Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, është shprehur se në Shqipëri bëhet pastrim parash të pista, ashtu siç sipas tij, bëhet në çdo vend të Europës dhe botës.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Braçe tha gjithashtu se edhe Vatikani është në listën gri të pastrimit të parave të pista.

Por deputeti socialist shtoi se institucionet përkatëse kanë marrë masa për parandalimin e këtij fenomenti dhe kanë bërë edhe kallëzime konkrete në Prokurori.

Për Braçen, Parlamenti duhet të rrisë kontrollin mbi institucionet që merren me luftimin e fenomenit të pastrimit të parave, me qëllim zvogëlimin sa më shumë të jetë e mundur të këtij fenomeni.

“Unë nuk kam dëgjuar kënd që të thotë se në Shqipëri nuk pastrohen para të pista. Nëse del ndonjë që thotë se nuk pastrohen para të pista, duhet të jetë anormal. Sepse nuk ka vend në Europë dhe botë që nuk pastrohen para të pista. Edhe Vatikani ishte në listën gri të pastrimit të parave të pista. Unë vazhdoj të them që ‘po në Shqipëri pastrohen para të pista, nga mëngjesi deri në mbrëmje’ dhe nuk e mohon dot kërkush këtë gjë. Por ama që ka akte të qarta të agjencive që ligji i ka ngarkuar të merren me këtë fenomen, po ka. Ka, siç ka Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave kallëzime në drejtim të organit të akuzës. Ka kallëzime të qarta për këtë fenomen, për kompani apo pronarë kompanish që merren me këtë gjë dhe që infiltrojnë edhe në sektorin e ndërtimit para të pista. A duhet të ushtrojë Parlamenti kontroll mbi këto institucione për ta forcuar këtë luftë? Po duhet ta forcojë”, tha mes të tjerash Braçe.


Lajmi kryesor:

LIVE - Kuvend/ S’ka komisione hetimore për AKSHI-n dhe ARRSH-në, mazhoranca rrëzon nismat e opozitës! Balla: Parlamenti nuk kryen hetime penale