/ATSH/- Tregu i bonove të thesarit po shënon qëndrueshmëri gjatë muajit të fundit të vitit 2014. Ulja e fundit e normës bazë të interesit në muajin nëntor nuk ka sjellë lëvizje të rëndësishme në treg.

Sipas BSH-së, në ankandet e kësaj jave, bonot 12 mujore u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi prej 3.31%, pothuajse në të njëjtat vlera me ankandin e fundit të muajit të kaluar. E njëjta gjë ndodhi edhe për bonot me maturim 6 mujor, që u kuotuan me një normë mesatare interesi prej 3.16%.

Bonot po e mbyllin vitin me interesa më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tremujori i fundit i vitit ka sjellë një korrektim të lehtë në rritje të interesave, pasi në muajin shtator ato kishin prekur nivelet më të ulëta të të gjitha kohërave. Stabilizimi i interesave duket rrjedhojë e një kërkese më të përmbajtur të sistemit bankar për tituj, që gjatë vitit e pati investuar tepricën e likuiditetit në këto instrumente.

Ekspertët e sistemit bankar presin që interesat të kenë një rritje të lehtë gjatë vitit të ardhshëm. Tashmë, kreditimi ka një përmirësim të lehtë, ndërsa rritja e depozitave bankare pothuajse ka ndaluar. Kjo do të thotë se sistemi bankar ka më pak tepricë liukuiditeti, ndërsa përmirësimi i mëtejshëm i aktivitetit privat në vend do të shtojë kërkesën për financime nga bankat.