Mungesa e transparencës dhe e sqarimit për këtë reformë të re e bazuar në bonuse mujore thotë eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli ka nxitur pakënaqësi tek qytetarët, të cilët nuk po marrin vlerën e pritur si kompensim mujor.
“Duhet ta thuash kush përfiton, sepse nuk janë pak, janë rreth 40.000 persona sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore që nuk marrin, pra në rast se ti si qeveri thua 730.000 pensionistë e përfitojnë shtesën mujore, të lutem thuaje të saktë e përfitojnë me limite. Që të mos ngelen njerëzit në radhë të parë pensionistët të pakënaqur”, thotë Çoçoli.
Tavanet e caktuara nga qeveria për pensionistët që do të përfitojnë nga këto bonuse duhet të ishin sqaruar më herët thotë eksperti.
“Duhet t'i kuptojnë mirë këto ndarje. Pra dakord si qeveri në pesë vjet do japësh 1.7 miliard euro por ama në mënyrën se si do t'i japësh duhet t'u shpjegosh njerëzve, sepse i krijon pritshmëri atyre që marrin 40.000 lekë pension, dhe tani do e shohin që nuk do të marrin”, thotë eksperti.
Pavarësisht formulës së ndjekur për këto shpërblime apo tavaneve të caktuara, Çoçoli thotë se ndikimi do të jetë pozitiv, pasi janë para shtesë në duart e pensionistëve.
“Pra jemi në një situatë që realisht po i shtohet fuqia blerëse e pensionistëve. Nuk mund ta quajmë rritje reale pensioni, sepse është çështje emërtimi, duhet të ndryshonte ligji mbi sigurimet po shoqërore, ama shtesë është ajo, rritje e fuqisë blerëse është, para më shumë pensionistët tanë marrin”, tha eksperti.
Duke qenë se qeveria ende nuk ka një vendim se çfarë do të ndodhë me shpërblimin e fundvitit për 2026-ën, pasi do të varet nga ecuria ekonomike e vitit, eksperti Çoçoli sugjeron që vëmendja duhet të jetë tek kategoria e pensionistëve që po përfitojnë më pak nga këto bonuse mujore.
“Pikërisht te këta 41% që marrin nga ky janar vetëm 8.000 lekë të vjetra në muaj, duhet menduar në dhjetor në rast se do të krijohet mundësia për bonusin e fundvitit. Për askënd tjetër”, thotë Çoçoli.
Lajmi kryesor:
Bonusi mujor i pensionit me kushte, kush merr mbi 40 mijë lekë në muaj nuk përfiton! Ja si do funksionojë skema e re me 727 mijë përfitues









