Një 29-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë në Durrës, pasi dyshohet se brenda muajit korrik ka kryer 7 vjedhje dhe tentativa vjedhjeje në zona të ndryshme të qytetit.
Sipas hetimeve, i riu me inicialet H. B., banues në Durrës, fillimisht ka tentuar të vjedhë në dy banesa në lagjen nr. 6 më 3 korrik. Më pas, më 14 korrik, dyshohet se ka marrë materiale të ndryshme në lagjen nr. 17, ndërsa një ditë më vonë ka thyer xhamin e makinës së një gruaje në zonën e “Sektor Rinia”, duke i vjedhur bizhuteri floriri dhe sende personale.
Hetimet kanë zbuluar se më 18 korrik ai dyshohet se ka vjedhur para dhe produkte në një dyqan në fshatin Rrashbull. Dy ditë më vonë, sipas Policisë, ka marrë vegla dhe materiale pune nga një automjet në lagjen nr. 17.
Në listën e rasteve të zbardhura janë edhe vjedhja e portofolit të një shtetaseje të huaj në autobus më 21 korrik dhe vjedhja e një biçiklete në lagjen nr. 1 të Durrësit një ditë më pas.
Pas veprimeve hetimore, Policia finalizoi operacionin e koduar “Lately” dhe arrestoi 29-vjeçarin, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
"Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Lately”, zbardhen 7 vjedhje/tentativa për vjedhje, gjatë muajit korrik 2026.
Identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar. Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, për zbardhjen e vjedhjeve, u bë e mundur zbardhja e 7 rasteve të vjedhjes/tentativës për vjedhje, të kryera gjatë muajit korrik 2026, si dhe u arrestua autori i dyshuar, shtetasi:
-H. B., 29 vjeç, banues në Durrës.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas:
-më datë 03.07.2026, ka tentuar të vjedhë në 2 banesa në lagjen nr. 6, Durrës;
-më datë 14.07.2026, ka vjedhur materiale të ndryshme në lagjen nr. 17, Durrës,
-më datë 15.07.2026, në lagjen “Sektor Rinia”, ka thyer xhamin e automjetit të një shtetaseje dhe ka vjedhur aty bizhuteri floriri dhe sende të tjera personale;
-më datë 18.07.2026, ka vjedhur një shumë lekësh dhe disa produkte në një dyqan në fshatin Rrashbull;
-më datë 20.07.2026, në lagjen nr. 17, Durrës, ka vjedhur vegla dhe materiale të ndryshme pune në një automjet;
-më datë 21.07.2026, i ka vjedhur portofolin një shtetaseje të huaj në autobus;
-më datë 22.07.2026, ka vjedhur një biçikletë në lagjen nr. 1, Durrës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme"
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










