BOSNJE- Policia Boshnjake ka arrestuar ditën e sotme 11 persona për akuza si pjesmarrje në krim të organizuar evazion fiskal, dhe pastrim parash. Mes të arrestuarve janë dy ministra rajonal dhe një deputet.

Autoritet e Policisë boshnjake bëjnë të ditur se mes 11 të arrestuarve janë dhe Jerko Ivankovic Lijanovic dhe Milorad  Bahilj, përkatësisht ministrat e agrikolturës dhe të tregëtisë në federatën autonome Boshnjako-Kroate. Policia Boshnjake ka arrestuar gjithashtu dhe të vëllain e Jerkos, Mladen Ivankovic Lijanovic që është  deputet në parlamentin e vendit dhe gjithashtu lider i partisë ku aderojnë të gjithë të arrestuarit.

Vetë zëvendës kryetari i partisë në fjalë, Mersed Serifovic ka hedhur hipotezën se këto arrestime mund të jenë bërë qellimisht, për arsye politike. Në fakt vetëm pas një muaji, më 12 Tetor të këtij viti, në Bosnje do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe gjithashtu ato parlamentare.

Ndërsa autoritet shprehen qartë se të arrestuarot janë të dyshuar për evazion fiskal, pastrim parash dhe bashkëpunim me krimin e organizuar pasi janë dhe pronarë të disa kompanive private. Këto të fundit vepronin në fushën e trajtimit të mishit dhe pasi kishin hyrë në borxhe të mëdha me shtetin, mbyllën aktivitetin pa i paguar detyrimet.

Qeveria e vendit po bën përpjekje prej vitesh, në kuadër dhe të prespektivës për të hyrë në BE,  në luftën kundër krimit të organizuar në rradhët e funksionarëve të lartë, i cili ka rilindur fuqishëm pas luftës së viteve 1992-1995.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)