Botimi me tregime,Rruga është e errët

Botimi me tregime,Rruga është e errët
Kthehej në shtëpi një të shtunë mbrëma, në atë orë të hidhur kur të tjerët bëheshin gati të niseshin për të dalë në freskinë dhe gëzimin e një kinemaje verore, dhe ishte ende i pavendosur. Kishte humbur gjithë ditën, një mëngjes të shkëlqyer dhe një pasdite po aq magjike, pa arritur të vendoste nëse duhej të shkonte apo ta linte vetëm, në rrugën që kishte zgjedhur vetë.

Kur kthehesh për të mbledhur mendjen dhe nuk gjen asgjë, s’duhet të qahesh nëse takon atë që s’e pret. Kur një lidhje merr fund, plagosesh nga gjithçka. Madje dhe nga gjërat më të lehta, më të pafajshmet. Gjithë bota ku u zhvillua dashuria në fjalë menjëherë bëhet armiqësore. Atëherë, nëse ke mundësi të ndërrosh vend, për t’u shmangur çështjeve që dikur dukeshin ndryshe, ik nga sytë këmbët. Një gjë të tillë mund të ketë menduar Dhafni, mendoi ai. Dhafni thoshte “Po të rri më pranë teje, do thahem. Po më bien gjethet. Ti ke veshur lëkurën si ndonjë kostum të qepur keq, por nuk je në gjendje të veshësh vetveten. Ç’të bëj këtu brenda? Ç’të të bëj ty? Do iki”.

Ndaloi në mes të dhomës së zbrazët, që fundosej dalëngadalë në rrënim nga dita e ikjes së saj. Mobiliet dhe objektet e ndryshme që e stolisnin, e kishin braktisur dhe ato sipas radhës, ca ngaqë ishin të sajat e ca të tjera ngaqë ishin të tepërta. Një vazo Gale kishte arritur ta shiste në një çmim shumë të mirë, dhe me ato para jetonte deri në atë çast, duke menduar edhe të udhëtonte po të nevojitej. Por dalëngadalë e kishin braktisur të gjitha.

Vetëm Zina, e lidhur ngushtë me ato pak gjëra që kishin mbetur, dinte të vërtitej midis kolltukut të vetëm, frigoriferit dhe televizorit në dysheme, pa ndier pikë dëshire për të shkuar gjetiu, veç të kacavarej me ato marifetet e saj të buta e tinëzare nëpër pakot e letrave, mbushur me libra gati për transferim, dhe mërzia e çonte hap pas hapi buzë vaskës. Kështu ndodh, kur dashuron shumë, mbetesh në vend.

Nuk mjaulliste ankueshëm, siç mund të pritej, por ishte mbledhur te vrima e vaskës dhe herë pas here bënte ndonjë përpjekje të kotë për të dalë. E përfytyroi sikur afrohej buzë vaskës dhe rrëshqiste atje brenda gjithë hare e dëshirë, si kalamajtë në park. Tani turrej herë pas here për t’u ngjitur, por rrëshqiste përsëri poshtë. Smalti e kishte futur në kurth. Nuk kishte mundësi të shkonte asgjëkund (apo nuk donte?) mendoi ai.

Dhe atëherë zuri t’i rridhte në kokë ajo historia e tmerrshme me macen e zënë në kurth, të cilën e kishte dëgjuar pa dashje gjatë një gostie familjare. Tronditja që kishte ndier ishte kaq e rëndë, saqë nuk mbante mend se cila ishte viktima, por vetëm që e kishin internuar në Makroniso. Dhe ngaqë persekutorët donin ta trajtonin sa më mirë, ngaqë i kishin premtuar ndoshta një dënim special, e kishin futur në një çantë ushtarake bashkë me një mace, para se ta flaknin në det. Në ujë të cekët dhe vetëm për pak çaste.

Aq sa trupi i tij të provonte shijen e ferrit.

Ajo që i ishte ngulitur qysh atëherë në mendje dhe që tani rikthehej falë përpjekjeve të Zinës, ishte fakti se, për ta torturuar në atë mënyrë, u ishte dashur ta mbartnin atë njeri nga ana e dreqit. E detyruan të përshkonte mes përmes gjithë Greqinë që ta torturonin. Duhej të bënte shumë kilometra, një udhëtim të tmerrshëm që nga Grebenaja, pasi e zbritën nga Argos Orestikoja, dhe nëpër rrugët e shkatërruara, nga Meteora, nga Trikalla dhe Kardhica, nëpër reparte e posta ushtarake, gjersa të vareshin drejt Makronisos për ta torturuar. Çanë lumenj, liqene, kaluan ndanë ujërave të kaltra të detit, pasi kishin gulçuar nëpër shkrepat e Dhomokosë, në brigjet e mrekullueshme greke, të cilat lufta nuk kishte mundur t’i shkatërronte, derisa e prunë në Makroniso dhe e hodhën në ujë bashkë me një mace, a thua se deri atëherë kishin çarë një vend prej rëre.
Ajo çka i kishte kallur datën ishte marrëzia e maces, përpjekjet e saj të tërbuara për t’u çliruar, dhe udhëtimi i viktimës. Kjo e trondiste më shumë se imazhi i të burgosurve, që parakalonin nga koka e tij sa herë vendoste si sot në punë kujtesën, imazhi i të burgosurve nëpër sëndukë, sirtarë, arkivole, ashensorë, puse, frigoriferë, në qendër të një orteku apo nën male prej balte, imazhi i viktimave të murosura që, të pa ndihmuar nga njeri, presin çastin të brofin jashtë. Këto mendonte kur u përkul mbi vaskë dhe zgjati pëllëmbën, mbi të cilën macja e vogël u mblodh e lumtur dhe pastaj kërceu me krenari mbi dysheme, për t’u larguar me një shpërfillje mbretërore.
Hetoi dhomën e zbrazët dhe pohoi se, po të kishte lënë ndonjë orendi, nëse nuk do të kishte vendosur me aq ngut t’i syrgjynoste, do të kishte diçka ku të mbahej.
“Mos vallë prandaj i mbushin njerëzit shtëpitë me plaçka, që të mbahen prej tyre?” pyeti veten me përbuzje.

“Edhe për atë. Pse, ku është e keqja?”
“Jo”, vazhdoi të fliste me vete. “Edhe unë, nëse nuk do t’i kisha flakur të gjitha, tani mund të ndihesha ndryshe”.
Dashnori i plagosur kishte ditë që në mënyrë të pavetëdijshme po përgatitej për t’u larguar. Duke zbrazur shtëpinë, i kishte dhuruar vetes një rast të shkëlqyer për të biseduar me vete dhe për të vënë në vijë dorëzimin e saj te Dhafni, pa ia tërhequr vëmendjen asgjë tjetër. Dhafni kishte thënë, “Nëse do të më ndjekësh pas, duhet të vish të rrish këtu, pa kushte dhe supozime. Vetëm kështu”. Kishte ardhur ora t’i dorëzohej asaj, por tani mezi i mjaftonte koha për të kapur ndonjë autobus nate.
Në autobusin e zbrazët çohej dhe ndërronte herë pas here vendin, shkonte lart e poshtë, saqë një çast shoferi tha, “Mos lëviz kështu, djalo. Do të arrijmë”. Megjithëse i lodhur, ngaqë nuk ishte rehatuar për asnjë çast qysh nga mëngjesi, emocionet e takimit diktuan një sërë lëvizjesh të vazhdueshme nëpër autobusin me pasagjerët e paktë.
Diku pranë Lamias, ndërsa ndodheshin në rrugën drejt Stilidhas, duke hedhur një vështrim nga e majta, mendoi se dikur atje prapa atyre maleve kishin zvarritur atë të mjerin që fati ia solli të torturohej bashkë me një mace.

Ai ishte duke ndjekur drejtimin e kundërt, për në veri, por me një shmangie të lehtë drejt lindjes. Megjithëse nuk ishte aspak e pamundur që robi dhe shpura e tij të ishin nisur, mendoi, nga Argos Orestikoi për në Kozanë e jo për në Grebena, të kishin zbritur në Larisë, dhe në vazhdim të shfrytëzonin të njëjtën linjë, ato vende ku edhe ai, pikërisht atë çast, po hetonte nga një autobus i errët e pa njerëz. Në orën më të errët të natës, kur shoferi nisi të kontrollonte motorin e autobusit me seriozitetin dhe përgjegjësinë e një mjeku para një plage të gjakosur, ndërsa ai rrekej të përpinte një supë me mish në Tempi, pranoi, tashmë me bindje, se kishte dalë jashtë rrugës së tjetrit, përderisa kishin lënë prapa Larisën, se rruga, mbi të cilën rrëshqiste pa zhurmë autobusi i bollshëm e luksoz në mes të errësirës, duke u shkëmbyer me makina të llojeve të ndryshme, ishte ndërtuar shumë vite më vonë, ndaj dhe ishte e pamundur të ndiqte drejtimin e kundërt të së njëjtës rrugë. As qielli nuk është më i njëjti, tha i lehtësuar, kur shpërtheu një rrebesh veror.

Qyteti e mirëseardhi në të gdhirë, me lëkurën e tij të zezë që shkëlqente nga lagështira. I ngrohtë dhe i lagësht.

Nuk i bëhej të ikte nga krevati i Dhafnës, ndërsa pasditja me reflekset e saj të zbehta po varej perdeve. Një pasdite si ajo e djeshmja, me një bukuri të tjetërllojtë, të cilën ishte gati prej kohësh ta stoliste me kurora fjalësh. Fjalë si komodinë dhe sirtar gjysmë i hapur. Llambë mbi tryezën e punës me kapele ngjyrë bezhë. Mbi televizor, një copë mëndafsh ku ishte stampuar pamja e lagjes së sipërme të qytetit. Një libër me faqe të përthyer. Dhe një varëse mbushur me pantallona, funde dhe brekë plot me lule.
Lere që ishte bërë telef nga lodhja, por ishte dhe ajo era e livandës çarçafëve të bardhë, që kishin nisur të reflektonin me zbehjen e dritës, ndërsa ai zhytej dhe humbiste poshtë tyre, duke e anuluar daljen nga krevati. Nuk dilte dot nga krevati.

Nuk mundej apo nuk donte? As mundej as donte. Ëndrra e stërlashtë e nënshtrimit të përjetshëm. “Erdha që të rri”, tha ai.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë