuk e përfshirë në këtë protestë, por ajo mbështet banorët. Sipas saj, projekti i qeverisë për zgjerimin e "Unazës së Madhe" është aferë korruptive. "Opozita nuk është e përfshirë në protestë. Ne mbështesim protestën. Deputetët e LSI-së e kanë për detyrë që të jenë atje pasi kanë marrë vota të konsiderueshme. Nuk ndodh askund që të dalin 7 ditë para afatit. Edhe lojërave të fatit i dhanë 2 vjet e gjysmë. Ka një mungesë serioziteti, pasi banorët kanë 27 vjet në zonë dhe kanë paguar çdo lloj takse dhe do të thotë që ti si shtet i ke njohur. Ajo tokë nuk ka pronarë dhe është ndarë me 7501. Ishte tokë bujqësore dhe e kam kaluar unë në Kuvend si truall. Nga njëra anë rruga spostohet shumë, nga ana tjetër spostohet më pak. Ky projekt është aferë korruptive. Projekti i Unazës së Re është në vlerën totale 100 milion euro. Kemi informacione por po i verifikojnë pasi na duket guxim shumë i madh. Rasti i Ina Nuhut do investiguar thellësisht. Nuk ka prova që e ka bërë ai që sot është në burg. Ç’është kjo polici që del kështu para njerëzve të irrituar? Ç’punë ka ''Shqiponja'' që të jetë në rresht të parë? E kanë me rregullore që të kenë veshur veshje të specializuar. A ka qenë ajo e trajnuar. Atë djalin e kanë rrahur. E rrahën në sy të deputeteve", u shpreh Kryemadhi