Deputeti socialist Erjon Braçe thotë se protestat në Tiranë kanë shumë axhenda të rrezikshme. Në një postim në rrjetet sociale Braçe thekson se në krye të tyre qëndron një axhendë e mirëfilltë politike, që ai e cilëson të rrezikshme dhe primitive.

“ Shumë mesazhe dhe komente edhe dje pas statusit për qëndrimet e mia. Një gjë duhet t’jua them: unë kam qenë socialist, jam socialist dhe mbetem socialist. Kjo nuk do të thotë që kam mbyllur sytë, kam mbyllur gojën dhe thjesht kam ngritur dorën. Jo, nuk e bëj dot këtë. Kështu që po kaloj te e dyta gjë. Reagim kundër agjendave, agjendave primitive dhe agjendave të rrezikshme. Po mundohem që sot, nesër e në vijim t’ju kthej përgjigje një nga një. E para është agjenda politike.

Agjenda politike është evidente, shumë e qartë dhe nuk ka lidhje me politikat, por është agjendë e mirëfilltë politike. Jo vetëm për shkak të asaj që tashmë është e dukshme, prezencën e partive politike në protestë, madje prezencën e partive politike në krye të protestës. Kandidatët për deputet të partive të vogla, të cilët as s’i njohu kush në fushatën elektorale, as s’i dëgjoi kush, as s’i votoi kush në fund fare janë mu aty dhe tani flasin si organizator të protestës”, tha Braçe në videon e publikuar në Facebook.

Delegjitimimi me thirrje nga sheshi i një mazhorance të zgjedhur me votë, sjellje sipas tij e njëjtë si e Sali Berishës, cenon stabilitetin dhe e con vendin në kaos.

"Ajo që dëgjova është dorëheqje e kryeministrit, dorëheqje e qeverisë, por jo vetëm kaq, edhe rrëzim të mazhorancave legjitime të krijuara me votë. Delegjitimim i procesit zgjedhor. Delegjitimim të një procesi zgjedhor të njohur botërisht dhe të certifikuar si të tillë. Delegjitimim që pastaj do të vijojë seri për çdo palë zgjedhje. Kjo historia që ti do japësh dorëheqje, ti nuk je më mazhorancë sepse njerëzit janë në shesh. Ti ikën dhe sheshi zgjedh 101 njerëz, përfaqësues të sheshit, që zgjedhin ministra të një qeverie që duhet të jetë teknike, që në harkun e një viti nuk duhet të bëjë asgjë sipas tyre, por që duhet ta votoj unë në Parlament, edhe pse i delegjitimuar nga sheshi, jo nga ligji, jo nga Kushtetuta, pra duhet ta votoj unë, nuk ecën. Do të përsëritet e do të përsëritet dhe vendi do të kalojë jo vetëm në cenim të stabilitetit, por mbi të gjitha në kaos", shprehet Braçe.

Në fund të fjalës së tij deputeti socialist thekson se Shqipëria është duke negociuar me BE-në për të mbyllur kapitujt e anëtarësimit, dhe i kanë vënë në dukje partnerëve problemet që ka vendi ynë.

"Dhe mos harroni, ky vend është duke negociuar me BE-në për të mbyllur kapitujt e anëtarësimit, ku i pari është kapitulli i themeloreve, ku hyn brenda gjithçka që po kërkohet të delegjitimohen përmes asaj skeme: sheshi, 101 dhe në fund bëjnë zgjedhje të reja që mund të kontestohen prapë. Ne kemi probleme edhe me zgjedhjet, edhe me demokracinë dhe i kemi vënë në dukje partnerëve me të cilët po negociojmë, por kjo përmbysje totale, jo e sistemit, por e rregullave demokratike në vend, patjetër që sjell kaos. Kjo është një agjendë jo vetëm primitive, por edhe e rrezikshme”, u shpreh Braçe.