Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS fiton me 55%! Shumica e shqiptarëve 'pro' investimeve në Sazan! ‘Paqja’ PS- Rithemelimi, pikë politike për Ramën

TIRANË- Në sondazhin e muajit mars në Report Tv në bashkëpunim me sondazhistin e njohur Eduard Zaloshnja, u trajtuan temat më të ndjeshme për publikun, duke nisur nga negociatat për t’i dhënë fund kaosit ne Kuvend e deri tek investimet e huaja strategjike.

Një nga çështjet më të diskutuara së fundmi ishin pikërisht planet e Jared Kushner, sipërmarrësi i madh amerikan dhe dhëndri i Donald Trump, për të investuar në një projekt turistik në Ishullin e Sazanit, gjë për të cilën më shumë se gjysma e shqiptarëve janë dakord.

Nga të dhënat e sondazhit në total 56.3% e janë përgjigjur pozitivisht. Ndërkohë në total 43.7 e qytetarëve janë kundër investimeve të dhëndrit të Trump në ishullin e Sazanit.

Kthimin në normalitet të jetës parlamentare, qytetarët e shohin si një lëvizje që fiton politikisht Edi Rama. Në total 63.2% e qytetarëve të anketuar se kush fiton pikë politikisht nga kthimi në normalitet i Kuvendit mendojnë se Edi Rama, ndërsa vetëm 36.8% e qytetarëve mendojnë se fiton pikë Sali Berisha.

Të pyetur nëse kanë dijeni për mbylljen e Muzeut Kombëtar për restaurim, 64% e qytetarëve janë përgjigjur se nuk kanë aspak informacion, ndërsa vetëm 3% e tyre thonë se kanë plotësisht informacion.

Kur pyeten sesi e vlerësojnë punën e qeverisë vetëm 25.7% e qytetarëve kanë vlerësim pozitiv, 16.4% përgjigjen “anoj pozitiv”, 30.4% “anoj negativ” dhe 29.9% negative.

Akoma më i ulët është vlerësimi për opozitën, por megjithatë me një rritje të lehtë krahasuar me një muaj më parë. Të pyetur se si e vlerësoni aktivitetin e opozitës vetëm 18.6% e qytetarëve thonë pozitiv, 5.7% përgjigjen anoj pozitiv, 26.7% e tyre anoj negativisht, dhe, 49% e vlerësojnë negativisht punën e saj.

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot (20 mars), Partia Socialiste do të fitonte një mandat të katërt. Nëse do të votohet sot, 55.1% e zgjedhësve të vendosur për të votuar janë përgjigjur se do të votonin për Partinë Socialiste. Këto janë të dhënat e sondazhit të Report Tv në bashkëpunimin me Eduard Zaloshnja.

*Sondazhi i Report Tv në bashkëpunim me autorin e sondazheve Eduard Zaloshnja realizua me 1108 banorë të rritur nga e gjithë Shqipëria të cilët janë kontaktuar me SMS të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme. Ndërsa marzhi i gabimit +/- 3.3 %.

Të ftuar në studion e 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga për të analizuar shifrat e sondazhit të Report Tv në bashkëpunim me sondazhistin Eduard Zaloshnja ishin Poli Hoxha, Endri Shabani dhe Lorenc Vangjeli.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:44
Sondazhi i Report Tv/ Nëse votohet sot, 55.1% e zgjedhësve të vendosur do të votonin për PS-në! 30% për PD-në e Berishës

Nëse do të votohet sot, 55.1% e votave do të shkojnë për Partinë Socialiste. Këto janë të dhënat e sondazhit të Report Tv në bashkëpunimin me Eduard Zalonshnjen.

Ndërkohë 30% e të anketuarve janë vendosur për votuar PD-në e Berishës, ndërsa 4.5% % do të votonin PD-në e Bashës.

Sakaq Partinë e Lirisë do ta votonin 3.7% në zgjedhje. Parti të tjera do të merrnin 6.7%.

Ora 22:42
Sondazhi i Report Tv/ Nëse zgjedhjet mbahen sot, PS parti e parë me 36%, por numër i lartë i atyre që nuk shkojnë të votojnë

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot (20 mars), Partia Socialiste do të fitonte një mandat të katërt. Në të dhënat e paftuara nga sondazhi i Report Tv në bashkëpunim me sondazhistin Eduard Zaloshnja, 36% e qytetarëve thonë Partia Socialiste, krahasuar me 36.3% të një muaji më parë.

PD e Berishës ka pësuar një rritje të lehtë. 19.6% e qytetarëve do të votonin PD e Berishës, krahasuar me 14.5% në muajin shkurt.

PD e Bashës ka një rënie të ndjeshme, krahasuar me një muaj më parë. Konkretisht 2.9% e qytetarëve do të votonin sot për PD-në e Lulzim Bashës, krahasuar me 6.6% që ishin një muaj më parë.

Partia e Lirisë do të ishte alternativë për 2.5%, krahasuar me 2.2%. Ndërsa parti të tjera do të votonin 4.4% e qytetarëve të pyetur, krahasuar me 3.9%.

Por sërish mbetet një përqindje e lartë e qytetarëve që nuk duan të votojnë asnjë parti. 34.6% e qytetarëve janë përgjigjur se nuk duan të votojnë asnjë parti, nga 36.5% krahasuar me një muaj më parë.

Ora 22:27
Sondazhi/ Rama vijon të mbetet lideri i preferuar, 36% s’duan asnjë politikan

Kryeministri Edi Rama vijon që të mbetet politikani i preferuar për qytetarët shqiptarë, ndërsa sërish një numë ri lartë qytetarësh nuk preferojnë asnjë prej liderëve kryesore të politikës në Shqipëri.

Kjo sipas të dhënave të sondazhit të Report Tv në bashkëpunim me sondazhistin e njohur Eduard Zaloshnja.

Konkretisht 41.9% e qytetarëve të pyetur në lidhje me politikanin e preferuar kanë zgjedhur kryeministrin Edi Rama, i cili vihet re se ka pësuar një rritje krahasuar me të dhënat e muajit shkurt, që ishin 39.5%.

Sali Berisha renditet pas Ramës, me një diferencë të theksuar. 16.9% e qytetarëve mendojnë pozitivisht, krahasuar me 14.7% që e vlerësonin një muaj më parë.

Vihet re një rënie e pëlqyeshmërisë ndaj kryetarit të PD-së Lulzim Basha. Vetëm 2.7% e qytetarëve të pyetur e vlerësojnë pozitivisht, nga 5.6% që ishin në muajin shkurt. Rritje e lehtë për Ilir Metën. 2.5% e vlerësojnë pozitivisht, nga 2.2% që ishin një muaj me parë.

36% e qytetarëve nuk vlerësojnë pozitivisht asnjëri nga këta politikanë, shifra këto që të krahasuara me një muaj më parë kanë rënë me 2%.

Ora 22:15
Sondazhi në Report Tv/ Negociatat me PS-në, qytetarët rrisin lehtë vlerësimin për opozitën, por 75% e vlerësojnë negativisht

Aktiviteti i opozitës, ka një trend të lehtë në rritje të vlerësimit pozitiv nga qytetarët krahasuar me muajin shkurt, bazuar në të dhënat e sondazhit të përmuajshëm të Report Tv në bashkëpunim me Eduard Zaloshnjën. Por megjithatë shumica dërrmuese e shqiptarëve e vlerësojnë negativisht aktivitetin e opozitës.

Kështu 18.6% e qytetarëve vlerësojnë pozitivisht opozitën, rritje kjo krahasuar me 15.2% që ishte muajin e kaluar. Ndërsa 5.7% anojnë pozitivisht, krahasuar me 4.7% që ishin muajin shkurt.

Por sërish 75% e qytetarëve shqiptarë të pyetur, vlerësojnë negativisht punën e opozitës. Konkretisht 49% e vlerësojnë negativisht, krahasuar me 54.4% që ishin muajin e kaluar. Ndërsa 26.7% anojnë negativisht, krahasuar me 25.7% që ishin muajin e kaluar.

Ora 22:04
Sondazhi në Report Tv/ Ja cili është vlerësimi i qytetarëve shqiptarë për punën e qeverisë Rama

Ka një rritje të vlerësimit pozitiv për punën e qeverisë, krahasuar me muajin shkurt. Këto janë të dhënat e sondashit të Report Tv në bashkëpunim me sondazhistin Eduard Zaloshnja.

Kështu 25.7% të qytetarëve të pyetur thonë se kanë mendim pozitiv, krahasuar me 24.8% që ishin muajin e kaluar. Në total 39.7% e qytetarëve kanë mendim pozitiv për qeverisjen.

Megjithatë ka edhe një rritje të të pakënaqurve. Kështu 29.9% mendojnë negativisht, krahasuar me 28.7% që ishte muajin e kaluar. Në total 60 % e vlerësojnë negativisht punën e qeverisë.

Ora 21:53
Sondazhi i Report Tv/ 64% e shqiptarëve s’e dinë se Muzeu Kombëtar do mbyllet për 4 vite

Njoftimi në fillim të muajit mars për mbylljen për 4 vite të Muzeut Kombëtar me qëllim restaurimin e tij duket se ka kaluar pa ngjallur interes të gjerë tek qytetarët.

Këtë e vërtetojnë edhe shifrat e dala nga sondazhi i Report Tv në bashkëpunim me Eduard Zaloshnjën. Konkretisht më shumë se 64 % e qytetarëve të pyetur nëse janë të informuar rreth mbylljes për 4 vite të Muzeut Kombëtar thonë se nuk kanë aspak informacion, e në të kundërt vetëm 3.1% kanë plotësisht informacion për mbylljen.

Ndërkohë 14.4% thonë se kanë informacion pjesërisht dhe 17.9% e qytetarëve të pyetur thonë se kanë pak informacion.

Ora 21:36
Sondazhi në Report Tv/ ‘Paqja’ PS- Rithemelimi, 63.2% e shqiptarëve: Pikë për Ramën

Kthimi në normalitet i seancave plenare, pas disa muajsh kaos nga Rithemelimi, politikisht i shërben më shumë Edi Ramës.

Në sondazhin e përmuajshëm në Report Tv në bashkëpunim me sondazhistin e njohur Eduard Zaloshnja, në total 63.2% e qytetarëve të pyetur se kush fiton pikë politikisht nga kthimi në normalitet i Kuvendit mendojnë se Edi Rama fiton më shumë pikë politikisht nga normalizimi i jetës parlamentare. Konkretisht qytetarët janë ndarë në 57.2% për Edi Ramën, 6.0% anojnë për Ramën.

Nga kahu opozitar, në total vetëm 36.8% e qytetarëve mendojnë se fiton pikë Sali Berisha, i Rithemelimit. Konkretisht 27.6% thonë se fiton pikë Sali Berisha, 9.2% anojnë nga Berisha.

Ora 21:05
Sondazhi në Report Tv/ 56.3% e qytetarëve dakord me investimin e dhëndrit të Trump në Sazan

Më shumë se gjysma e shqiptarëve janë dakord me planet e shpalosura nga Jared Kushner, sipërmarrësi i madh amerikan dhe dhëndri i Donald Trump, për të investuar në një projekt turistik në Ishullin e Sazanit.

Këto janë të dhënat e sondazhit të Report Tv në bashkëpunim me sondazhistin Eduard Zaloshnja.

Qytetarët e pyetur pavarësisht interesit politik të pozitës dhe opozitës ndaj Trump, në lidhje me investimet e dhëndrit të tij në Sazan, 51.1% e tyre janë përgjigjur pozitivisht, ndërsa 5.2% anoj pozitivisht, në një total prej 56.3%, e tyre që janë dakord me investimet.

Ndërkohë në total 43.7 e qytetarëve janë kundër investimeve të dhëndrit të Trump në ishullin e Sazanit. Konkretisht 37.8% e qytetarëve mendojnë negativisht dhe 5.9% anojnë negativisht.

Kujtojmë se kryeministri Rama i cilësoi ambiciozë projektet e dhëndrit të Trump e sipas tij do ta shndërronin Sazanin në xhevahirë të kurorës së artë të turizmit në Mesdhe!

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Gati shqipe', turi me diasporën, Rama sot takim me shqiptarët e Londrës! Pamje nga salla

'Gati shqipe', turi me diasporën, Rama sot takim me shqiptarët e Londrës! Pamje nga salla