Komiteti i Mbikëqyrjes në Kongresin amerikan ka publikuar disa imazhe dhe video të reja nga ishulli Little St James, i njohur si vendi ku Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxwell abuzuan dhe trafikuan dhjetëra të mitur. Vendasit në zonë e quajnë atë "ishull pedofilësh", ndërsa Epstein e quajti "Little St Jeff's".
Materialet, të marra nga një kërkesë drejtuar prokurorit të përgjithshëm të Ishujve Virgin më 18 nëntor, tregojnë ambiente të brendshme të pronës, përfshirë një karrige dentisti, maska dekorative të fytyrave mashkullore dhe një tabelë me fjalë si “e vërteta”, “mashtrimi” dhe “fuqi”.
Kryetari i komitetit, Robert Garcia, i cilësoi imazhet si “një vështrim tronditës në botën e Epstein”, duke theksuar se publikimi i tyre synon transparencë të plotë dhe ndihmon në zbardhjen e krimeve të kryera në ishull. Komiteti pritet të publikojë edhe dokumente të siguruara nga JP Morgan dhe Deutsche Bank.
Pamjet, në vitin 2020 pas vdekjes së Epstein në 2019, tregojnë se në pronë po mblidheshin orenditë. Ndër to ka objekte personale, produkte kujdesi dhe një foto të Epstein dhe Maxëell me Papa Gjon Palin II, si dhe një video që shfaq pishinën dhe shtegun drejt oqeanit.
Publikimi i këtyre materialeve vjen ndërsa administrata Trump përballet me presion për të lëshuar plotësisht një set më të gjerë dokumentesh të Departamentit të Drejtësisë.
Sipas ligjit të ri të miratuar muajin e kaluar, departamenti ka afat deri më 19 dhjetor për t’i bërë dokumentet të aksesueshme, edhe pse disa mund të mbahen të fshehura nëse rrezikojnë hetime aktive apo cenojnë privatësinë e viktimave.
Në vitin 2022, Ishujt Virgin arritën një marrëveshje prej mbi 105 milionë dollarësh pasi autoritetet akuzuan Epstein se kishte trafikuar dhe abuzuar “dhjetëra gra dhe fëmijë” në dy ishujt e tij.
Komente









