Kjo është bërë e ditur gjatë një takimi që Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial mbajti me shoqëritë e tregtimit me shumicë GLN dhe përfaqësues të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
Ky takim u thirr nga kryeinspektori i ISHTI Gazmend Osmani, pati në fokus prezantimin për Sh.a, të dispozitave të reja ligjore që disiplinojnë tregtimin e sigurt të GLN me bombola për konsumatorin fundor dhe morën pjesë përfaqësuesit e Sh.a në vend, të cilët mirëpritën VKM dhe aktet e tjera ligjore, përmes të cilave sigurohen standarde më të larta sigurie dhe rregullim të plotë të tregut.
Shoqëritë propozuan që, përveç masave teknike dhe të tregut që janë përfshirë tashmë në aktet e reja, të rishikohet mundësia për ndryshime fiskale dhe për të vendosur akcizë ndaj GLN që shitet për automjetet.
Për këtë propozim të Sh.a drejtues të ISHTI, u shprehën se do të diskutohet bashkarisht me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, për rishikimin e këtyre politikave.
Kryeinspektori Gazmend Osmani, theksoi rëndësinë e regjistrimit të të gjitha bombolave pranë ISHTI, duke kujtuar këtu afatin kohor deri në fund të muajit prill për të cilin Sh.a janë njoftuar më herët.
Në zbatim të ligjit 10489/2011, ligjit 32/2016 VKM 212/2016 dhe urdhrit të ministrit 128/2016 ISHTI u drejtoi kërkesën të gjitha Sh.a për regjistrimin e të gjitha bombolave brenda muajit prill dhe marjen e masave për zbatimin e dispozitave të këtij urdhri.
Sh.a kanë detyrimin të mbushin vetëm bombolat e regjistruara, e që plotësojnë kushtet e sigurisë. Bombolat që qarkullojnë në treg mund të mbushen nga Sh.a vetëm nëse regjistrohen dhe i janë nënshtruar inspektimit teknik nga organet e pavarura të miratuara.
Në përfundim u konkludua që:
Sh.a do të përfundojnë procesin e regjistrimit brenda afateve të kërkuara dhe do të fillojnë procesin e nënshkrimit të marrëveshjes me organet inspektuese të miratuara, në përputhje me dispozitat e urdhrit të ministrit numër 128.
Sipas këtij urdhri, bombolat të cilat nuk përmbushin kriteret e sigurisë teknike dhe dokumentacionin vërtetues përkatës nuk mund të mbushen nga Sh.a.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)