Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar sërish për çmimin e lartë të naftës në Shqipëri, pasi Bordi i Transparencës caktoi sot çmimet tavan, ku vendosi që nafta s’do shitet më shumë se 203 lekë/litri dhe benzina jo më shumë se 175 lekë/litri.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Xhixho ripërsëriti deklaratat e saj se taksat janë arsyeja që sipas saj, Shqipëria ka naftën më të shtrenjtë në rajon.
Xhixho theksoi se rreth 60% e çmimit të naftës në Shqipëri përbëhet nga taksat, teksa shtoi se për shkak të çmimit të naftës po rriten edhe çmimet e produkteve ushqimore.
Po ashtu Xhixho kërkoi që të miratohej projektligji i propozuar nga Partia e Lirisë, për pezullimin e taksave të qarkullimit dhe karbonit.
Reagimi i deputetes Erisa Xhixho:
Taksat janë arsyeja pse kemi naftën më të shtrenjtë në rajon.
Rreth 60% e çmimit të naftës në Shqipëri përbëhet nga taksat.
Ndaj, zgjidhja nuk janë bordet e vjedhjes, por ulja e taksave.
Të gjitha vendet e rajonit kanë marrë masa për të ulur këtë barrë, ndërsa në Shqipëri çmimi prej 214 lekësh për litër konsiderohet ende “i papërballueshëm”.
Për shkak të çmimit të naftës po rriten çmimet e të gjitha produkteve, nga buka, qumështi e djathi, etj. Gjithashtu po goditen bujqësia dhe transporti.
Partia e Lirisë ka prej 3 javësh që ka propozuar një zgjidhje përmes projektligjit për pezullimin e taksave të qarkullimit dhe karbonit.
Duhet vepruar menjëherë, sepse ekonomia po shkon drejt kolapsit.
Lajmi kryesor:
Bordi cakton çmimet tavan, nafta s’do shitet më shumë se 203 lekë/litri, benzina jo më shumë se 175 lekë/litri! Në fuqi nga sot











