Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u takua të premten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Paris, ku po mbahet Forumi i Paqes. Në këto dy takime ishte i pranishëm edhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Në takimet me liderët nga Prishtina dhe Beogradi, përfaqësuesit e BE-së diskutuan për dialogun Kosovë – Serbi, gjendjen aktuale në veri të Kosovës, si dhe planin franko-gjerman si propozim për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Të premten pasdite, në takim me Borrellin dhe Lajçakun, Vuçiçi tha se diskutoi për situatën aktuale në Kosovë, rrugën e Serbisë drejt BE-së dhe harmonizimit të politikave të jashtme të Serbisë me ato të BE-së.
“Unë e theksova se është e rëndësisë së veçantë që institucionet evropiane dhe vendet anëtare të BE-së të mbajnë qëndrim të prerë se Prishtina duhet të nisë përfundimisht t’i kryejë obligimet e veta, që, pikë së pari, kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, shkroi Vuçiçi në Instagram.
Pas takimit, ai tha se nuk beson që një zgjidhje do të arrihet në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së, që do të zhvillohet më 14 nëntor. Ndërkohë, tha gjithashtu se Kurti ka mbështetjen e Gjermanisë brenda BE-së dhe Britanisë së Madhe jashtë BE-së për çdo lëvizje që bën, kështu që shefi i diplomacisë së BE-së, Borrell, nuk mund të bëjë asgjë.
“Nëse duan t’i vënë Prishtinës kushte, gjithmonë e kanë mundësinë ta bëjnë këtë. Por, është e qartë që nuk do ta bëjnë”, tha Vuçiçi.
Ai shtoi se Prishtina do ta dëshmonte kështu përkushtimin për vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen e problemeve që kanë mbetur të hapura.
“Ne u pajtuam që është e nevojshme të ulen të gjitha tensionet, të qetësohet situata dhe të zgjidhen problemet në mënyrë të arsyeshme, siç insiston gjithmonë Serbia”, tha presidenti serb.
Më herët të premten, me përfaqësuesit e BE-së kishte mbajtur takim edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Të pranishëm ishin edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, dhe këshilltarët e kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Fisnik Korenica.
Pas takimit, Kurti tha se nuk duhet të humbet fokusi nga marrëveshja finale shkaku i problemeve të fundit.
“Ne nuk duhet t'i vonojmë bisedimet për marrëveshjen ligjërisht të obligueshme, ndërkohë që i adresojmë çështjet aktuale”, shkroi Kurti në Twitter./ REL
Lajmi kryesor: