Nelson Hysa rikthehet sonte në ring në një prej skenave më prestigjioze të boksit evropian. Boksieri shqiptar do të përballet me norvegjezin e pamposhtur Thomas Narmo, në “O2 Arena” të Londrës.
Hysa vjen në këtë përballje me një rekord perfekt, 24 fitore në 24 ndeshje, ndërsa 22 prej tyre i ka siguruar me nokaut (K.O). Edhe kundërshtari i tij nuk njeh humbjen, me Narmon që ka bilanc prej 14 fitoresh në 14 takime.
Boksieri shqiptar, 41 vjeç, renditet aktualisht në vendin e gjashtë në WBA dhe të 11-in në WBO, ndaj një paraqitje bindëse në Londër mund t’i japë një shtysë të rëndësishme karrierës së tij dhe ta afrojë me përballjet e mëdha.
“Kam ardhur këtu për të treguar veten dhe për të përfaqësuar Shqipërinë. Është koha ime të rikthehem dhe t’i sfidoj emrat e mëdhenj”, është shprehur Hysa për BoxingScene.
Objektivi i shkodranit është i qartë, titulli botëror. Hysa ka kërkuar publikisht edhe një përballje me kampionin e WBC-së, Agit Kabayel, duel që sipas tij do të kishte një interesim të jashtëzakonshëm për shkak të komunitetit të madh shqiptar në Gjermani dhe pjesën tjetër të Evropës.
Por përpara se të mendojë për Kabayel apo emra të tjerë të mëdhenj, Hysa duhet të kalojë pengesën e radhës, Thomas Narmon.
Sonte në Londër 'Grushti i Hekurt' do të kërkojë fitoren e 25-të në karrierë, në një duel që mund të jetë një tjetër hap i rëndësishëm drejt ëndrrës së tij për t’u ngjitur në majën e boksit botëror.

Nelson Hysa kundër Thomas Narmo









Komente
Komento