Juventus do të përballet me Galatasarayn në fazën play-off të Champions League. Shorti i hedhur në Nyon rikthen fantazma të vjetra për bardhezinjtë, por edhe për Luciano Spallettin.
Mendimi i parë që vjen për tifozët e 'Zonjës së Vjetër' shkon tek ajo ndeshja e luajtur mes borës në Stamboll. Ishte raundi i fundit i fazës së grupeve në sezonin 2013-14 dhe Juventusi i Antonio Contes luante kalimin e raundit kundër Galatasaray të Roberto Mancinit. Ndeshja e parashikuar më 10 dhjetorin e atij viti u ndërpre për shkak të reshjeve të dendura të borës për të vazhduar ditën tjetër.
Bardhezinjve iu mjaftonte barazimi për të kaluar në fazën me eliminim direkt, por një gol i ish-interistit Wesley Sneijder, 5 minuta nga fundi i ndeshjes e dërgoi Juventusin në Europa League.
Duke u kthyer në kohët më të fundit, Spalletti do të ritakojë dy njohje të vjetra në këtë përballje. E para është, Victor Osimhen me të cilin trajneri toskan fitoi titullin e Serie A me Napolin përpara 3 vitesh. Raportet me sulmuesin gjithnjë janë karakterizuar nga vlerësimi i madh reciprok dhe bashkëpunimi, aq sa Osimhen e përkufizon si ‘gjeni’ Spallettin. Por debatet mes tyre gjithsesi nuk kanë munguar.
Gjatë përgatitjeve verore në vitin 2022, trajneri dërgoi nigerianin në dhomat e zhveshjes se u ankua për mosdhënien e një faulli në një ndeshje stërvitore. Osimhen kaloi te Galatasaray në shtator të 2024 dhe në Turqi po tregon se është një sulmues që çdo skuadër do ta donte. Që nga ai moment ai ka shënuar 50 gola dhe 8 asist në 60 ndeshje. Me fjalë të tjera, mbrojtja bardhezi është paralajmëruar.
Nëse me Osimhen raportet janë të mira, kjo nuk mund të thuhet për një tjetër kundërshtar. Ndaj Galatasaray, Spalletti do të ketë përballë edhe Mauro Icardin. Për shkak të dinamikave jashtë fushave të lojës, raportet mes tyre u prishën përfundimisht në sezonin 2018-19, viti i dytë i Spallettit te Interi dhe për të dy ishte sezoni i fundit me zikaltërit.
Argjentinasi ishte në negociata për rinovimin e kontratës dhe Wanda Nara që në atë kohë ishte bashëshortja dhe agjentja e futbollistit bëri disa deklarata që bezdisën jo pak ambientin. Nga njëra anë theksoi se Icardi kërkohej nga klube të rëndësishëm evropianë dhe në anën tjetër deklaroi se te Interi nuk kishte lojtarë që të nxirrnin në pah cilësitë e tij dhe kështu që duheshin bërë përforcime që t’i mundësonin Icardit të shënonte më shumë gola.
Klubi dhe trajneri nuk mund të toleronin një situatë të tillë dhe në mënyrë konsensuale vendosën t’i hiqnin shiritin e kapitenit Icardit për t’ia dhënë Handanovic.
Vite më vonë në autobiografinë e tij, Spalletti shkruante: ‘E kuptova që pika e dobët e kapitenit tonë quhej Wanda dhe rrezikonte të zhyste thellë të gjithë grupin. Kishte vetëm një mënyrë për të evituar luftën në dhomën e zhveshjes; ndjesa e Mauro Icardit që nuk erdhi kurrë. Kështu për të mos humbur skuadrën, humba Icardin si njeri dhe futbollist’.
Pra, në shkurt Spalletti dhe Icardi do të vihen përballë njëri-tjetrit për herë të parë si kundërshtarë në një sfidë që premton shkëndija.
Komente






