Reshjet e dëborës kanë prekur edhe kryeqytetin, ndonëse me intensitet të dobët. Flokët e parë të dëborës në Tiranë kanë nisur rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm dhe kanë zgjatur disa minuta duke krijuar edhe shtresën e parë të bardhë e cila nuk ka qëndruar gjatë. Bora është shkrirë pa zbardhur dita por gjithsesi 'gjurmët' e saj ishin prezente në disa zona të qytetit të Tiranës. Gjithashtu, reshje bore ka pasur edhe në Elbasan, Librazhd e Gramsh.
Ngricat e shkaktuara nga dëbora kanë shkaktuar bllokim në Rrugën e Kombit dhe kanë sjellë dy aksidente, të cilat fatmirësisht nuk janë shoqëruar me të plagosur. Ndërkohë, 4 aksidente pa të plagosur, po për shkak të motit të keq, janë regjistruar edhe në aksin Qukës-Qafë Thanë.
Për herë të parë këtë vit, ky mëngjes ka gjetur të zbardhur edhe Shkodrën. Gjatë natës ka pasur reshje bore në qytet ku trashësia ka arritur në 4 cm dhe për pastrimin e rrugëve është dashur ndërhyrja e fadromave. Si rrallë herë, edhe Gjirokastra është mbuluar nga bora. Gazetari i Report Tv, Piro Nase raporton se trashësia e borës në qytet arrin në mbi 10 cm, ndërsa në zonat rurale 30-40 cm. Problematike situata paraqitet në Dibër. Gjysma e fshatrave të këtij qarku janë të bllokuar. Reshjet kanë sjellë edhe pezullimin e mësimit në Gjirokastër, Pukë, Mirditë, Fushë Arrëz, si dhe në disa fshatra të Korçës. Ndërsa në zonat e tjera të prekura nga moti i keq, orët mësimore po zhvillohen të reduktuara dhe 280 shkolla kanë ndërprerë mësimin.
Vështirësi në qarkullim janë raportuar në rrugën kombëtare Elbasan-Librazhd-Prrenjas-Qafë-Thanë. Përdorimi i zinxhirëve këshillohet në akset Korçës si në Dardhë, Voskopojë, Korçë - Qafë Qarri - Ersekë, Liqenas - Dogana Goricë, qarkullohen me zinxhirë. Akset rrugore të Kukësit dhe Dibrës përveç zonave rurale, janë të kalueshme pa zinxhirë (Lexo të plotë).
Katër aksidente pa të plagosur janë regjistruar edhe në aksin Qukës-Qafë Thanë, për shkak të motit të keq. Në orët e vona të natës, në Qafë Thanë priten prani më të shumta ngricash si dhe reshje të dendura dëbore.
Rruga e Kombit nga fshati Reps i Mirditës deri në tunelin e Kalimashit është bllokuar, për shkak të ngricave të shkaktuara nga temperaturat e ulëta. Krahas bllokimit të qarkullimit rrugor, ngricat kanë sjellë edhe rrëshqitjen e përplasjen e dy mjeteve me barrierat e rrugës, por fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar.
Një kabinë elektrike është dëmtuar gjatë ditës së sotme në Shkodër, pas thyerjes së një peme për shkak të motit të keq, e cila ra mbi kabinën elektrike duke dëmtuar transformatorin. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Stom Golem”, në qytetin verior të Shkodrës, ndërkohë që ekipi i OSHEE-së ka mbërritur në terren dhe po punon për riparimin e defektit në këtë qytet.
“Shkodër, pema bie mbi kabinë. Për shkak të motit të keq me reshje dëbore është thyer një pemë, e cila ra mbi kabinen shtyllore, duke demtuar transformatorin. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Stom Golem”, në qytetin Shkodër. Në foto, punonjësi Paulin Shqari duke kryer detyrën për riparimin e defektit”, njofton OSHEE.
Reshjet e dendura të dëborës të cilët kanë nisur prej disa ditësh në të gjithë rrethet e vendit , kanë krijuar probleme në disa akse rrugore në vend, duke përfshirë edhe qarkun e Korçës. Për shkak të motit të keq dhe nisur situate e rënduar nga reshjet e dëborës e temperaturave të ulëta Zyra Rajonale e Drejtorisë Arsimore në Korçë njofton se është vendosur ndërprerja e mësimit për të gjithë shkolla e qarkut Korçë.
Me vendim të Drejtorisë Arsimore Rajonale të Korçës mësohet se procesi mësimor në të gjithë territorin e qarkut Korcë nuk do të zhvillohet për ditën e nesërme dt. 10.01.2018. dhe do të zëvendësohet në një kohë të dytë.
“Drejtoria Arsimore Rajonale Korce, nisur nga situata tejet e renduar nga rreshjet e bores, te cilat e bëjnë të pamundur zhvillimin normal të procesit mësimor, vendos ndërprerjen e tij për nesër dt. 10.01.2018. Per ecurinë do njoftojmë serisht”, thuhet në njoftimin e DAR Korçë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar drejtuesit e mjeteve pasditen e kësaj të mërkure se kalimi në akset Qafë-Thanë-Kapshticë dhe Qafë Qarri është i detyrueshëm të bëhet me zinxhirë. Aksi Tepelenë-Kakavijë mund të përshkohet pa zinxhirë, por ARRSH paralajmëron drejtuesit që duhet të bëjnë kujdes për shkak të reshjeve të shiut.
Qarkullimi me zinxhirë sakaq kërkohet edhe për akset e segmentet Pukë-Fushë Arrëz-Qafë Mali, Hani i Hotit-Tamarë, Dedaj-Razëm, Qafë Laç-Koman, Qafë Mali- Fierzë, Kuben-Vasije, Fierzë-Ura e Bujanit-Qafë Morinë, Kukës-Ura e Zapodit dhe Kukës-Bushtricë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar lajmëron drejtuesit e mjeteve që të respektojnë sinjalistikën, të ulin shpejtësinë e të tregohen sidomos të kujdesshëm gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit.
Reshjet e dendura të dëborës kanë bllokuar aksin Peshkopi-Tiranë në Qafë Ulëz prej dy orësh. Shumë mjete janë të bllokuar në dëborë, ndërsa drejtuesit bëjnë apel për ndihmë.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të evitojnë daljet e panevojshme nga shtëpitë gjatë këtyre 48 orëve nisur nga situata me motin e keq pas dëborës që ka përfshirë të gjithë vendin. Ministrja theksoi se situata pritet që të jetë e njëjtë edhe për orët e ardhshme. Akset rrugore kombëtare janë të gjitha të qarkullueshme, me përjashtim të aksit rrugor Tepelenë–Gjirokastër, i cili është përkohësisht i bllokuar në vendin e quajtur Uji i Ftohtë, si dhe një pjese në aksin Gjirokastër-Kakavijë. Sa i takon akseve rurale, të bllokuara janë akset në zonat e thella malore, kryesisht në qarqet Shkodër, Kukës, Korçë, Gjirokastër, Dibër dhe Elbasan. Ministrja kishte një paralajmërim për të gjitha firmat kontraktore, në të gjitha bashkitë, që të respektojnë kontratat për mirëmbajtje e zhbllokimin e akseve rrugore në rast të bllokimit të tyre, pasi në të kundërt do të penalizohen sipas ligjit (Lexo këtu lajmin e plotë).
Gazetarja e Report Tv në Korçë, Iris Rezhda raporton se rruga që të dërgon për në Dardhë është bllokuar si pasojë e shkarjes së masivit të borës. Borëpastrueset deri tani nuk kanë ndërhyrë, ndërsa në këtë zonë dëbora arrin në 60 cm.
Moti i keq ka bllokuar disa fshatra edhe në Gramsh, ndërkohë që problematike vijon situata edhe në Librazhd, teksa në Stëblevë dëbora ka arritur deri rreth një metër.
Në të gjithë qarkun e Dibrës vijojnë reshjet e dëborës, ndërsa shumë fshatra janë të bllokuar, disa prej ditësh. Fshatrat e thella si Lura, Kalaja e Dodës, Arras Selishtë, Ostren, Trebisht dhe në Bulqizë vijojnë që të jenë të bllokuar. Ndërkohë prej tetë ditësh është e bllokuar Terrnova e madhe dhe e vogël me 115 shtëpi. Gjithashtu raportohet se janë bllokuar makinat në rrugën Shupenzë-Ura e Topojanit.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nisur nga situata atmosferike në vendin tonë njofton se disa Drejtori Arsimore Rajonale kanë marrë vendimin për pezullimin e mësimit në disa shkolla. Sipas raportimeve në Ministrinë e Arsimit, për funksionimin e institucioneve arsimore në arsimin parauniversitar, është pezulluar mësimi për sot në 5 drejtori dhe zyra arsimore si: Gjirokastër, Librazhd, Pukë, Tepelenë dhe Përmet. Ndërkohë që edhe në disa zyra të tjera arsimore ku disa shkolla ndodhen në zona malore, mësimi nuk është zhvilluar.
Në total janë rreth 280 shkolla kryesore dhe vartëse që nuk kanë nisur procesin mësimor për shkak të kushteve të motit. Ndërkohë që në zonat e tjera të vendit mësimi vijon normalisht. Për ato shkolla ku sot mësimi është pezulluar, zëvendësimi i orëve do të bëhet në ditët në vijim. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë është në kontakt të vazhdueshëm me drejtorët e drejtorive arsimore, drejtues shkollash dhe prefektët e qarqeve për monitorimin dhe ndjekjen e situatës në terren.
Reshjet e dëborës kanë sjellë si problematikë edhe mungesën e energjisë elektrike në disa zona të vendit, sikurse në fshatin Suh e Topovë të komunës Zagorie në rrethin e Gjirokastrës. OSHEE ka nxjerrë së fundmi fotografi në faqen e saj zyrtare në një rrjet social, ku bën me dije se punonjësit e saj gjenden në shërbim pavarësisht terrenit të vështirë që kanë hasur e problemeve të motit.
"Punonjësi Xhafer Avduli duke iu përgjigjur detyrës në shërbim të abonentëve të fshatrave Suh dhe Topovë, pavarësht terrenit të vështirë, për riparimin e fiderit Zagorie, shkruan OSHEE.
Punonjësi Xhafer Avduli
Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako është shprehur nga Qafë Thana ku inspektoi aksin nacional Librazhd-Korçë se pavarësisht nga reshjet intensive të dëborës, vendi nuk është në kushtet e emergjencës. Ai apeloi që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme në një kohë kur akset kryesore në vend kanë prezencë të theksuar dëbore, pavarësisht punës që po bëhet për mbajtjen e tyre hapur. "Lëvizjet duhet të jenë të kufizuara kur janë të panevojshme. Aty ku do të ketë nevojë për të ndërhyrë do të ndërhyjmë me të gjitha mjetet tona. Nuk jemi në kushtet e Emergjencës. Banorët kanë marrë masat. Dhe detyrë e jona është t'i përgjigjemi ccdo problematike", u shpreh Çako.
Dy blegtorë në qarkun e Gjirokastrës janë bllokuar për shkak të reshjeve të dëborës. Denoncimi është bërë nga deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu. Blegtori Alket Nikolli nga Golemi sipas Shehut është i bllokuar në Glinë të Dropullit me 400 krerë bagti të imëta. Blegtori i dytë është Ali Dosti i cili është bllokuar në fshatin Tolar të Këlcyrës. Sipas Shehut njëri nga fermerët ka kërkuar ndihmë nga prefektura, por nuk ka marrë zgjidhje.
“Per te kuptuar gravitetin e gjendjes se njerezve e bagetise ne Qarkun e Gjirokastres, si dhe indiferencen e pa aftesine e institucioneve, po bej publik vetem nje fakt te tanishem:
Blegtori Alket Nikolli nga Golemi, aktualisht eshte i bllokuar ne Gline te Dropullit me 400 krere bageti, pa strehe e pa asnje mundesi levizje. Njoftoi sekretarin e Prefektures per kete urgjence dhe mori nje pergjigje absurde; te prese se nga dreka do te behet nje mbledhje, qe do ta marre ne shqyrtim edhe kete rast. Kerkoj te ndihmohet menjeher. Po keshtu aktualisht ka ngelur ne fshatin Tolar, Deshnice, Kelcyre, blegtori Ali Dosti me mbi 1000 krere , i izoluar e i bllokuar, pa asnje lloj ndihme. Trashesia e bores mbi 70 cm."-shkruan Shehu në rrjetet sociale.
Në Elbasan për shkak të motit dhe temperaturave të ulëta, nxënësit e shkollës "Ali Agjah" kanë braktisur masivisht mësimin. Shkak është bërë bllokimi i rrugëve nga dëbora. Mësohet se të pranishëm në mësim kanë qenë vetëm nxënësit e qytetit, rreth 30%. Shkolla plotëson të gjitha kushtet si dhe ka sistem ngrohës, por vështirësitë e krijuara në lëvizjen e nxënësve nga zonat përreth ka bërë që të braktiset mësimi. Nga ana tjetër, Drejtoria Arsimore Rajonal në Elbasan ka dhënë urdhër të vijimin normal të procesit mësimor.
Prefekti i qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana, ka thënë se situata në këtë qark është më e mirëpërballueshme se viti i shkuar. Kuçana tha se janë ndërmarrë të gjitha masat për të përballuar situatën. Prefekti tha se mësimi është ndërprerë në disa shkolla.
Në disa për shkak të mosfunksionimit të kaldajave mësimi është bërë me orë të reduktuara dhe në disa shkolla mësimi është ndërprerë. Kemi marrë të gjitha masat me ilaçe dhe ushqime edhe në zonat e bllokuara. Segment të bllokuar mund të ketë në zona të thella, bashkia po punon për zhbllokimin e tyre. Situata, e zakonshme. Edhe më e mirë se viti i shkuar.
Zenel Kuçana, prefekt i qarkut Kukës
Drejtori i Autoritetit Rrugor, Afrim Qendro, ka apeluar sot që drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes me qarkullimin në rrugë. Qendro tha që situata më problematike është në dy akset Tepelenë-Gjirokastër dhe Gjirokastër-Kakavije.
Kemi vështirësi në qarkullim në të gjitha akset. Dua të bëj një apel për drejtuesit e mjeteve. Të ndjekin këshillat në vazhdimësi të ARRSH, Policisë dhe Emergjencave. Të zbatojnë të gjitha udhëzimet e Policisë Rrugore që është në terren, të përdorin gomat e dimrit dhe zinxhirët. Shmangni lëvizjet gjatë orëve të natës. Situata do të përkeqësohet. Në Korçë duhet të kenë shumë kujdes drejtuesit e mjeteve. Firmat kontraktore që s’kryejnë detyrën do të ndëshkohen, s’ka këshilla për ta. Rrugët më problematike janë Tepelenë-Gjirokastër dhe Gjirokastër-Kakavije, por probleme ka edhe në aksin në dalje të Elbasanit. Në hyrje të Tropojës ka situatë të vështirë.
Afrim Qendro, drejtor i ARRSH
Reshjet e dendura të dëborës kanë bllokuar sërish zonën e Thethit, duke izoluar gati 300 familje. Në një lidhje telefonike për Report Tv, Nard Polia, një nga banorët e Thethit ka thënë se janë rreth 300 familje që jetojnë në të gjithë zonën dhe janë të bllokuar. Banori ka pohuar se nuk ka probleme me energjinë elektrike dhe me ujin, por vetëm me rrugën. Banori ka kërkuar ndërhyrje nga bashkia, pasi sipas tij, ka patur kërkesa për të vizituar Thethin nga turistët edhe në dimër.
Situata është përkeqësuar sepse ka rënë borë e re mbi borën e vjetër. Ne nuk kërkojmë ndërhyrje urgjente po kërkojmë ndërhyrje kur dëbora të pushojë të rëni, sepse kemi kërkesa për të punuar me turistët edhe gjatë dimrit. Është një turp që nuk ndërhyhet nga bashkia Shkodër, sepse ata po prezantohen me Thethin nëpër botë. Jetojnë 45 familje gjithmonë në Theth, ndërkohë që e gjithë zona përfshin rreth 300 familje. Pra, 300 familje janë pa ndihmë. Bora ka nisur të bjerë që dje deri më sot. Ka arritur diku tek 40-50 cm dhe vazhdon të jetë më shumë në zonë më të lartë. nuk ka probleme as me energjinë as me ujin.
Nard Polia, banor
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH-së, Afrim Qendro, Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile, Haki Çako dhe Prefektin e Elbasanit inspektuan nga afër situatën në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë. Balla ka mbledhur kështu shtabin e emergjencës në Qafë Thanë, aty ku dhe intensiteti i reshjeve të dëborës është më i lartë. "Jemi këtu në Qafë Thanë ku është edhe niveli me i lartë i reshjeve të dëborës. Në aksin rrugor nga Elbasani deri në Qafë Thanë e më pas në kapshticë vazhdon të ketë reshje me intensitet të lartë. Po punohet për mbajtjen hapur të rrugëve", deklaron Balla.
Reshjet e dendura të dëborës që kanë përfshirë qarkun e Shkodrës kanë sjellë edhe mbylljen e shkollave në Dukagjin dhe në Vaun e Dejës. Gazetari i Report Tv në Shkodër, Ergys Kavaja, raporton se në qytetin e Shkodrës shkollat kanë qenë të hapura në mëngjes por frekuentimi ka qenë i ulët. Ndërkohë që në Vaun e Dejës janë mbyllur përkohësisht 5 shkolla. Në të gjitha segmentet po kalohet pa probleme dhe po vijon puna që prej orëve të para të mëngjesit për të siguruar qarkullimin e mjeteve. Ndërkohë që në qarkun e Dibrës janë 6 borëpastruese që po punojnë bashkë me 4 makina që po hedhin kripë në aksin Qafë Bualli deri në Peshkopi.
Dëbora ka mbuluar dhe Pogradecin. Qyteti liqenor hijeshon edhe më shumë nën petkun e bardhë të borës. Mirëpo bora dhe temperaturat e ulëta kanë shkaktuar edhe probleme në zonat e thella. Kështu është ndëprerë mësimi në zonën e Mokrës së Sipërme dhe të Poshtme, ndërsa në shkollat e tjera të rrethit të Pogradecit mësimi është zhvilluar me orar të reduktura.
Në Qarkun e Beratit raportohet për probleme në lidhje me furnizimin e energjisë e elektrike, për shkak të dëborës dhe erërave të forta. Në Skrapar vijojnë të jenë pa energji elektrike fshatrat: Zhepë, Guraz, Çorotac dhe Cëricë, ku banojnë rreth 50 familje. Shkak për mungesën e energjisë në këto fshatra është bërë bllokimi i rrugës nga dëbora që pengon kalimin e mjeteve dhe punonjësve të elektrikut për riparimin e defektit në fiderat e dëmtuar në këto katër fshatra. Në Berat janë pa energji elektike që prej orëve të mëngjesit fshatrat: Kostren (Kostren i vogël dhe Kostren i madh), Velçan dhe Osmënzezë.
Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako në një lidhje telefonike për Report Tv ka thënë se situata me reshjet e dëborës në vend ka vështirësi, por po punohet për të qenë në kontroll të situatës. “Ne jemi në gatishmëri të plotë, EC dhe FA me të gjitha kapacitetet janë në kontakt të vazhdueshëm me çdo prefekturë. Ka vështirësi, por akset nacionale janë të kalueshme. Nuk ka patur probleme me energjinë elektrike. Të gjithë sektorët janë në krye të detyrës. Janë të gjithë duke ndjekur detyrat. Ne jemi në dispozicion të plotë me kompanitë kontraktore dhe me Forcat e Armatosura. Mbarëvajtja do të jetë pozitive nga të gjithë kapacitetet. Jemi në gatishmëri të situatës. Po menaxhohet dhe situata po ndiqet. Numër telefoni, të gjithë mund të telefonojnë shërbimin 112.”-tha Çako.
Abedin Oruçi, kreu i këshillit të Qarkut të Kukës u shpreh për Report Tv se të gjitha rrugët në Qarkun e Kukësit, përveç dy akseve Kukës-Shishtavec dhe Kukës-Bushtricë, janë të kalueshme. Sipas tij, problematike është situata në aksin Kukës-Shishtavec dhe Kukës-Bushtricë ku ka prezencë të theksuar dëbore. "Janë dhënë nga qeveria 1 mln euro për rrugën dhe duhet të mirëmbahet, por firma është kapur e papërgatitur. Këto dy rrugë janë në varësi të ARRSH, Bashkia nuk ka lidhje me këto. Janë 1 mln euro të dhëna nga qeveria për mirëmbajtjen e tyre", u shpreh Oruçi.
Pjesa më e madhe e territorit është zgjuar sot nën pushtetin e reshjeve të dendura të dëborës. Kreu i ARRSH, Afrim Qendro dhe ai i Emergjencave Civile, Haki Çako kanë inspektuar segmentin nacional Librazhd-Qafë Thanë-Korçë ku raportohet se ka prezencë të theksuar borë, por megjithatë lëvizja e automjeteve bëhet pa zinxhirë. Në një lidhje telefoike për Report Tv, kreu i ARRSH, Afrim Qendro tha se po punohet për mbajtjen hapur të këtij aksi nacional si një prej arterieve rrugore kryesore që lidh Tiranën dhe pjesën tjetër të vendit me juglindjen (Lexo të plotë).
Reshjet e dendura të dëborës të shoqëruara me temperatura të ulëta kanë sjellë ndërprerjen e mësimit në disa shkolla të qarkut të Korçës. Në Bashkinë Maliq, është ndërprerë mësimi në shkollën e Sheqerasit dhe Ormanit, në Bashkinë Korçë mesim nuk po zhvillohet në shkollën Floq-Pulahe, në Devoll në shkollën Vibohovë, Shuec, Dobranj dhe Zagradec nuk ka mësim. Në Ersekë në shkollat e fshatrave Boshanj, Mesickë, Butkë dhe Shals. Ndërsa në Pogradec, mësimi është ndëprerë në në zonën e Mokrës së Sipërme dhe të Poshtme. Në shkollat e tjera të Korçës mësimi po zhvillohet me orare të reduktuara.
Borë e dendur ka rënë edhe në Kukës, Pukë e Mirditë. Reshjet kanë sjellë edhe pezullimin e mësimit në Gjirokastër, Pukë dhe Mirditë, ndërsa në zonat e tjera të prekura nga moti i keq, orët mësimore po zhvillohen të reduktuara.
ARRSH këshillon drejtuesit e automjeteve që të përdorin zinxhirët në disa akse rrugore të vendit, ku reshjet e dëborës janë intensive. ARRSH bën të ditur gjithashtu se orët në vijim parashikohet përkeqësim i kushteve atmosferike (Lexo të plotë).
Reshje të dendura dëbore ka pasur edhe në Qarkun e Elbasanit. Ato kanë prekur edhe zonat e ulëta krahas atyre malore. Mëngjesin e sotëm është zbardhur qyteti i Elbasanit, ndërsa në Librazhd dhe Prrenjas reshjet kanë qenë intensive. Borë ka rënë edhe në Gramsh. Vështirësi në qarkullimin e automjeteve raportohen në rrugën kombëtare Elbasan-Librazhd-Prrenjas-Qafë-Thanë dhe në të gjitha akset rurale të Qarkut të Elbasanit. Aksi nacional Librazhd-Qafë Thanë, sipas ARRSH, ka prezencë të theksuar dëbore dhe për rrjedhojë qarkullimi bëhet me zinxhirë (Lexo të plotë).
Aksi nacional Librazhd-Qafë Thanë i mbuluar nga bora, lëvizja bëhet me zinxhirë
Një furgon mallrash ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në aksin Lezhë-Shkodër. Shkak për aksidentin është bërë prezenca e borës në rrugë. Nuk raportohet për të lënduar nga ky aksident.
Sa i takon Qarkut të Korçës ku reshjet e borës vijojnë të bien prej disa ditësh probleme raportohen në zonat e thella si Mokër, Panarit, Gorë dhe Lekas. Reshjet e dëborës kanë vazhduar gjatë gjithë natës edhe në rrethin e Krujës. Në fshatrat e malësisë niveli i dëborës shkon në rreth 15 cm ndersa tek Parku Kombetar i Qafështamës shkon në 30 cm.
DIBËR - Problematike situata paraqitet në Dibër pas reshjeve të dendura të dëborës. Gjysma e fshatrave të këtij Qarku mësohet se janë të bllokuar. Fshatrat e thella si Lura, Kalaja e Dodës, Arras Selishtë, Ostren, Trebisht dhe në Bulqizë. Ndërkohë prej tetë ditësh është e bllokuar Terrnova e madhe dhe e vogël me 115 shtëpi. Report Tv sjell pamje nga reshjet e borës në qytetin e Peshkopisë dhe zonat rurale.
Moti i keq i shoqëruar me reshje të dendura dëbore ka sjellë pezullimin e mësimit në të gjitha shkollat e rrethit të Pukës dhe Mirditës me urdhër të zyrës arsimore vendore. Më herët ishte drejtoria arsimore e Gjirokastrës që solli pezullimin e mësimit në të gjithë Qarkun.
TIRANË - Flokët e parë të dëborës kanë rënë edhe në qytetin e Tiranës gjatë orëve të para të mëngjesit. Mësohet se reshjet kanë nisur rreth orës 02:00 të mëngjesit dhe kanë zgjatur disa minuta duke krijuar edhe shtresën e parë të bardhë e cila nuk ka qëndruar gjatë pasi është shkrirë pa zbardhur dita.
Flokët e parë të dëborës në Tiranë
GJIROKASTRA - Edhe Gjirokastra është përfshirë nga reshjet e dendura të dëborës. Gazetari i Report Tv, Piro Nase raporton se trashësia e borës në qytet arrin në 10 cm, ndërsa në zonat rurale 30-40 cm ku janë bllokuar dhjetëra fshatra. Probleme ka në fshatrat Golem dhe Zagori ku trashësia e borës arrin në 30 cm si dhe Frashër të Përmetit, Lopës dhe Kurvelesh të Tepelenës. Fshati Zhepë në Përmet është krejtësisht i izoluar pasi trashësia e dëborës arrin në 40 cm. Kjo situatë ka sjellë pezullimin e mësimit në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës me urdhër të Drejtorisë Arsimore.
Për herë të parë këtë vit, ky mëngjes ka gjetur të zbardhur edhe qytetin e Shkodrës. Gjatë natës ka pasur reshje bore në qytet ku mësohet se trashësia ka arritur në 3-4 cm. Është dashur ndërhyrja e 4 borëpastruesve në qytet për pastrimin e rrugëve dhe normalizimin e lëvizjes së automjeteve.
Shikoni ore rruget kryesore na cat trapin Datdha Dardha, me tre shpi e nje gjys oxhaku.
Përgjigju