TORONTO, KANADA - Pas 110 minutave me shumë grintë, emocione, gola, kartona dhe polemika, Portugalia me Cristiano Ronaldon në fushë ia doli të përmbyste sot 2-1 Kroacinë në ndeshjen e fazës së 1/16-ave të Kupës së Botës 2026. Në turin e 1/8-ave do të kemi përballjen e vetme evropiane në këtë fazë, derbin iberik mes Portugalisë dhe Spanjës, duel që do të luhet më datën 6 korrik në orën 21:00.

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, paçka rasteve për të dyja skuadrat. Në nisje të fraksionit të dytë, konkretisht në minutën e 53-të Ivan Perisic i dha avantazhin e përkohshëm ballkanasve me një gol të bukur nga brenda zonës.

Minuta e 61-të solli golin e Cristiano Ronaldos, por gjithçka u anulua për pozicionin jashtë loje milimetrik. Trajneri Martinez kreu katër zëvendësime për luzitanët, të cilët shtuan presionin në sulm. Duhej një krosim nga këndi që Veiga të pengohej në zonë dhe pas pamjeve në VAR arbitri norvegjez Eskas akordoi 11 metërsh.

Nga pika e bardhë e penalltisë u paraqit Cristiano Ronaldo, i cili goditi qetësisht dhe ia la sferën në rrjetë portierit Livakovic, paçka se topi ishte në qendër të portës. Cristiano Ronaldo e dërgon në 11 numrin e golave në Botërorët ku ka marrë pjesë (6), teksa këtë edicion ka shënuar tre gola. Për CR7 goli i sotëm ishte i pari në fazën me eliminim direkt në një Kupë Bote, teksa në moshën 41 vjeç e 147 ditë bëhet futbollisti më i vjetër në botë që shënon në këtë turne.

Pas golit të pësuar skuadra kroate mori frenat e lojës dhe ia doli të gjente rrjetën me Sucic, por VAR e anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje. Martinez nxori nga fusha Ronaldon te Portugalia, por ndeshja ishte plot emocione.

Në minutën e katërt shtesë, një krosim i Leaos bëri që Goncalo Ramos të shënonte me kokë për Portugalinë për përmbysjen e madhe 2-1, paçka se sulmuesi ndodhej mes dy mbrojtësve rivalë.

Në aksionin e fundit, pikërisht në shtesën e 13-të, Kroacia barazoi me Gvardiol, i sapofutur në fushë, por festa e kroatëve u 'ngri' nga VAR dhe arbitri, i cili pas konsultimit e anuloi golin për një prekje që në pamje të parë ka ngritur polemika të mëdha.

Ky rast mori shumë kohë dhe ndeshja u mbyll pas 110 minutash lojë me fitoren 2-1 të Portugalisë, teksa luzitanët shohin një derbi kundër Spanjës në fazën e 1/8-ave. Zhgënjim, lot dhe dhimbje te Kroacia, kjo pasi ballkanasit zhvilluan një ndeshje të një niveli shumë të lartë teknik, taktik dhe fizik. Për legjendën Luka Modric ky ishte 'vallëzimi i fundit' me fanellën e kombëtares kroate.

Në fund të ndeshjes pati edhe një moment emocionues, pasi Ronaldo veshi fanellën me numër 21 të të ndierit Diogo Jota dhe ia dedikoi atij këtë sukses, duke ngritur shikimin dhe duart në qiell. Dikush atje sipër po punonte për Portugalinë mëngjesin e kësaj të premte me orën shqiptare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:36
'Trionda', topi i Botërorit që eliminoi Kroacinë! Ndjen valët dhe karikohet para ndeshjeve

Drama e vërtetë në këtë duel do të ndodhte në shtesë, pasi arbitri akordoi 10 minuta. Ekzaktësisht në minutën e 94 Goncalo Ramos, i cili hyri në fushë duke zëvendësuar Ronaldon, realizoi me kokë dhe dërgoi në delir të besuarit e Roberto Martinez, pasi shënoi për 2-1.

Edhe pse koha e mbetur në dispozicion ishte shumë e pakët, Kroacia reagoi dhe në minutën e 13 të shtesës barazoi në 2-2. Mirëpo goli i Gavrdiol u anulua me VAR për pozicion jashtë loje, pasi sipas arbitrit Matnovic e prekur me kokë. Pamjet nuk e vërtetojnë diçka të tillë, por teknologjia po. Topi i Adidas ‘Trionda’, që karikohet para ndeshjes, dërgoi sinjale vale të prekjes nga Matanovic. Megjithatë kjo nuk i qetësoi aspak kroatët, të cilët në fund të lojës u përlotën jo pak.