BRATISLAVË, 29 shtator /ATSH-AFP/ - Livrimet e gazit rus në Sllovaki janë ulur në muajin shtator në rreth 48 milionë metra kub në ditë, kundrejt 61 milionë në fillim të muajit, theksoi sot kompania "Eustream" që drejton gazjellësin sllovak duke siguruar transportin e tij.
"Nga ana e saj, shoqëria SPP, shpërndarësi kryesor i gazit në Sllovaki, regjistron që prej 10 shtatorit një rënie të lehtë, mes pesë për qind dhe 20 për qind të gazit ditor të livruar", deklaroi zëdhënësi Peter Bednar.
Sipas Ministrisë së Industrisë, Sllovakia nuk kishte rritur që prej 30 ditësh kërkesat e saj për gaz në Rusi ndryshe nga Polonia që njoftoi gjithashtu për një reduktim të livrimeve të gazit në raport me volumin e kërkuar.
"Sllovakia, shumë e varur nga gazi rus, vazhdon të transportojë gaz me fluks të kundërt drejt Ukrainës", theksoi zëdhënësja e ministrisë, Miriam Zlakova.
"Përsa i përket sasisë, Sllovakia nuk është furnizues, por transportues ndërmjetësues", shtoi ajo pa dhënë detaje.
Polonia vazhdon gjithashtu, pas një ndërprerjeje të shkurtër në fillim të muajit shtator, të furnizojë Ukrainën me gazin që vjen nga Gjermania./
/ec/ a.jor.