TIRANË- Çmimi i naftës dhe benzinës është ulur. Bordi i Transparencës ka publikuar vendimin e ri, ku vihet re se çmimi i naftës ka rënë me 4 lekë, ndërsa benzina është ulur me 5 lekë.

Konkretisht nafta do të shitet me 261 lekë/litri nga 265 lekë/litri që ishte një ditë më parë, ku edhe u vendos çmimi rekord, më i lartë i vendosur ndonjëherë nga Bordi. Benzina do të tregtohet me 236 lekë/litri, nga 241 lekë litri.

Sakaq, çmimi i gazit mbetet i pandryshuar, që do të thotë do të vijojë të shitet me 86 lekë/litri. Vendimi i Bordit të Transparencës futet në fuqi në orën 18:00 dhe është i vlefshëm deri në mbledhjen e radhës.

                           ISHTE                 BËHET
NAFTA              265 lekë/litri         261 lekë/litri
BENZINA           241 lekë/litri        236 lekë/litri
GAZI                  86 lekë/litri           86 lekë/litri

Njoftimi i plotë

Bordi i Transparencës në datë 18 Qershor 2022, në mbledhjen e radhës vendosi: Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të  jetë 261 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 249 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN  të  jetë 236 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë 224 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 86 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 74 lekë/litër për automjetet.

(Shënim: çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 18 Qershor ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtej vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë.