Evangjeli Veli, peshëngritësja shqiptare që mori pjesë e para nga ekipi kombëtar në kampionatin Botëror që po mbahet në Uzbekistan, e ka mbyllur përfaqësimin pa medalje dhe poshtë pritshmërive. Medalistja e kampionatit europian, edhe pse pretendoi të çonte lart flamurin shqiptar e ka mbyllur si e pakulifikuar në dygarësh, pasi u tërhoq nga stili i shtytjes, si pasojë e një dëmtimi.
Në stilin e shkëputjes peshëngritësja nga Fieri realizoi dy nga tre provat. Fillimisht Veli, e cila garoi në baderinë A të peshës 55 kilogramë, ngriti 86 kilogramë në provën e parë. Në provën e dytë Veli u tregua sërish e saktë për 89 kilogramë. Me synim për të hyrë në zonën e medaljes peshëngritësja shqiptare tentoi 91 kilogramë, por këtë herë nuk ia doli. Për rrjedhojë Evangjeli Veli u rendit në vendin e katërt në stilin e shkëputjes.
Kjo kategori u fitua nga peshëngritësja e Tunizisë Belkhir Ghofrane. Ndërkohë të premten do jetë rradha e dy peshëngritësve të tjerë nga Shqipëria, Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, të cilët do garojnë në kampionatin Botëror.