Pas vendimit të së mërkurës të Bordit të Transparencës për të ulur me 4 lek çmimin e naftës, deputeti socialist Erion Braçe nuk kurseu kritikat ndaj mazhorancës së cilës i përket, për masat e marra ndaj rritjes së çmimeve në vend duke thënë se qeveria do duhej që të kishte ndërhyrë me masa për të lehtësuar këtë ‘barrë’ ku një prej tyre mund të ishte puna nga shtëpia ose transporti publik i subvencionuar.

 “Me dhemb fakti që ne, mazhoranca patëm thjesht vetëm dy masa në këtë situatë, Bordin dhe reduktimin me 20% të akcizës; Asnjë masë për të nxitur kursimin-më pak ditë pune në javë (u kujdes Zoti për këtë me Bajram, Pashkë Katolike e këtë javë Ortodokse), punë nga shtëpia, transport publik të subvencionuar” tha Braçe në një postim në rrjete sociale.

Braçe ngriti edhe shqetësimin për informalitetin në tregun e karburanteve, duke sjellë raste nga qytetarët.

“Kam disa video që mi kanë çuar qytetarë, ku dëgjohen shitësit në pompë: ‘A e do faturën?!’ Po mirë ç’domethënë kjo? Për çdo shitje me pyetjen ‘A e do faturën’ dhe pa faturë, ku raportohet, si tatohet?! Nuk di! E kam për shtetin këtë,” shprehet ai.

Në postimin e tij Braçe ngriti edhe shqetësimin për faktin që shoqëria shqiptare nuk e njeh kulturën e kursimit, sepse ndonëse çmimi i karburantit është rritur ndjeshëm, sërish në qarkullim sheh një numër të shtuar automjetesh.

"Po si ka mundësi që këto ditë me çmime të larta nafte, ka më shumë lëvizje dhe më shumë trafik??!! Na mungon shumë një ndjenjë kursimi që mban larg konsumin tonë të përditshëm nga çmimet e karburanteve dhe pranojmë të paguajmë shtrenjtë!!" u shpreh ai 


Lajmi kryesor:

Bordi vendos çmimet e reja, nafta ulet me 4 lekë, do shitet me 220 lekë/litri! Nuk ndryshon benzina