Breshëri ka bërë ‘namin’ në fshatin Podgoran të Bashkisë së Këlcyrës. Disa hektarë të mbjella, janë dëmtuar si pasojë e reshjeve intensive të breshrit. Është dëmtuar gjithashtu edhe infrastruktura rrugore. Banorët kanë apeluar tek autoritetet vendore por nuk kanë reaguar deri në këto momente.

Fermerëve të fshatrave Katundisht, Çorogunjë dhe Podgoran që shtrihen në pjesën veriperëndimore të Bashkisë së Këlcyrës, u janë dëmtuar të mbjellat e stinës, apo dhe drurët frutor, mollët, dardhët etj.

“Rrushin na e ka dëmtuar fare. Gjysma e rrushit ka rënë”.

“Breshri që ra ka bërë shumë dëme në të gjitha kulturat. I ka prishur fare nuk bëhen më, plus ka dëmtuar edhe rrugën”.

“Shiu dhe breshri janë fatkeqësi natyrore, të gjitha perimet i ka dëmtuar, por rrushi është dëmtuar fare. Kopshtin këtu e kam me patate, nuk shikohet më se çfarë ka e ka dëmtuar”, shprehen fermerët. 

Banorët thonë se dëmi është i madh dhe se shteti duhet t’i ndihmojë.

“Dëmi është i pallogaritshëm, nuk ka lënë asgjë që ta haj fermeri që e ka mbjellë këtë”.

“Shteti nuk merr masa fare. Na është përmbytur çdo gjë, dëmi im është 500 mijë lekë”.

Reshjet intensive kanë dëmtuar edhe rrugët, ndërsa banorët ankohen që shteti nuk po ndërhyn.

“Janë gjëra natyrore, por njerëzit duan të merren masa, të lirohet rruga se njerëzit sëmuren kanë halle duhet të lëvizin”.

“Të na riparojnë rrugën të shkojmë në shtëpi”.

Drejtori i Shërbimeve në Bashki Tonin Qyraj, thotë se brenda pak ditësh rruga do të rregullohet.

“Jemi në dijeni të situatës, kemi shkuar me një grup për të parë problematikën, dhe shumë shpejt do nisim me pastrimin e rrugës dhe rregullimin e saj”, tha Tonin Qyra Drejtori i Shërbimeve Publike Bashkia Këlcyrë.

Reshje të forta breshëri, dhe dëme të shumta në bujqësi janë regjistrua edhe në bashkitë Maliq dhe Elbasan.