Covid-19, në Itali 578 viktima! Bota në pragun e 2 milionë të infektuarve dhe 127 mijë vdekjeve, Trump shkurton fondet për OBSH (VIDEO)

Në të gjithë botën numri i të infektuarve nga koronavirusi është në pragun e 2 milionë teksa është rritur edhe numri i viktimave. Sipas të dhënave të përditësuara nga Universiteti Johns Hopkins numri i vdekjeve nga Covid-19 ka shkuar në rreth 127 mijë kurse numri i të shëruarve është mbi 3 milionë

Ditë e zezë për SHBA e cila në 24 orët e fundit ka regjistruar më shumë se 2000 vdekje saktësisht 2.222 shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë në botë për një total viktimash prej më shumë se 26 mijë teksa në vend numërohen rreth 610 mijë të infektuar

Në veçanti, qyteti i Nju Jorkut, tashmë në qendër të pandemisë së koronavirusit, ngriti numrin e vdekjeve për më shumë se 3.700 pasi autoritetet njoftuan se ata kishin përfshirë në llogaritjet e tyre edhe njerëz që nuk ishin testuar kurrë, por që nga simptomat e gjetura, virusi ishte shkaku i vdekjes së tyre.
Shifrat e reja, të publikuara nga Departamenti i Shëndetësisë i shtetit të Nju Jorkut tregojnë se numri i përgjithshëm i vdekjeve është rritur në mbi 10 000.

Trump shkurton fondet për OBSH: Është shumë pro kineze

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkurtuar fondet e SHBA për Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH) pasi sipas tij ajo është shumë pro-kineze.

Hakmarrja e manjatit kishte qenë në ajër për ca kohë, pasi tensionet u përshkallëzuan midis agjencisë shëndetësore të OKB dhe Shtëpisë së Bardhë. Trump akuzoi OBSH për një menaxhim katastrofik të pandemisë. Në veçanti, ai nuk falte Organizatën për sulmin ndaj tij kur ai urdhëroi ndalimin e hyrjes në SHBA të udhëtarëve nga Kina.

I akuzuar për nënvlerësimet e tij fillestare të pandemisë, i kritikuar dhe nga shumë guvernatorë amerikanë për premtime për ndihma federale shëndetësore që akoma nuk kanë shkuar, Trump gjithmonë është mburrur se ka vepruar para të tjerëve për të frenuar përhapjen e pandemisë teksa ndaloi fluturimet për dhe nga Kina.

Edhe Italia ishte gjithashtu ndër vendet e para që prezantoi atë lloj kufizimesh, dhe fillimisht u kritikua nga OBSH.

Mediat amerikane, madje edhe më përparimtarët dhe më kritikët e Trump, nuk kanë qenë të bute me vendimet e OBSH e cila është kritikuar vazhdimisht se ka shpallur me një muaj vonesë pandeminë dhe se drejtori i saj i përgjithshëm nuk ka thënë asnjë fjalë për heshtjen dhe fshehjen e epidemisë nga Pekini zyrtar.

Eshtë vërejtur gjithashtu se brenda OBSH dhe agjencive të tjera të OKB është rritur ndikimi kinez megjithëse Shtetet e Bashkuara mbeten financieruesit numër një. Sidoqoftë, shumë vëzhgues të pavarur amerikanë, për shembull filantropi Bill Gates, argumentojnë se një nga mësimet e kësaj pandemie duhet të jetë forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:05
Covid-19, në Itali 578 viktima dhe 960 të shëruar në 24 orët e fundit

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 578 viktima nga koronavirusi, për një total prej 21645 vdekje që nga fillimi i epidemisë. 

Numri i të shëruarve sot është 960 për një total prej 38092

Autoritetet raportuan edhe për 2667 raste të reja pozitiv nga Covid-19,  shifra që e rrisin numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 165155  që nga fillimi i pandemisë.

Në kujdesin intensiv janë të shtruar 107 pacientë më pak se dje për një total prej   3079

Në Itali, epidemia ka ndaluar së ecuri në pllajën e kurbës nga infeksioni i koronavirusit.

Ditët e fundit është konfirmuar rënia e kurbës e cila është një paralajmërim i fortë se së shpejti do jetë koha për të rindezur motorin e ekonomisë.

Rajonet e Molise dhe Bazilicata, tashmë mesa duket janë "të lira", jo sepse virusi u zhduk brenda kufijve të tyre, por pas rasteve mjaftë të ulta të identifikuara pas testeve të tamponit. Afër këtyre shifrave është edhe Umbria, Sardenja dhe Trento.

Gjërat duket se po shkojnë mirë kudo, edhe në Lombardi. Rastet gjithashtu janë në rënie edhe në Brescia dhe Bergamo.

Ora 17:57
Shkencëtarët francezë: COVID-19 mund të mbijetojë në temperaturën 60°C për një orë

1586966404_KORONAVIRUSI.jpg

Shkencëtarët francezë mundën të vrisnin coronavirusin në një temperaturë shumë më të lartë sesa mendohej më parë.

Shkencëtarët francezë u befasuan nga rezistenca ndaj temperaturave të larta të treguara nga coronavirusi SARS-CoV-2 që shkakton sëmundjen COVID-19, në një nga shumë testet laboratorike që ata i realizuan javët e fundit.

Në një shkrim të përgatitur nga Universiteti Aix-Marseille në jug të Francës, u vërtetua se coronavirusi mund të mbijetojë në temperaturë deri në 60 gradë celsius për një orë.

Si pasojë e këtij zbulimi në laborator, ekipi akademik i drejtuar nga profesori Remi Charrel e solli virusin pothuajse në pikën e vlimit, në mënyrë që ta vrasin plotësisht, pa lënë asnjë gjurmë. Puna e Charrel u botua në bioRxiv.org, shkruan tg.

Pasi u nxehën për kohën e paracaktuar për 60 minuta, në temperaturën prej 60°C, llojet virale në mjedisin e pastër vdiqën. Sidoqoftë, e njëjta gjë nuk ndodhi në mjedisin e ndotur, ku disa prej tyre mbijetuan pavarësisht nga temperaturat e larta.

Ekipi francez zbuloi se një temperaturë më e lartë mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemit. Për shembull, ngrohja e mostrave në 92 gradë Celsius për 15 minuta mund ta bëjë virusin plotësisht joaktiv.

Sipas shkencëtarit, eksperimenti francez dha informacion të vlefshëm, por situata në jetën reale mund të ishte shumë më komplekse sesa simulimet laboratorike.
“Virusi sillet krejt ndryshe me një ndryshim në mjedis. Shumë projekte kërkimore janë ende në proces për të zgjidhur këto enigma”, thuhet në studim.

Kishte shpresë se pandemia në hemisferën veriore do të lehtësohej ndërsa temperaturat u rritën me ndryshimin e stinëve. Disa studime sugjeruan që vendet tropikale raportuan më pak raste të konfirmuara.

Mirëpo disa hulumtime të fundit zbuluan një sinjal alarmues, se COVID-19 mund të vazhdojë të përhapet edhe gjatë verës.

Ora 17:54
Covid-19, Rajoni i Lombardisë në Itali do t’i kërkojë qeverisë rinisjen e aktiviteteve pas datës 4 maj. Mbajtja e maskës dhe testi serologjik i detyrueshëm

Rajoni i Lombardisë në Itali do t'i kërkojë qeverisë së kryeministrit Conte të japë dritën e gjelbër për rifillimin e aktiviteteve më datën 4 maj.

Sipas autoriteteve rihapja do të shoqërohet me disa detyrime

Distanca e sigurisë midis njerëzve, mbajtja e detyrueshmë e maskës dhe kryerja në masë të gjerë e testeve serologjike. Edhe në rajonin e Piemonte, maskat do të bëhen të detyrueshme në fazën 2.

Lombardia parashikon që pas aktiviteteve është planifikuar edhe hapja e shkollave dhe universiteteve.

Këto strategji do "shoqërohen me masa të tjera ekonomike, mbi të cilat Rajoni i Lombardisë po punon”, - tha Presidenti i Rajonit, Attilio Fontana.

Maska do të jetë e detyrueshme edhe në Piemonte e cila si dhe Lombardia gjithashtu po shkon drejt rinisjes së aktiviteteve.

"Para se t'i bëjmë të detyrueshme maskat, është thelbësore të jesh i aftë t'i garantosh të gjithëve maska, thotë guvernatori Alberto Cirio, duke komentuar blerjen nga rajoni i 5 milion maskave që do të shpërndahen për të gjithë rajonin e Piemonte-s.

Ora 17:42
Koronavirusi, G20: OK për pezullimin e përkohshëm të borxhit të vendeve të varfra

G20 mbështet pezullimin e përkohshëm të borxhit të vendeve më të varfra nga 1 maji deri në fund të vitit 2020.

"Ne kërkojmë nga të gjithë kreditorët, zyrtarë dhe privatë, të marrin pjesë në iniciativë",-  thuhet në një shënim nga ministrat e financave dhe qeveritarët e bankat qendrore.

Vendimi u mor për të "zbutur" situatën me të cilën përballen shumë vende të varfëra, duke luftuar edhe me emergjencën e koronavirusit.

Ora 16:47
Koronavirusi, në Itali nis projekti i testeve serologjik të imunitetit

Komisioneri pë emergjencën e koronavirusit në Itali, Domenico Arcuri tha se ishte autorizuar nga qeveria për të filluar kryerjen e testimeve serologjike në një mostër prej 150 mijë personash të identifikuar në shkallë kombëtare dhe të ndarë sipas profilit të punës, gjinisë dhe grupmoshave.

Sipas ANSA, në Rajonin italian të Toskanës do të kryen 400 000 teste serologjike.

Shërbimi shëndetësor toskan është përfshirë tashmë në 140,000 teste të rezervuara kryesisht për punonjësit e shëndetit kurse tani me përfshirjen e laboratorëve privatë totali i testeve arrin në 400,000.

Të gjitha të dhënat nga studimi epidemiologjik do të mblidhen nga Rajoni dhe do të ngarkohen në një aplikim për të studiuar përhapjen e virusit.
Guvernatori i rajonit tha se "Ne po përballemi me iniciativën më të madhe të kontrollit masiv që është hasur ndonjëherë në Itali" dhe shtoi se deri tani në Toskana janë bërë më shumë se 80 mijë teste tamponi.

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të kaluara në Itali u shënuar 602 viktima nga koronavirusi, për një total prej  21 067 vdekje që nga fillimi i epidemisë.  Është rritur gjithashtu numri i të shëruarve (1695) për një total prej 37130.

Autoritetet raportuan edhe për 2.972 raste të reja pozitiv nga Covid-19, 181 raste më pak se një ditë më parë, shifra që e rrisin numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 162 488 që nga fillimi i pandemisë. Në kujdesin intensiv janë të shtruar 74 pacientë më pak se një ditë më parë për një total prej 3186.    

Ora 15:33
Covid-19, Kreu i Shoqatës mjekësore franceze kundër Macron: Hapja e shkollave, mungesë logjike nga ana e presidentit

Ndërsa Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se vendi do të lehtësojë ndjeshëm masat e izolimit dhe bllokimit më 11 maj, përfshi rihapjen e shkollave dhe fabrikave, Dr Patrick Bouet, president i Këshillit Kombëtar të Shoqatës Mjekësore Franceze, tha se "nuk ka shpjegime mjekësore për rihapjen e shkollave" pas 11 majit, siç njoftoi Presidenti.

Për Bouet, vendimi "zbulon një mungesë absolute të logjikës". "Ne nuk e kuptojmë këtë njoftim - i tha mjeku për prestigjiozen franceze, ‘Le Figaro’.

Sipas tij, vendimi është i pa arsyeshëm për dy arsye, e para, “sepse ne e dimë se fëmijët janë bartës të mundshëm të koronavirusit por pa zhvilluar vetë infeksionin, përveç përjashtimeve të rralla” dhe e dyta”, sepse është shumë e vështirë në shkollë të zbatosh rregullat e distancimit shoqëror.

Për presidentin e shoqatës mjekësore, rihapja e shkollave "do të nënkuptonte vendosjen e virusit në qarkullim".

Në Francë deri tani janë raportuar 131 360 raste positive nga koronavirusi dhe 15 750 vdekje.

Ora 15:21
Koronavirusi, kjo është arsyeja pse një metër distancë nuk është i mjaftueshëm: simulimi

Ansys, lideri botëror në simulimin dixhital të multifizikës, në bashkëpunim me profesorin Bert Blocken nga Universiteti i Teknologjisë Eindhoven, ka krijuar simulime për të ndihmuar autoritetet në të gjitha vendet të luftojnë kundër Covid-19 në mënyrë më efektive.

Simulimet tregojnë se distanca prej 1 metër midis njerëzve nuk është e mjaftueshme për të shmangur infektimin dhe se duhet të qëndroni të paktën 2 metra.

Nëse jeni duke vrapuar ose ngisni bicikletën, rreziku për të infektuar njerëzit që po ashtu si ju vrapojnë është shumë më i lartë se sa të ecni. Kështu që nëse vraponi pas njëri tjetrit është më mirë të qëndroni krah për krah dhe nëse takoni një person që vrapon ose nget bicikletën në rrugë, këshillohet të qëndroni të paktën 10 metra larg.

Ora 15:14
Covid-19, von der Leyen: Europa ka nevojë për një Plan Marshall. BE 'qasje graduale' ndaj lehtësimit të masave të izolimit

"Europës i duhet një plan Marshall për të dalë nga kriza e koronavirusit, investimet publike dhe private janë të nevojshme." Kështu u shpreh Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, teksa prezantoi edhe udhëzimet e BE-së për fazën 2 të pandemisë.

“Unë shpesh kam thënë në të kaluarën se Europës i duhet një Plan i ri Marshall,” tha ajo, duke iu referuar paketës stimuluese prej shumë miliardë dollarëve amerikanë për të rindërtuar Evropën pas Luftës së Dytë Botërore. “Ne kemi nevojë për investime masive publike dhe private për të ringjallur ekonominë, ristrukturuar atë dhe për të krijuar vende të reja pune.”

von der Leyen tha se “Çelësi për këtë është një buxhet i ri i fortë i BE-së. Buxheti ka avantazhin që gëzon besimin e të të gjitha vendeve anëtare. Ky buxhet i ri 7-vjeçar duhet të dallohet nga ai i mëparshmi. Ai do të jetë i ndryshëm, do të jetë përgjigja evropiane ndaj krizës së koronavirusit.”

Bashkimi Evropian ka bërë publike rekomandimet për vendet anëtare, që duan të lehtësojnë masat e izolimit nga koronavirusi.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se parakushtet kryesore për shtetet janë që të kenë rënie të dukshme të numrit të të infektuarve, kapacitete të mjaftueshme në sistemet e tyre shëndetësore dhe monitorim adekuat.

“Në përgjithësi, ne rekomandojmë qasje graduale dhe çdo veprim duhet të monitorohet vazhdimisht", tha von der Leyen.

Sipas saj, qëllim i rekomandimeve është “të sigurohet një dalje e koordinuar nga masat e kontrollit”.

Këtë javë, disa vende të Bashkimit Evropian kanë nisur t’i lehtësojnë masat e izolimit kundër përhapjes së koronavirusit.

Prej tyre, edhe Italia - vendi më i goditur i Evropës, me më shumë se 21,000 viktima nga koronavirusi - i ka lejuar disa firma të rifillojnë operimet.

Çfarë thotë OBSH-ja për heqjen e masave të izolimit?

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar gjashtë kushte për vendet që konsiderojnë relaksimin e izolimit:

·         Transmetimi duhet të kontrollohet;

·         Sistemet shëndetësore kanë kapacitet për të zbuluar, testuar, izoluar dhe trajtuar çdo rast dhe gjurmuar çdo kontakt;

·         Rreziqet e shpërthimit në ambiente të veçanta, si objektet shëndetësore dhe shtëpitë e pleqve, minimizohen;

·         Masat parandaluese ndërmerren në vende të punës, shkolla dhe vende të tjera ku njerëzit domosdoshmërisht shkojnë;

·         Rastet e importuara menaxhohen;

·         Komunitetet janë plotësisht të informuara, të angazhuara dhe të afta për t’u përshtatur me "normën e re".

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ditë më parë pas një takimi me drejtuesit në kompaninë gjermane “CureVac”, një nga shumë organizata që punojnë për vaksinën, pohoi se një vaksinë kundër koronavirusit mund të dalë në treg “para vjeshtës”.

Ndërkohë BE tashmë ka premtuar më shumë para për hulumtimin e vaksinave, si dhe shpejtimin e hapave të zakonshëm rregullatorë, siç janë provat klinike dhe autorizimet.

Deklarata ishte pjesë e udhërrëfyesit për heqjen e bllokimeve të Covid-19. Komisioni, i cili nuk ka fuqi mbi masat e izolimit të ndërmarra nga qeveritë po këshillon vendet që të marrin parasysh faktorët e mësipërm përpara se të lehtësojnë kufizimet.

Ora 15:10
Covid-19, ithtarët e teorive konspirative: 5G shkaku i pandemisë. Në Londër vazhdon djegia e antenave të rrjetit

Në kryeqytetin britanik vazhdon djegia e antenave të rrjetit 5G. Sot në mëngjes është djegur një tjetër antenë pasi shumë njerëz janë të bindur se ato forcojnë imunitetin e koronavirusit që po infektonë gjithë botën.

DIsa ditë më parë ishte djegur antenna e telefonisë celulare e cila i shërbente spitalit të urgjencës në Birmingham.

Teza fillimisht e përhapur gjerësisht në mediat sociale duket se në Britaninë e Madhe ka pushtuar mendjet e shumë njerëzve. Ndjekësit e kësaj teorie të cuditëshme komploti besojnë se rrezatimi i emetuar prej këtyre antenave dobëson ndjeshëm sistemin imunitar të njëriut, pengon kalimin e oksigjenit në mushkëri.

Ka edhe njerëz që besojnë se koronavirusi është një shpikje e qeverivë më të fuqishme në botë për të fshehur sëmundjet e tjera që sipas tyre janë pasojë e rrjetit 5G.

Në Britaninë e Madhe një ndër mbështëtësit kryesor të këtyre teorive konspirative është Amanda Holden, drejtuese e një shoë talentesh, apo edhe Eamonn Holmes, prezantues i programit të mëngjesit në ITV.

Ora 13:50
Covid -19, në Rusi 28 viktima në 24 orë nga infeksioni i koronavirusit. 25 500 totali i rasteve pozitive

Autoritetet ruse kanë raportuar se në 24 orët e fundit janë regjistruar rreth 4000 raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm në rreth 25 500.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në vend arriti në 198, pasi numri I viktimave në 24 orët e fundit ishte 28.

Po sipas autoriteteve rreth 2000 persona janë shëruar, prej të cilëve rreth 300 nga dje deri sot.

Në mes situatës pandemike prej koronavirusit, presidenti rus Vladimir Putin tha se “Ne duhet të përgatitemi për një krizë "të jashtëzakonshme".

Ai tha se javët e ardhshme do të jenë "vendimtare" për luftën e Rusisë kundër virusit, duke pasur parasysh se situata "ndryshon praktikisht çdo ditë dhe, për fat të keq, jo për më mirë".

Ora 13:33
Koronavirusi, spoti gjenial i Shtetit të Ohio për distancimin shoqëror (VIDEO)

Ky spot u krijua nga Departamenti i Shëndetit i Ohio me një thjeshtësi të jashtëzakonshme që arrin të përcjellë rëndësinë dhe efektivitetin e distancimit social për të luftuar dhe për të fituar betejën kundër koronavirusit.

Ohio ishte ndër shtetet e para amerikane që parandaloi dhe e mori seriozisht epideminë.

Nuk është rastësi që përgjigjja ndaj koronavirusit nga ana e guvernatorit të Shtetit Mike DeWine është bërë një udhëzues kombëtar i krizës gjithashtu i vlerësuar nga shtypi amerikan, përfshirë edhe Washington Post.

Ora 13:12
Covid-19/ Washington Post: Shtëpia e Bardhë ishte në dijeni që në vitin 2018 për eksperimentet e rrezikshme në Wuhan

Një shkrim në “Washington Post” thuhet se zyrtarët e ambasadës amerikane në Pekin kishin paralajmëruar Uashingtonin që në vitin 2018 se siguria e laboratorit të virologjisë në Vuhan ishte e papërshtatshme.

Sipas të përditshmes amerikane, Departamenti Amerikan i shtetit ishte paralajmëruar se shkencëtarët aziatikë po kryenin “studime të rrezikshme” mbi lakuriqët e infektuar me Covid-19.

Në Janar të vitit 2018, disa shkencëtar amerikanë shkuan në Institutin e Virologjisë në Wuhan për të mare informacion mbi ekperimentet por mesa duket, sipas gazetës, ata ishin kthyer ‘duar bosh’.

Gjithsesi ata u shqetësuan për masat e sigurisë në laboratorin e institutit dhe këto shqetësime i përcollën në Washington.

Në artikullin e “Washington Post” thuhet se ekperimentet mbi lakuriqët e natës mund të kërcënonin njerëzimin pasi viruset e formës Sars mund të shkaktonin pandemi.

Dje Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka kritikuar administratën kineze se nuk ka informuar rreth pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) në kohë, Ai shtoi se do të vijë koha kur përgjegjësit do të japin llogari.

“Do të vijë një kohë kur përgjegjësit do të japin llogari. Jam shumë i bindur se kjo do të ndodhë. Qeveria kineze, Partia Komuniste e Kinës nuk na dha këtë informacion në kohë. Kjo është për të ardhur keq”, tha Pompeo.

I kemi parë raportet e tregjeve të kafshëve të egra në Kinë, që detajon se prej ku ka ardhur virusi”.

Ora 12:41
Covid-19, në Europë mbi 1 milion të infektuar. 4495 vdekje në Gjermani. Ulet numri i viktimave në Spanjë

Ndërsa në Europë ka mbi 1 milion njerëz të infektuar nga koronavirusi, autoritetet në Gjermani kanë raportuar për 132,210 raste të infeksionit kurse numri I vdekjeve është 4,495, ndërsa 72.600 pacientë janë shëruar.

Robert Koch Institut, institucioni gjerman i referencës në administrimin e Covid-19, në raporton për +2,486 krahasuar me një ditë më parë.

Spanja, një nga vendet më të prekura në botë nga koronavirusi ka raportuar një ulje të vogël të numrit të viktimave, krahasur me një ditë më parë.

Kështu, autoritetet raportuan se në harkun kohor të 24 orëvë, janë shënuar 523 viktima, duke e cuar numrin total të tyre në 18579.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Spanjë, numri i rasteve të konfirmuara ka arritur në 177633, dhe prej tyre 70853 persona janë shëruar nga Covid-19.

Më herët kryeministri spanjoll, deklaroi se vendi e ka kaluar kulmin e shpërthimit por theksoi se duhet patur ende kujdes në lirimin e masave dhe se Spanja është ende larg fitores.

Ora 11:25
Covid-19/SHBA, distancimi social mund të vazhdojë deri në vitin 2022

SHBA mund të duhet të durojë masat e distancimit social - siç janë urdhrat për të qëndruar në shtëpi dhe mbyllja e shkollave - deri në vitin 2022, përveç nëse një vaksinë do të jetë në dispozicion shpejt, kështu u shprehën sot disa studiues amerikan për CNN.

Sipas Harvard T.H. Shkolla e Shëndetit Publik Chan, e cila publikoi dokumentin e studiuesve në revistën Science, këto konkluzione bien në kundërshtim të drejtpërdrejt me hulumtimet nga Shtëpia e Bardhë, e cila thotë se pandemia mund të ndalet këtë verë.

Ekipi i Shkollës së Shëndetit Publik në Harvard thotë se "Mbajtja e distances sociale mund të jetë e domosdoshme deri në vitin 2022. Ata thonë se "Edhe në rast të një eliminimi të dukshëm të koronavirusit, alarmi për SARS-CoV-2 duhet të mbahet pasi ringjallja e infeksionit mund të jetë e mundshme deri në vitin 2024."

Parashikimet e ekipit të Harvardit tregojnë gjithashtu se koronavirusi do të kthehej të shpërthente mjaft shpejt, pasi të ishin hequr kufizimet e izolimit dhe bllokimit.

Gjithsesi ende nuk dihet nëse koronavirusi mund të rikthehet dhe të shkaktojë dëme edhe pasi shumica e njerëzve të kenë fituar imunitet ndaj tij.

Sfidat e botës sot është gjetja e një testi të besueshëm I cili do të përcaktonte se kush ka zhvilluar antitrupa ndaj koronavirusit.

Studiuesit thonë se janë të vetëdijshëm se distancimi I zgjatur social nëse do të ndërptitej do të kishte pasoja “thellësisht negative ekonomike, sociale dhe arsimore".

Edhe pse rastet e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara janë rritur, distanca sociale duket se është efektive.

Distancimi social është "një nga armët më të fuqishme" kundër COVID-19, tha Robert Redfield, drejtor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Ora 09:58
Covid-19/ Faza 2, termoskanera në hyrje të shkollave, dyqaneve, zyrave dhe vendet e punës

Organizata Botërore e Shëndetit, OBSH, ka hartuar gjashtë kërkesa të nevojshme për të shkuar në fazën 2 të pandemisë nga koronavirusi, kërkesat që, për momentin, pak shtete janë në gjendje t’i plotësojnë të gjitha.

Po cilat janë këto gjashtë kërkesa?

Kërkesa numër një: Kontrollimi i transmetimit të infeksionit.

Dy: Një sistem shëndetësor i aftë për të zbuluar, testuar, izoluar dhe trajtuar çdo rast dhe gjurmuar çdo kontakt.

Tre: Minimizimi i rreziqeve në institucionet e kujdesit shëndetësor dhe shtëpitë e të moshuarve.

Katër: Zbatimi i masave parandaluese në vendet e punës, në shkolla dhe në vendet e tjera ku nuk mund të shmanget qasja e njerëzve.

Pesë: Menaxhimi i rreziqeve prej infeksioneve të importuara

Gjashtë: Komunitetet duhet të jenë plotësisht të arsimuar.

Duke lexuar kërkesat e OBSH, duket se shumë vende të Europës nuk janë optimist aq sa duhet.

Megjithatë në Itali duket se ka nisur të mendohet seriozisht në fazën 2, faze në të cilën ndër të tjera parashikohet rihapja e ndërmarrjeve prodhuese/

Zëvendës Ministri i Shëndetësisë në Itali, Pierpaolo Sileri tha se “Shkolla, dyqanet, zyrat, ndërmarrjet duhet të sigurojnë rregulla mbrojtëse dhe mbi të gjitha ata duhet të jenë në kontakt të vazhdueshëm me specialistët e shëndetit pët të marrë udhëzime”.

Po sipas tij, duhet të vendosen termoskanera në hyrje të të gjitha vendeve të punës ku dhe nuk duhet të mungojnë dorezat, maskat ​​dhe dezinfektuesit.

Gjashtë rregullat e OBSH do të jenë vendimtare në funksion të zbutjes së masave të bllokimit dhe izolimit dhe rihapjes graduale në të gjitha vendet.

Zëvendësministri i Shëndetësisë në Itali theksoi se termoskaneri "është një masë e domosdoshme pasi temperatura është një nga simptomat karakteristike të sëmundjes nga koronavirusi dhe për këtë arsye ato duhet të jenë kudo".

Ora 09:38
Koronavirusi, ngadalësohet ritmi i lartë i epidemisë në Itali dhe Europë

Në Itali, epidemia ka ndaluar së ecuri në pllajën e kurbës nga infeksioni i koronavirusit dhe për herë të parë që nga 13 marsi numri i rasteve të reja positive ka rënë nën tre mijë (2,972 raste të reja).

Dita e djeshme konfirmoi rënien e kurbës dhe dha një paralajmërim të fortë se së shpejti do jetë koha për të rindezur motorin e ekonomisë.

Për më tepër, dy rajone, Molise dhe Bazilicata, tashmë mesa duket janë "të lira", jo sepse virusi u zhduk brenda kufijve të tyre, por pas testeve të tamponit nuk rezultoi asnjë rast I ri me Covid-19. Afër këtyre shifrave është edhe Umbria me vetëm një rast të ri kurse Sardenja pati 10 raste të reja positive dhe Trento me 15.

Këto shenja tregojnë se pavarësisht arratis së madhe nga Lombardia në fillim të shpalljes së izolimit nga rajonet e veriut, masat e kontrollit në Jug kanë funksionuar sepse njerëzit i kanë respektuar ato dhe shumë prej tyre u mbyllën në karantinë.

Gjërat duket se po shkojnë mirë kudo, edhe në Lombardi. Rastet gjithashtu janë në rënie edhe në Brescia dhe Bergamo.

Kthesa epidemiologjike duket se ka nisur edhe në vendet e tjera europiane, me përjashtim të Britanisë së Madhe, ku epidemia është akoma në rritje e sipër.

Por grafiku i zhvilluar nga Qendra e Studimit Nebo tregon se nëse Italia ishte e para që hyri në bllokim dhe izolim, përveç Spanjës e cila ka një performancë më të dobët se e Italisë, në Gjermani, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar numri i rasteve për 10 mijë banorë është në ulje.

Ora 09:03
Koronavirus, Danimarka me 300 viktima rihap shkollat fillore dhe kopshtet

Danimarka me 300 viktima dhe mbi 6700 të infektuar nga koronavirusi, pas një muaji mbyllje, sot ka rihapur çerdhet , kopshtet dhe shkollat fillore.

Shkollave iu është kërkuar të respektojnë rregulla të caktuara, përfshirë atë të mbajtjes së distancave ndërmjet fëmijëve.

Rihapja e shkollave është hapi i parë i qeverisë daneze që veproi shpejt përballë përhapjes së pandemisë, duke mbyllur kufijtë që më 14 mars, pasi kishte regjistruar rastet e para të infeksionit dhe vdekjeve.

Mbyllja për restorantet, kafenetë, baret dhe vende të tjera të takimeve publike do të mbetet në fuqi të paktën 10 maj.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arjan Hoxha nga selia blu: Rakip Suli ka dhënë leje ndërtimi në një zonë të shpallur të rrezikshme nga institucionet e shtetit, SPAK ta hetojë!

Arjan Hoxha nga selia blu: Rakip Suli ka dhënë leje ndërtimi në një zonë të shpallur të rrezikshme nga institucionet e shtetit, SPAK ta hetojë!