Bozho legalizoi ndërtimin në
Parkun e Liqenit, ja dokumenti

Në shtator 2013, kur qeveria “Rama” sapo ishte krijuar, në zyrat e ALUIZNI-t puna vijonte me intensitet. Për zyrtarët e emëruar nga ekzekutivi humbës i zgjedhjeve të qershorit 2013, ky ishte momenti më i mirë. “Shekulli” ka siguruar dokumentet e firmosura nga drejtori i degës së ALUIZNI-t, “Tirana 1”, Kreshnik Bozho, aktualisht kandidat për kryetar bashkie në Sarandë, që mbajnë pikërisht datën 17 shtator 2013.

Bozho ka hedhur firmën në lejen e legalizimit të një ndërtimi në krah të Korpusit Qendror të Universitetit, në zonën e Parkut të Liqenit. Leja e legalizimit është bazuar, edhe në një vendim të qeverisë “Berisha”, të 16 gushtit 2013, pikërisht në periudhën e ndërmjetme, nga humbja e zgjedhjeve, deri në formimin e qeverisë së re.

Sipas të dhënave të organit të akuzës, disa ish-zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t, Tiranë, mes të cilëve edhe Kreshnik Bozho, janë akuzuar për “shpërdorim detyre” në procesin e dhënies së lejeve të legalizimit në Tiranë. Hetimi i Prokurorisë ka nisur në bazë të dy kallëzimeve penale.

Së pari, ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), sipas të cilit, janë krijuar dyshime të arsyeshme se zyrtarët e ALUIZNI-t kanë dhënë leje legalizimi në kundërshtim me ligjin, ku vetëm në 16 raste është konstatuar një dëm për shtetin në total në vlerën e mbi 20 milionë lekëve (rreth 200 mijë USD). Së dyti, ka qenë Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit që kallëzoi për disa ish-zyrtarë të ALUIZNI-t, të cilët kanë legalizuar, në kundërshtim me ligjin, disa objekte tregtare (lokale) në Korpusin e Universitetit të Tiranës dhe në sheshin rreth tij.

Procesi i legalizimeve u intensifikua gjatë periudhës së fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit 2013 dhe periudhën pasuese. Në këtë periudhë janë gjetur shkelje të shumta në procedurat e legalizimit, pasi ky proces dyshohet se është përdorur për përfitime elektorale. Ai lejonte legalizime me kosto më të ulët financiare se vlera e tyre reale, duke i shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit. Për më tepër, një pjesë e objekteve të legalizuar kanë mundur të sigurojnë edhe certifikatën e pronësisë, duke e bërë të vështirë për qeverinë sistemimin e hapësirave të zëna.

Një ndërhyrje e rëndësishme në zonën në krah të Universitetit të Tiranës u realizua me rastin e vizitës së Papa Françeskut në shtator 2014, ndërsa qeveria është e detyruar të shpërblejë pronarët e ndërtimeve të shembura, por që zotëronin dokumentet e pronësisë. Ndërkohë, në bazë të asaj që ka konstatuar KLSH-ja, ish-kreu i ALUIZNI-t dhe dy zyrtarë të tjerë kanë legalizuar në 5 raste të ndërtimeve informale, ndërkohë që etapat e procesit të ankimit në gjykatë nuk kishin përfunduar, veprim ky në kundërshtim me nenin 26, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 dhe pikën 6 të VKMsë nr. 438, datë 28.06.2006.

Gjithashtu kanë legalizuar në 8 raste të ndërtimeve informale në zonën e gjelbër të Parkut të Liqenit Artificial, veprim ky në kundërshtim me nenin 31, pika 1, germa “a” dhe 39, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, pikën 2, germa “e” dhe pika 4, të VKM nr. 438, datë 28.06.2006, Vendimit të Këshillit Bashkiak (VKB) nr. 4, datë 23.06.2004 “Për miratimin e vijës kufizuese të Parkut të Liqenit Artificial”, si dhe Planin e Përgjithshëm Vendor (PPV) të Bashkisë Tiranë, miratuar me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT)-së nr. 1, datë 15.02.2013, si dhe 19 raste të legalizimit të ndërtimeve informale në troje private, për të cilat Bashkia Tiranë ka planifikuar ndërtime shumëkatëshe, veprim ky në kundërshtim me nenin 2, pika 4 dhe 4.2, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, pika 2 germa “b”, pika 8, e VKM nr. 438, datë 28.06.2006, si dhe Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Tiranë.
dok

(Marrë nga gazeta Shekulli)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Aksident në Bulqizë, shoferi humb kontrollin e automjetit dhe përplaset me kollonën e mbikalimit (VIDEO)

Aksident në Bulqizë, shoferi humb kontrollin e automjetit dhe përplaset me kollonën e mbikalimit (VIDEO)