SARANDE -  I kishte vrarë djalin plot 16 vite më parë tenton të hakmerret ndaj bashkëfshatarit të tij. Ky ka qenë motivi që fshihet pas ngjarjes së ndodhur mëngjesin e se merkures ku Luan Kodhima, 72 vjeç ka pritur që Fatos Lala 59 vjeç të kthehet nga shkolla 9-vjeçare “Qazim Pali” në Borsh, ku ky i fundit transportonte në mëngjes nxënësit e fshatit dhe më pas e ka qëlluar me automatik.​

Një ngjarje e cila mund të merrte përmasat e tragjikes ndodhi këtë mëngjes në fshatin Borsh të Sarandës, kur një furgon për transportin e nxënësve u qëllua me armë.

Fatmirësisht shoferi 59-vjeçari Fatos Lala i kishte lënë nxënësit në shkollën e Borshit dhe po kthehej i vetëm. Në kthim për në Qeparo rreth orës 07:30 të mëngjesit, atij i ka bërë pritë 72-vjeçari Luan Kodhima i cili ka qëlluar me automatik në drejtim të furgonit.

Sipas njoftimit të policisë, furgoni me targa AA 054 GX është qëlluar në anën e djathtë (pra të pasagjerit) ndërsa ishte në lëvizje. Fatmirësisht shoferi 59-vjeçar nuk ka marrë asnjë dëmtim.
 
Dënimi me 7 vjet
Rezulton se shoferi i furgonit Fatos Lala, është arrestuar nga policia më datë 14 korrik 1999 dhe është dënuar nga Gjykata me 7 vite burg për veprën penale “Vrasje në rrethana lehtësuese”, të djalit te Luan Kodhimës dhe e ka mbaruar dënimin më datë 14 shkurt 2006. Pas daljes nga burgu Lala ka filluar të bëjë punë të ndryshme, ku një ndër to ka qënë dhe shofer furgoni, ku transportonte fëmijët e fshatit në shkollë.

Megjithëse i kishte zgjidhur punët me shtetin dhe familjen Kodhima, Lala është sulmuar me armë në befasi nga i moshuari Luan Kodhima. Fatmirëisht ai u ka shpëtuar plumbave ndërkohë që ka mundur të shtrihet mes sediljeve të furgonit. Pas largimit të autorit Fatos Lala ka telefonuar menjëherë familjarët e tij duke i njoftuar për ngjarjen e rëndë. Më pas ka njoftuar dhe policinë e Sarandës, të cilët kanë shkuar me shpejtësi në vendgjarje.

furgoni
(Furgoni me targa AA 054 GX që u qëllua me armë)


Arrestimi i autorit
Pa kaluar një orë nga ngjarja e rëndë blutë e qytetit të Sarandës kanë arrestuar autorin e dyshuar në komisariatin e Policisë Sarandë, bashkë me vëllain e tij, Bashkim Kodhima. Autori i krimit është marrë në pyetje dhe ka deklaruar të gjithë dinamikën. Shkak i kësaj ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje, megjithate Shërbimet e Policisë po kryejnë të gjitha veprimet në lidhje me sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Pas marrjes në pyetje edhe të vëllait të tij, i moshuari është arrestuar për akuzën e “Vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë dhe se pritet që në ditët në vijim të dalë para gjykatës së Sarandës për t’u njohur me masën e sigurimit. Ndërkohë vëllai Bashkim Kodhima është lënë i lirë. Nëse do cilësohet si tentativë vrasje për motive hakmarrje, dosja e të moshuarit do transferohet të Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila është kompetente për hetimin e këtyre veprave penale.
 
Automatiku
Jo shumë larg vendit të ngjarjes policia ka sekuestruar dhe armën e krimit, një automatik kallashnikov. Në vendgjarje janë sekuestruar dhe disa gëzhoja shumë pranë furgonit të të dëmtuarit.

Hetimet
Në vendgjarje kanë shkuar dhjetëra forca policore dhe një grup hetimor ku kanë bërë veprimet e nevojshme. Sipas hetuesve furgoni ka marrë disa dëmtime në pjesën e xhamave, por fatmirësisht ka shpëtuar shoferi.

Telefonata
Pas largimit të autorit Fatos Lala ka telefonuar menjëherë familjarët e tij duke i njoftuar për ngjarjen e rëndë.

 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)