Borxhi publik në fund të 6-mujorit sa 63.03 për qind e PBB-së

Borxhi publik në fund të 6-mujorit sa 63.03 për qind e PBB-së

Ministria e Financave

Borxhi publik vijon të ulet. Statistikat zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë bënë të ditur se, në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit, shifra e përgjithshme e detyrimeve të shtetit brenda e jashtë vendit ishte 1 trilion e 105 miliardë lekë. Kjo shifër është pak më e ulët se ajo e shënuar në fund të vitit të kaluar (1.107 miliardë), por vihet re se tre muajt e parë borxhi ka vijuar të rritet, duke kaluar në 1.116 miliardë, ndërkohë që trendi ka ndryshuar tërësisht në tremujorin e dytë të vitit 2019.

Një paradoks vihet re në shprehjen e borxhit në euro, që rezulton më i lartë për tremujorin e dytë, krahasuar me të parin, në një kohë që shifrat në lekë janë në ulje. Kjo vjen nga fakti i forcimit të vlerës së lekut në tregun valutor. Kështu, Ministria e ka llogaritur me 125 lekë një euro në fund të marsit, ndërkohë që ky raport ka shkuar në 122 lekë për një euro në fund të qershorit. Rezultati: borxhi është 9 miliardë euro në fund të qershorit, ndërkohë që ishte 8 miliardë e 972 milionë euro në fund të dhjetorit 2018 dhe 8 miliardë e 904 milionë euro në fund të marsit 2019.

Raportet

Pas arritjes së një rekordi negativ të një borxhi publik të barabartë me 72.67 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit në fund të vitit 2015, tanimë shifra e detyrimeve ka arritur në 63.03 për qind të PBB-së. Kjo shënon një ulje të mëtejshme nga tremujori i parë, kur llogaritej në nivelin 63.63%. Me këto ritme, duket se nuk do të jetë e largët dita kur raporti borxh publik/PBB do të kthehet nën nivelin e 60 përqindëve, siç ishte deri në fund të vitit 2011. Kujtojmë se, deri atëhere, Kuvendi i Shqipërisë kishte vendosur me ligj organik të Buxhetit të Shtetit, që borxhi publik të mos kalonte nivelin e 60 përqindëve ndaj PBB-së. Kjo përputhej, në fakt, me të gjitha vlerësimet e ekspertëve vendas e ndërkombëtarë, të cilët vlerësojnë se rreziqet financiare për një ekonomi të vogël, siç është ajo e Shqipërisë, rriten tej mase dhe mund të bëhen të pakontrollueshme në rast se kalohet ky nivel. Por qeveria Berisha ndërmori një nismë në vitet e fundit të saj për të hequr krejtësisht tavanin referencë për rritjen e borxhit dhe aktualisht ende ky veprim nuk është korrigjuar nga mazhoranca e majtë. Berisha ishte informuar nga ministria e tij e Financave se, me borxhet masive, që kishte marrë qeveria për të ndërtuar Rrugën e Kombit dhe disa vepra të tjera insfrastrukturore, detyrimet publike do të rriteshin me ritme shumë të shpejta dhe kështu qeveria do të shkelte ligjin organik të Buxhetit. Kjo ndodhi me të vërtetë që nga viti 2012 e në vazhdim, por ndërkohë tavani nuk ishte më në fuqi.

Angazhimi

Ulja e borxhit publik ka qenë një nga zotimet e hershme të qeverisë Rama, por vitet e para ky zotim nuk është mundur të mbahet, edhe për shkak të detyrimeve të prapambetura ndaj privatëve, për të shlyer të cilët qeveria u detyrua t’i shtrinte dorën Fondit Monetar Ndërkombëtar për një kredi të re 330 milionë euroshe. Por nga viti 2016 e këtej, si rezultat i rritjes së të ardhurave buxhetore, uljes së shpenzimeve publike dhe për pasojë deficitit shumë të ulët buxhetor, është arritur që shifra e borxhit më në fund të ulet.

Po të llogaritet mesatarisht, del që në tre muajt e fundit borxhi publik është pakësuar me 1 milion euro në ditë. Raporti ndaj PBB-së tanimë është më i ulët se ai në vitin 2013 (65.53%), kur PS mori pushtetin, por megjithatë mbetet mbi tavanin e dikurshëm të 60-përqindëshit.      

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë