Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, është shprehur se pavarësist se mund të ketë qëndrime të ndryshme nga PS, nuk mund të dalë dot kurrë si deputet i pavarur.

Komentet Braçe i bëri përmes një postimi në rrjetet sociale, në një kohë që pas protestave që po zhvillohen kundër investimit në Zvërnec, deputetja Marjana Koçeku u largua nga PS dhe doli si e pavarur.

Braçe theksoi në postimin e tij se është socialist dhe partizan, teksa shtoi se edhe nëse do të dilte si i pavarur, nuk do të besohej nga qytetarët, pasi sipas tij, ka 35 vite në këtë forcë politike.

Në përfundim Braçe theksoi se do të qëndrojë gjithmonë përballë partisë së vetë, duke ngritur edhe zërin për ato gjëra që sipas tij mund t’i duken të padrejta.

Ai shtoi se nuk është e nevojshme që të jetë në protestën, e cila sipas tij ka 7-8 axhenda, disa prej të cilave të rrezikshme për Shqipërinë.

Reagimi i Braçes:

#fjalaime

Përgjigje për tre gjëra:

  1. Unë jam socialist, nuk bëhem i pavarur,

jam partizan, jo neutral, mbaj qëndrime,

nuk dal mënjanë!

  1. Unë jam deputet i zgjedhur në Tiranë, nuk jam prej listës, kam bërë deputetin, bëj deputetin,

do vijoj të bëj deputetin, nuk dorëhiqem!

  1. Do vijoj t’i rri përballë partisë sime, duke thënë të vërtetën, duke kërkuar llogari, kritikuar, debatuar, kundërshtuar, propozuar, miratuar aty, sy më sy e nga çdo cep i territorit që mbuloj si deputet; pra nuk kam nevojë për protestën dhe nuk dua kapital politik prej saj!

Pra;

Askush nuk do ta besonte që, po të ikja nga grupi i PS-së, do isha i pavarur, edhe ata që ma shkruajnë këtë; unë jam në PS prej themelimit, kam milituar në të për 35 vite, kam jetuar në të e kam punuar bashkë me të, kam bërë beteja aty e prej aty, si socialist, duke mbajtur qëndrime e pa qenë kurrë neutral, domethënë i pavarur.

Ndërkohë, kam bërë deputetin, bëj deputetin e do vijoj të bëj deputetin, jo vetëm në Njësinë 5, por në të gjithë Tiranën. Nuk ka sot njeri në njësinë time që s’e di kë ka deputet. Nuk ka sot njeri në Tiranë që të mos dijë që unë jam deputet i këtij qarku. Nuk gjen njeri të thotë që deputeti nuk më ka ardhur në njësi, lagje, bllok, rrugë, rrugicë, shesh poshtë pallatit; që të thotë deputeti nuk më është përgjigjur, nuk më ka përfaqësuar në Kuvend për hallet e shqetësimet e mia apo të lagjes. Pra, kam bërë punën, bëj punën, do bëj punën, nuk dorëhiqem dhe do të respektoj 25 mijë njerëzit që votuan e më besuan këtë punë.

Në fund, doemos që do vijoj t’i rri përballë partisë time për të vërteta që refuzon t’i shohë apo i ka jashtë çdo axhende për 1001 arsye, përfshi shpërfilljen, përjashtimin apo arrogancën; kam hapësirën e mjaftueshme për ta bërë këtë pa asnjë rezervë, siç të shtunën, sy më sy me kryeministrin dhe qeverinë. Pra nuk kam nevojë të jem në protestën me 7-8 axhenda, disa primitive e shumë të rrezikshme për këtë vend, por e bëj përballë e sy më sy, duke qenë i përgjegjshëm, duke marrë e kërkuar përgjegjësi!